Mediu legalizoi prishjen e Parkut Kombëtar

0
67

TemA, 6 Gusht 2012

Në një vendim të 4 korrikut 2012, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nxori akt miratimin për autorizimin mjedisor për ndërtimin e segmentit rrugor pranë Fakultetit Histori- Filologji.

Me këtë akt, ministri Mjedisit lejon zgjerimin e rrugës së Elbasanit dhe prishjen e parkut Kombëtar. Meqenëse këtë masakër nuk duan që ta kryejnë vetë, ministria i ka autorizuar lejen Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Leja mjedisore është lëshuar nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencave më 4 korrik 2012, por është bërë publike në faqen e licencave të QKL-së më 31 korrik, 27 ditë më vonë, çka tregon dhe hezitimin që ka pasur kjo ministri për të publikuar lejen, shkruan sot gazeta Shqip.

Leja mjedisore përmban kushte të përgjithshme dhe nuk saktëson në mënyrë konkrete sasinë e pemëve që autorizon të priten. Gjithashtu nuk saktësohet lloji dhe sasia e pemëve që duhet të mbillen.

Dokumenti nuk përmban as vendin se ku do të depozitohen mbetjet inerte të gërmimit, duke rrezikuar që këto mbetje të flaken në brigjet e lumit Erzen, duke i shtuar koston mjedisore këtij projekti.

Legalizimi i këtyre punimeve bën që Bashkia e Tiranës të vijojë punën e saj qetë- qetë për zgjerimin e rrugës si pjesë e unazës së madhe. Në një aksion të datës 14 qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve rrafshoi një sipërfaqe të konsiderueshme me pemë, në hyrje të Parkut Kombëtar të Liqenit, përballë Fakultetit të Filologjisë. Edhe pse kjo gjë u kundërshtua nga ambientalistë dhe aktivistë të shoqërisë civile e gazetarë, veshët mbetën të shurdhër, pavarësisht se dëmtohet një park.