Sali, nuk ta ka fajin as Zoti, as Opozita

0
44

Edi Rama

Edi Rama, 09.01.2010

I them Sali Berishës mjaft me broçkulla e me yshtje gojësh të shthurura kundër opozitës. Mos krekoset si shpëtimtar dhe as mos akuzojë si i përdalë, se nuk e ka fajin as Zoti e as opozita, që pasi hodhi në erë mijëra shtëpi e familje në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, pasi varrosi edhe qindra miliona euro në tunelin e Kalimashit ku preu një shirit të rremë, i shpëton tani edhe uji i mbledhur për arsye që herët a vonë duhet t’ia tregojë drejtësisë dhe po i ndodh Veriut një përmbytje e jashtëzakonshme, e cila nuk mbahet mend qyshse nuk ka ndodhur, megjithëse nuk ra asnjë shi për t’u mbajtur mend.

Opozita po i shërben, siç është në traditën shqiptare e në shpirtin e politikës sonë të re, familjeve të përmbytura dhe nderit të vendit, duke ndërtuar rrjet solidariteti njerëzor në gjithë Shqipërinë e jashtë saj.
Por, edhe duke thënë të vërteta të cilat nuk mund të mbyten dot, as me shpifje e as me sharje ndaj opozitës, as me marrinat e spikeres Jozefinë e tellallëve të Pinokut kryeministër dhe as me ekrane e gazeta që i shërbejnë pushtetit pinok.

Veriun nuk po e përmbyt Zoti po robi.
Veriun po e përmbyt keqqeverisja dhe paaftësia e këtij pushteti, që po e shkatërron vendin nga katastrofa në katastrofë dhe vazhdon të sillet sikur po e çon nga fitorja në fitorje.
Veriun po e përmbyt rënia e shtetit dhe triumfi i babëzisë, paaftësisë, korrupsionit, nga digat lart në Fierzë, që janë kthyer prej kohësh në burim përfitimesh të paligjshme për pushtetarët, tek fushat poshtë nën Shkodër e më tutje, ku njerëzit janë lënë në dorën e Zotit dhe shteti është zhdukur nga faqja e dheut prej vitesh.

Gojët e shthurura të Sali Berishës na akuzojnë paturpësisht se bëjmë politikë me fatkeqësinë.
Jo, politikë me fatkeqësinë kanë bërë gjithnjë ata, kur ishin në opozitë dhe përdornin kufomat për të carë derën e kryeministrisë e vënë flakën në institucionet e shtetit, për të ndezur qirinj morti në parlament e lëshuar rrufe mllefi ndaj atyre që qeverisnin, për të parë pas çdo fatkeqësie një rast për dhunë, për destabilizim, për nxitje të urrejtjes ndaj nesh, e madje, më keq akoma, të dasisë Veri Jug.

Ne bëjmë politikë me ndjenjën e qytetarisë dhe të së vërtetës, me bindjen se interesat e njerëzve e të vendit janë përpara çdo gjëje e se për nxjerrjen në pah të problemeve ne nuk na ndalon dot asgjë.
Ne bëjmë politikë me vetëdijen se pavarësisht bindjeve të ndryshme jemi një popull, jemi një vend, jemi një shtëpi e përbashkët shqiptare nga Veriu në Jug.
Ne bëjmë politikë me parakushtin që urrejtja për tjetrin s’duhet të ketë vend në shtëpinë tonë.

Qytetaria që ne manifestojmë dhe thënia e së vërtetës që po del përditë mbi ujë, shthurin çdo ditë e më shumë gojët e Sali Berishës, që po jep shfaqjen e gënjeshtërt së radhës për të mbuluar të vërtetën e hidhur të radhës.
Por, Sali Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta e frikshme e kësaj fatkeqësie jonatyrore të radhës edhe sikur Prokuroria e Përgjithshme të mos zgjohet nga gjumi i dimrit, ku e ka gjetur vjet shembja e qindra miliona eurove në Kalimash dhe ku e gjeti sivjet përmbytja e mijëra hektarëve tokë e shtëpi në Veri të Shqipërisë.

Zonja Prokurore e Përgjithshme, ne ju kemi mbështetur e do t’ju mbështesim në kryerjen e detyrimeve tuaja kushtetuese, por sot duam të dimë se çfarë duhet të ndodhë ende në Shqipëri që prokuroria të shfaqet në vendngjarje e të nisë hetimin për dëme kolosale të pasurisë publike e private njerëzish me liri e të drejta kushtetuese?

