AK: Dënim përjetë për ata që vrasin. Të rihapim burgun e Burrelit e Spaçit dhe t’i dërgojmë aty

0
48

TemA, 8 Gusht 2012

Pas një serie krimesh të rënda në vendin tonë, Aleanca KuqeZi ka treguar disa nga propozimet e saj për të dalë nga kjo situatë gjatë një tryeze për të drejtat e njeriut.

Aleanca KuqeZi po ndërmerr një sërë kontaktesh, tryezash, analizash me ekspertë, profesionistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në lidhje me forcimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe mbrojtjen e lirive themelore.

“Vrasjet, plagosjet dhe të gjitha krimet kundër jetës së njeriut nëpër rrugët e Shqipërisë janë kthyer në një rutinë të përditshme për shoqërinë shqiptare, e cila tashmë nuk po përballet me fenomene si vrasja, përdhunimi, grabitja dhe keqtrajtimi, por prej kohësh qytetarët e këtij vendi po përballen me brutalitetin e krimineleve, të cilët po presin koka, copëtojnë trupa dhe makabratitete hollivudianë të këtij lloji,” thuhet në deklaratën e AK.

“Aleanca Kuq e Zi deklaron se është fatkeqësi kombëtare që në shtetin shqiptar e vetmja gjë pa vlerë është jeta e njeriut.

Niveli i krimeve kundër jetës, në të cilat përfshihen vrasjet, tentative për vrasje, plagosjet, aksidentet etj është nga më të lartët në rajonin, nivele të arritura jo gjatë vitit të fundit, por prej disa vitesh dhe shteti në Shqipëri është inekzistent në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë problem jetik për shoqërinë shqiptare. Përpara se të niste lufta në Siri, Shqipëria e kishte numrin e vrasjeve më të lartë se Afganistani dhe më të lartë se Iraku në raport kjo me numrin e popullsisë.

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme vazhdojnë të fshehin statistikat për përqindjet dhe nivelin e kriminalitetit,” vijon deklarata e AK.

Më pas Aleanca KuqeZi deklaron se çfarë parashikon ajo në programin qeverisës:

1. Program kombëtar të veçantë për çarmatosjen e popullsisë dhe miratimin e një legjislacioni të veçantë për përdorimin e armëve të zjarrit.

2. Ndryshime radikale në Kodin Penal dhe në përgatitjen e politikave penale për të hequr dënimet alternative për krimin e vrasjes dhe për të ashpërsuar dhe unifikuar në aplikimin e vetëm dënimit me burgim të përjetshëm.

3. Rihapjen e burgut të Spaçit dhe Burrelit për t’i transformuar ato nga burgje të ndëshkimit politik në burgje ku të vuajnë përjetë vrasësit dhe ata që kryejnë krime kundër jetës dhe që kanë shkallë të lartë rrezikshmërie për shoqërinë.

4. Sekuestrimi i pasurive të subjekteve vrasëse dhe dëmshpërblimi i familjeve të viktimave që kanë humbur të afërmin e tyre.

5. E drejta e mbrojtjes për familjarët e viktimave në të gjitha fazat e hetimit dhe gjykimit penal.