Dy ditë para 21 janarit, Imami bleu aparaturat përgjuese dhe snajpera

0
63

Lindita Çela, 27 Korrik 2012

Përgjimet e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, jo vetëm që nuk janë “flluska sapuni”, por janë maja e një ajsbergu. Ministri i Mbrojtjes, që lëshoi “flluska” rreth skandalit, nuk ia ka dalë dot të mbajë brenda kasafortave të vërtetën. Arben Imami ka urdhëruar blerjen e pajisjeve speciale për strukturën e përgjimeve. Kjo nuk është thashethem, as akuzë nga kundërshtarët politikë, por shkresa e firmosur nga ai, dora vetë.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, që “Shekulli” i disponon, Arben Imami ka urdhëruar blerjen e këtyre pajisjeve, ndërkohë që publikisht ka mohuar të ekzistojë një fakt të tillë.

Koha e blerjes së përgjuesve

Në bazë të dokumenteve, vërtetohet që Ministri i Mbrojtjes, Imami, ka dijeni të plotë dhe dy ditë para demonstratës së opozitës, më 21 janar ku u vranë 4 persona, ka urdhëruar blerjen e pajisjeve speciale dhe armatimeve për llogari të SHIU-ut. Ndërkohë që opozita kishte paralajmëruar organizimin e një demonstrate, më 21 janar të vitit 2011, duket se Ministria e Mbrojtjes kishte marrë përsipër zbulimin e të gjitha planeve “puçiste” të rrëzimit të qeverisë Berisha.

Nga sa bëjnë me dije dokumentet, Ministri Arben Imami e ka patur me aq nxitim sa brenda një dite, jo vetëm lëshon urdhra, por edhe autorizon MEICO-n për blerjen e pajisjeve speciale për llogari të SHIU-t. Urdhrat dhe autorizimet e Imamit janë lëshuar dy ditë para 21 janarit dhe në to flitet shprehimisht për pajisje përgjimi të cilat do të viheshin në dispozicion të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Nëse do t’i referohemi numrit të protokollit të shkresave, që Imami ka firmosur më 19 janar 2011, rezulton se Ministri ka qenë tepër i ngarkuar në firmosjen e urdhrave, pasi nga urdhri i lëshuar dhe autorizimi ka një diferencë të madhe shifrash të numrit protokollar.

Kështu, në shkresën me NR 1585/1 Ministri i Mbrojtjes, Armen Imami urdhëron Shërbimin Informativ të blejë pajisje speciale operacionale. Po, me ketë shkresë përcaktohet që blerjet do të bëhen nga ndërmarrja MEICO, tek e cila drejtori i Shërbimit Informativ duhet të paraqiste listën përkatëse të pajisjeve speciale. Sigurisht që drejtori Ylli Zyla duhet të jetë konsultuar për listën me specialistët, sidomos me drejtuesin përgjimeve, S. Pollozhanin. Po kështu, Ministri Imami, jo vetëm që urdhëron blerjen e pajisjeve për Shërbimin Informativ të Ushtrisë, por përcakton edhe kompaninë tek e cila do të blihen.

Sipas urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, blerja e këtyre pajisjeve me kompaninë e përzgjedhur do të bëhet me procedurën e prokurimit të drejtë për drejtë. “Shërbimi Informativ Ushtarak të realizoj procedurën e prokurimit të drejtpërdrejt me kompanitë përkatëse për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve speciale” – thuhet në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Ndërsa për zbatimin e këtij urdhri, Imami ka ngarkuar drejtorin e MIECO-s dhe atë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zylën. Po në të njëjtën ditë, Ministri Imami ka firmosur autorizimin për procedurat nëpërmjet të cilave do të bliheshin pajisjet speciale, me një fond limit prej 179.2908 euro.