Sali Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta e patolerueshme e kësaj ngjarjeje katastrofike për mijëra familje e për gjithë vendin bashkë me ta, edhe sikur tërë ekranet e gazetat në shërbim të tij të mbushen me reportazhe për ngrohjen globale e për motin e keq në botë me qëllim mbulimin e tërbimit të ujërave të Fierzës për shkak të harbimit të priftit të korrupsionit.

Pronarë e drejtues mediash që merrni pjesë në operacionin e shpëtimit të qeverisë nga mbytja, ju jeni në të drejtën tuaj të plotë për ta shitur lirinë tuaj, por mos harroni se shpërdorimi i fuqisë që keni në dorë do ta zhbëjë atë fuqi përballë të vërtetave që po shpërthejnë çdo ditë, mbi zullumin e trashë të gënjeshtrës qeveritare e të deformimit mediatik.
Ngrohja globale nuk është re e mbledhur mbi një qark të Shqipërisë dhe moti i keq në botë s’kishte pse përmbyste vetëm shtëpitë e shkodranëve.
Aq më pak akoma i shpëton dot Sali Berisha të vërtetës rrëqethëse të deklaratave të panumërta kontradiktore të tij e të atyre që janë konvertuar plotësisht në fenë e pushtetit të korrupsionit e të gënjeshtrës dhe janë lëshuar së fundmi rrjedhës së lumit të baltës kundër opozitës, duke predikuar suksesin e madh të qeverisë këto ditë e duke arritur të thonë se kjo qeveri po bën sot atë që s’e kanë bërë dot qeveritë as në Francë, as në Britaninë e Madhe.
Andej mbyllen përkohësisht aeroporte e zihen përkohësisht rrugë nga dëbora, po nuk mbyten toka e bagëti si shekuj më parë dhe as evakuohen njerëz nga shtëpitë se i shpëton qeverisë uji i hidrocentraleve nga kontrolli.
Për Sali Berishën ora e ballafaqimit me të vërtetat e popullit kishte ardhur përpara kësaj katastrofe. Kjo katastrofë është një arsye madhore më shumë për të kërkuar me forcë, menjëherë pas emergjencës, largimin e tij. Jo vetëm s’janë të zotw të garantojnë sigurinë e jetës e të pronës për shqiptarët, po edhe ujin për dritë e kthejnë në ujë për t’u mbyt.
Unë i falenderoj megjithë zemër të gjithë ata shqiptarë e miq të Shqipërisë, që po i gjenden familjeve të përmbytura me solidaritetin e tyre dhe nënvizoj se ne nuk do të rreshtim së punuari, çdo ditë, me të gjitha forcat e energjitë tona, për të bërë ç’është e mundur që t’u jemi pranë familjeve të përmbytura, deri ditën kur jeta e tyre të rifillojë normalisht.
Shtabet tona të emergjencës në Tiranë e në Shkodër kanë filluar punën konkrete, deputetët tanë pa dallim qarqesh, nga veriu në jug, janë angazhuar për mobilizimin e energjive njerëzore të vendit në funksion të ndihmës së familjeve shkodrane që janë sot jashtë shtëpie, të gjitha njësitë e pushtetit vendor ku ne qeverisim janë angazhuar seriozisht për organizimin e rrjetit të solidaritetit me të përmbyturit, ashtu siç ka nisur të angazhohet edhe e gjithë struktura e Partisë Socialiste në Shqipëri e emigracion.
Ky është solidariteti ynë me njerëzit e prerë në besë nga pushteti i keqqeverisjes e i paaftësisë dhe besimi ynë tek një Shqipëri e bashkuar. E cila është përtej të majtës e të djathtës kur është fjala për hallet e familjeve shqiptare, qofshin familje socialistësh a qofshin familje demokratësh.
Kjo është politika jonë e re e përmasës njerëzore dhe kombëtare, sa herë flitet për hallet e njerëzve e interesat e vendit.
Kjo është rruga jonë e fjalëve dhe e veprave, e dorës së shtrirë për viktimat e pafajshme të keqqeverisjes dhe e zërit të ngritur për denoncimin e të këqijave të qeverisë.