Kambana e parë e “Presidencës Nishani”

0
55

Nga Mero Baze, 26 Korrik 2012

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm një nëpunës të Kryeministrisë, akuzuar për fshirjen e regjistrimeve nga serveri i Kryeministrisë më 21 janar 2011. Ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA provoi se serveri i kryeministrisë ishte kopjuar dhe më pas fshirë nga autoritetet përgjegjëse dhe kjo përbën fshehje të paramenduar të provave të krimit. Nuk dua të merrem me rrethanat personale të të akuzuarit dhe rolin e tij në këtë histori, pasi në thelb ai është një viktimë e gjallë e 21 Janarit, por me efektin që filloi të japë mbi sistemin e drejtësisë shkuarja në Presidencë e një njeriu që u përzgjodh për të mos pasur president.

Në mentalitetin e gjykatësve shqiptarë, të cilëve u punojnë vetëm shqisat politike për të nuhatur si mund ta kënaqin pushtetin, një vendim i tillë pafajësie për një krim të provuar, për të cilin nuk ka të akuzuar të tjerë, veç atij që u shpall i pafajshëm, është një shenjë e qartë e shembullit që duhet ndjekur tani e tutje për çdo të gjykuar për 21 Janarin.

Nën të njëjtin model, Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e cila mendohet se ka më shumë integritet, i dha pafajësi të plotë Ilir Metës vetëm kur pa se kryeministri i vendit i shkoi për vizitë në shtëpi, për të pirë verë dhe të ngrënë “japrak” nga duart e Monikës, dhe kur po një ditë para gjyqit piu kafe publikisht në Rogner me Ilir Metën. Mjaftoi kaq që gjykata të kuptonte se ai duhej shpallur i pafajshëm dhe arriti të shpallë që “fakti”, pra videoja që panë gjithë shqiptarët, nuk ekzistonte.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, i dhënë në ditën e dytë të sundimit të “Presidencës Nishani”, është një shembull inkurajues për të mbyllur gjithë proceset formale për krimin politik të 21 Janarit. Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e së paku një shtetasi dhe i dyshuar për të dytin, sipas ekspertizës së FBI, vazhdon të jetë i lirë dhe gjyqet deri tani janë zhvilluar nën terrorin e gardistëve që hyjnë në sallë dhe kërcënojnë gjyqtarët. Tani me siguri dhe ai do ta ketë më të thjeshtë pasi do të sigurohen prova se ai është vetëmbrojtur.

Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, dy autorët e vendimmarrjes politike për këtë krim, as që janë thirrur dhe hetuar për këtë çështje, ndërsa prokuroria, e cila po pret kryeprokurorin e ri, me siguri do të mbyllë çdo shans për rihetim.

Pra, për të gjithë ata që e shikojnë Bujar Nishanin si një njeri kot që nuk bën dëm, që buzëqesh dhe pret e përcjell këdo që e merr në telefon, duhet të kuptojmë se ky është presidenti më i keq dhe më dëmshëm për këtë vend, pasi mungesa e integritetit të tij është një leje për regjimin për të inkurajuar revanshin e pushtetit të kryeministrit mbi çdo pushtet tjetër në këtë vend. Gjykatat shqiptare, prokuroria, por dhe institucionet e tjera të pavarura në vend, shikojnë tek mungesa e personalitetit të presidentit nevojën për tu orientuar qartazi dhe për tu përulur para pushtetit të kudondodhshëm të kryeministrit Berisha dhe të vihen në shërbim të tij.

Ky është dëmi më i madh që një president mund t’i bënte këtij vendi në këto momente. Bujar Nishani është njeriu i duhur për këtë dëm. Mjafton t’i hedhësh një sy stafit të tij, që është bërë publik, për të kuptuar nivelin e mjerueshëm intelektual që rrethon presidentin e ri, dhe çfarë frymëzimi për revansh të pushtetit të kryeministrit përbën ky fakt.

E pashë atë djalin e akuzuar, që u shpall i pafajshëm, të kërkonte dhe dëmshpërblim për akuzat që janë ngritur ndaj tij. Është e drejta e tij ta bëjë dhe këtë, pasi ndoshta është përzgjedhur për të mos u gjykuar askush për atë krim që është kryer me videot e 21 Janarit. Por duhet të kemi kujdes dhe së paku pak dhimbje dhe për fëmijët e të vrarëve më 21 Janar.

Vajzat e Aleks Nikës nuk presin ndonjë shpërblim financiar për vrasjen e babait, por duan thjesht të dinë kush e vrau me duar në xhepa shumë larg Kryeministrisë. Fëmijët e Ziver Veizit nuk duan lek, edhe pse kanë shumë nevojë pas ikjes së babait të tyre, por duan drejtësi. Fëmijët e Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt, që thuajse e dinë dhe me emër kush ua ka vrarë prindërit, duan së paku të mos shikojnë skena të tilla triumfaliste të njerëzve përgjegjës për mbetjen e tyre jetimë.

Një revansh i tillë fyes ndaj viktimave të 21 Janarit, që merr shkas nga Presidenca Nishani, do ta polarizojë shumë keq shoqërinë, në njerëz të dëshpëruar që nuk shikojnë asnjë shans për drejtësi nëse kanë hasëm Sali Berishën dhe Familjen e tij, dhe njerëz të privilegjuar që nuk shikojnë asnjë shans të dënohen edhe nëse vjedhin para syve të shqiptarëve dhe vrasin live në ekrane televizive. Kjo është shenja se presidenca Nishani do ta ndajë më shumë Shqipërinë, do t’i ndajë më shumë shqiptarët dhe do të t’i japë prioritet vetëgjyqësisë mbi drejtësinë.

Dhe e gjithë kjo, jo se në krye të vendit kemi një president hakmarrës, revanshist dhe të plotpushtetshëm, por se kemi një njeri të vendosur aty si “një drizë për të zënë shtegun” dhe për t’i lënë pushtet të pakufizuar Sali Berishës, i cili ka nevojë për të mos u prekur nga drejtësia për çfarë ka vjedhur dhe çfarë ka vrarë në këtë vend. Kambana e parë e Presidencës Nishani ra jo për të kujtuar viktimat që u mori jetën pushteti, por për tu kujtuar atyre se ata që vranë nuk do të preken. Kemi për t’ia dëgjuar gjatë jehonën kësaj kambane, edhe pse i bihet me një dore!