Në fillim si tragjedi, pastaj si farsë

0
53

Nga Ardian Vehbiu, 27 korrik 2012

Një herë e një kohë, kur Enver Hoxha ende nuk i kish hequr avokatët mbrojtës nga sistemi gjyqësor i Shqipërisë totalitare, qëllonte që, gjatë ndonjë gjyqi politik, të ngrihej avokati mbrojtës dhe të kërkonte dënimin maksimal për të pandehurin.

Se pse bënte kështu, veç mund ta marrim me mend. Disa kishin frikë se mos përfundonin vetë në bangon e të akuzuarve ; të tjerë kushedi ishin të bindur se të pandehurit, të cilit kishin për detyrë t’i mbronin, nuk meritonin gjë tjetër veç litarit.

Kjo m’u kujtua, kur lexoja këto ditë si Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po sillet si një nga përkrahëset më të zjarrta të nismës së Berishës & Co. për t’ua hequr imunitetin zyrtarëve të lartë hic et nunc.

E përsërit: kjo që çaprashit kështu është Kryetarja e Kuvendit, ose personi që, sipas Rregullores së Kuvendit, Neni 1,

“[…] përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij.”

Tani, sipas Kushtetutës në fuqi, imuniteti parlamentar mbetet një nga të drejtat e njohura me ligj, të anëtarëve të Kuvendit; pavarësisht nga ç’mendojnë Berisha, Europa ose Rama.

Prej Kryetares së Kuvendit, qoftë edhe thjesht për etikë profesionale dhe shpirt solidariteti me institucionin që kryeson, pritej që ta kundërshtonte, edhe vetëm pro forma, çdo nismë që synon kufizimin e të drejtave të anëtarëve të këtij institucioni.

Edhe sikur znj. Topalli, privatisht, të ishte dakord e tëra me nismën për heqjen e imunitetit, ajo bënte mirë ta mbante këtë opinion për vete dhe rrethin e saj të ngushtë, ndërsa në publik të mbronte institucionin që ia kanë ngarkuar të drejtojë dhe të administrojë.

Si mund të jetë kjo zonjë Kryetare e Kuvendit, sa kohë që kërkon të zhvishen nga privilegji i imunitetit deputetët, respektimin e të drejtave të të cilëve ajo është e detyruar të sigurojë?

Apo vallë ajo mendon se të drejtat e deputetëve do të respektohen më mirë, dhe vetë Kuvendi do të funksionojë më mirë, sikur Prokuroria të lejohet t’i ndjekë penalisht përfaqësuesit e zgjedhur, sipas orekseve dhe paranojave të ekzekutivit?

Natyrisht, opinioni i zonjës Topalli, sa kohë që kjo i konformohet vullnetit të Berishës, nuk ngre asnjë peshë; por janë pikërisht incidente të tilla, të vogla në vetvete, ose shprehje të tilla të besnikërisë ndaj vijës politike, që të bëjnë të mendosh se, kur vjen fjala për zbatimin e sistemit demokratik në Shqipëri, shtetarët dhe pushtetarët tanë luajnë “shtëpiash”, duke i zhveshur ligjet nga fryma, për t’i kthyer në shkronjë të vdekur.

Për t’u kthyer tani te avokatët mbrojtës të diversantëve dhe të komplotistëve në kohët totalitare, më duhet të shënoj edhe që, Enveri, pasi u lodh me hipokrizitë e tyre, vendosi t’i shporrë këta krejt, si figura profesionale, ose aktorë palë në skenën e gjyqit, pse veç i harxhonin kohën dhe krijonin ndonjëherë përshtypjen – e gabuar – se prokurorët e popullit mund edhe ta kishin gabim.

Marrë nga Peizazhe të Fjalës (http://xhaxhai.wordpress.com)