Me ketë shkresë përcaktohet që blerjet do të bëhen nga ndërmarrja MEICO, tek e cila drejtori i Shërbimit Informativ do të paraqiste listën përkatëse të pajisjeve speciale

Imami përcakton firmat që do të sigurojnë përgjuesit

Snaiperë, automatikë, dylbi me rreze infra për të parë natën, pajisje regjistrimi video dhe audio, pajisje analoge transmetimi deri tek rrip përgjimi, janë pajisjet që Ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar të blihen para 21 janarit

Fillimisht Imami ka lëshuar një urdhër për të ndryshuar bazën ligjore e më pas ka autorizuar ndërmarrjen MEICO të realizojë procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë të blerjes për llogari të Shërbimit Informativ Ushtarak. Shkresa me nr 503, dt 19.01.2011, e Ministrit të Mbrojtjes Imami, në të cilën përfshin në këtë çështje ndërmarrjen MEICO, përngjan me të njëjtat procedura që u ndoqën në krijimin e fabrikës së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe kishte dyshime për organizimin e një trafiku armësh.

Po me të njëjtën skemë, duke lëshuar urdhra, e ndryshuar VKM, apo dhe vendime të ministrave të mëparshëm, Arben Imami përcakton, jo vetëm paratë, por edhe firmat që do të prokurohen, duke vendosur sasinë e parave për secilën prej tyre. Kështu, në urdhrin e lëshuar, Ministri i Mbrojtjes autorizon MEICO-n të kontaktojë me kompaninë “Bereta” për të blerë armatime për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Fondi i përcaktuar nga Imami për armatosjen e kësaj strukture është 39.955.00 Euro. Ndërsa në pikën 2 të autorizimit Imami përcakton SHIU-n të kryejë tenderimin me firmën, “Arms& B” me një fond prej 51.960.00 eurosh dhe atë “STS” me një fond prej 87.370.80 euro.

Sipas shkresës, këto blerje do të përballohen nga ndërmarrja MEICO, e cila do të ndjekë zbatimin e procedurave sëbashku me drejtorin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Kështu, në këto shkresa Imami urdhëron blerjen e armatimeve si dhe pajisje speciale për nevoja të SHIU-t. Pra, dy ditë para “21 janarit”, Arben Imami urdhëron blerjen armëve si, Snaiperë, Automatikë, Pistoleta, dylbi me infra për të parë natën, e deri tek pajisje regjistrimi, video dhe audio, pajisje analoge transmetimi dhe regjistrimi e deri tek rrip përgjimi, që deri më tani nuk dihet se si dhe ku janë përdorur nga punonjësit e Shërbimit Informativ të Ushtrisë.

Roli i SHIU-t më 21 Janar, informonte Berishën

Zyla ka shpjeguar informacionet e marra mbi demonstratën, ku u vranë 4 persona

I pari që foli për ekzistencën e informacioneve të klasifikuara në bazë të të cilave vërtetohej “puçi” kundër shtetit demokratik të Sali Berishës, ishte vetë kryeministri Berisha. Menjëherë, pas demostratës së 21 janarit, ku u vranë 4 persona, kryeministri Berisha foli për informacione që dëshmonim për armatosjen e protestuesve me pistoleta, çadra, thika me helm dhe stilolapsa pistoletë, me anë të të cilave do të sulmonin institucionet. Kryeministri, nuk saktësoi asnjëherë nga vinte ky informacion, por tashmë, pas më shumë se një viti, është Drejtori i SHIU-t, ai që pranon në një intervistë, se struktura që ai drejtonte kishte siguruar informacion për veprime të dhunshme në demonstratën e 21 janarit.

Kolonel Ylli Zyla, ka pohuar se Shërbimi Informativ Kombëtar nuk dispononte asnjë informacion të tillë dhe se i gjithë materiali ishte grumbulluar nga SHIU në rrugë ligjore. Po kështu, Zyla ka shpjeguar edhe sulmet e opozitës, që sipas tij, kanë lidhje pikërisht me informacionet e siguruara më 21 janar 2011. “Unë mendoj se informimi i SHIU-t për ngjarjen e 21 janarit është fillesa dhe arsyet e akuzave drejtuar SHIU-t. Duke qenë se për këtë ngjarje është folur shumë, më lejoni që ta informoj opinionin publik me rolin dhe aktivitetin e SHIU-t lidhur me këtë ngjarje.

Paraditen e 21 janarit, nga burimet e SHIU-t, jam informuar verbalisht se elementë të inkriminuar që do të merrnin pjesë në protestë, do të kryenin akte dhune ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe selisë së LSI-së. Këtë informacion, menjëherë e kam përcjellë te ministri i Mbrojtjes, i cili më autorizoi që këtë informacion ta ndaja me Shërbimin e Informativ të Shtetit. I kërkova takim drejtorit të SHISH-it dhe i bëra të ditur informacionin që kishim.

Nga ana e drejtorit të SHISH-it ky informacion nuk u mor parasysh, duke më thënë se “ne nuk kemi informacione apo indikacione që të vërtetojnë se do të ketë dhunë gjatë protestës”. Pas takimit me drejtorin e SHISH-it, kam informuar ministrin e Mbrojtjes për gjithçka bisedova dhe më tha drejtori i SHISH-it. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011 vërtetoi informacionin e SHIU-t. Më lejoni që të theksoj se SHIU nuk është investuar në ngjarjet e 21 janarit. Informacioni i ardhur është rastësor nga burime njerëzore dhe me indikacione të qarta për përdorim dhune. Në këtë situatë dhe në zbatim të ligjit, këtë informacion ia kemi përcjellë ministrit të Mbrojtjes dhe e kemi ndarë me Shërbimin Informativ të Shtetit”- ka thënë në një intervistë publike, ish drejtori i SHIU-t, Ylli Zula

Pajisja e përgjimit

Sipas opozitës, 1.6 milion euro ka kushtuar pajisja bazë e sistemit të përgjimit që është vendosur në njësinë e përgjimit në Shërbimin Informativ Ushtarak, brenda selisë së Ministrinë e Mbrojtjes, shumë pranë godinës së Partisë Socialiste. Për shkak të largësisë, jo më shumë se 100 m nga selia qendrore e Partisë Socialiste. Kjo pajisje është e aftë të interceptojë, redireksionojë, bllokojë të gjitha thirrjet hyrëse dhe dalëse për personat që ndodhen brenda kësaj rrezeje.

Dorëheqja e Ylli Zylës

Ish kreu i SHIU-t, Ylli Zyla, dha dorëheqjen pas skandaleve për trafikun e armëve dhe përgjimeve të opozitës të bërë nga strukturat që ai drejtonte. Megjithëse kurrë nuk ka raportuar në parlament në lidhje me këto skandale, Zyla e ka motivuar dorëheqjen e tij si sakrificë për të ruajtur integritetin e institucionit që ai drejtonte. Por, megjithëse kishte dhënë dorëheqjen, Zyla për disa kohë firmoste urdhra dhe vendime të ndryshme, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes ka komanduar në krye të SHIU-t, Sokol Pollozhanin.

Arben Imami

Ministri Imami i ka cilësuar “flluska” të gjithë faktet dhe pretendimet e opozitës për blerjen e pajisjeve të përgjimit nga SHIU. Ai ka mohuar faktin e përgjimeve të opozitës ndërkohë që ka kundërshtuar mbikëqyrjen parlamentare të iniciuar nga opozita. Sipas Imamit, për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare që të betohen për sekretin dhe të mos ua tregojnë grave ose kryetarëve të partisë

Ilir Gjoni

Nënkryetari i komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, ka qenë një nga të parët të cilët ka ngritur shqetësimin e përgjimit të deputetëve të opozitës dhe të diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë. Sipas deputetit socialist, SHIU mbetet institucioni më hermetik dhe jashtë çdo kontrolli nga ana e Legjislativit. Ndonëse në bazë të ligjit “Për Shërbimin Informativ Ushtarak” thuhet se veprimtaria e SHIU kontrollohet nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Komisionit Parlamentar. Edhe kur diskutohet buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, rubrika e SHIU-t, mbetet sekrete dhe nuk jepet asnjë sqarim, asnjë e dhënë mbi burimet financiare të këtij institucioni.