Topi: Jam për rotacion në vitin 2013. Për 24 orë u pushuan të gjithë ata që punuan për mua, deri dhe te kuzhinieri

0
60

TemA, 26 Korrik 2012

(E PLOTESUAR) – Ish- presidenti thotë se Berisha tentoi të dredhonte në vitin 2007, kur Topi do garonte për president. Topi tha se ftohja me Berishën nisi në vitin 2005. Ai tha se javën që vjen do takojë Gazmend Oketën për të vendosur për rolin e tij në politikë dhe FRD

Ish- presidenti Bamir Topi, në një rrëfim shpërthyes për Top Story, thotë se ftohja me Berishën erdhi që pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur Berisha zgjodhi të fliste me Lufter Xhuvelin në vend që të komunikonte me Topin për kabinetin e ri. Topi tha se atij i është propozuar atëherë një post i ulët, ai i ministrit të Bujqësisë.

Topi tha se Berisha tentoi të dredhonte kandidimit të tij për president në vitin 2007. Topi pranoi një debat të zjarrtë me Berishën përpara votimit të tij, që erdhi si presion ndaj kreut të PD.

Ish- presidenti tha se vendi po shkon në drejtim të gabuar. Topi tha se drejtohet nga një dorë e vetme me sfond komunist. Ai deklaroi se tani vendi të kujton diktaturën komuniste, pasi mjafton fakti që brenda 24 orësh u shkarkua gjithkush kishte punuar me presidentin, deri tek kuzhinieri.

Ish- presidenti deklaroi se javën tjetër do ketë një takim me Gazmend Oketën për të diskutuar në lidhje vendimmarrjen për pozicionin e tij në politikë dhe në Frymën e Re Demokratike.

Bamir Topi u shpreh në mënyrë kategorike në favor të rotacionit politik në vitin 2013.

Intervista

Në nisje të intervistës, ish-presidenti Topi foli për faktin se mediat tani po e etiketojnë si njeri të lirë.

“E kam ndjerë veten gjithmonë të lirë, pavarësisht detyrimeve që kam pasur,” tha Topi.

Presidenti foli fillimisht për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se në vend gjërat kanë ardhur duke u përkeqësuar në kuptimin e demokracisë brenda partive.

“Shqipëria ka bërë progres, por progresi nuk i dedikohet klasës politike,” tha Topi.

Ish- presidenti komentoi edhe faktin që mbeti me traget në det për më shumë se 24 orë.

“Nëse je në një mjedis me qytetarët nuk do ishte e falshme nëse presidenti do e braktiste tragetin. Kam vepruar në mënyrë shumë të natyrshme,” tha Topi.

Sërish presidenti ia vuri fajin Berishës për ndryshimin e protokollit, që e la Topin pa fjalim lamtumire në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.

“Presidenti sipas ligjit nuk është ai që bën protokollin, atë e bën qeveria dhe ndryshimi i fundit është bërë me vendim të qeverisë.

Unë e kam marrë pa asnjë lloj kompleksiteti këtë çështje. Sigurisht ndryshimi i protokollit në momentet e fundit nuk konsiderohet diçka normale,” tha Topi.

Ai u shpreh optimist se Nishani do jetë një president i mirë.

“Unë nuk kam arsye të mendoj të kundërtën, sepse njoh fizionominë e Nishanit, është i ekuilibruar, vjen nga politika, dhe unë kam qenë nga ata që kam deklaruar se është mirë që presidenti të vijë nga radhët e politikës, sepse po të vijë nga rrethet e tjera, do përballet me situata të vështira.”

Duke komentuar 21 janarin, Topi tha: “E kam thënë edhe në mesazhin e dhënë para dy ditësh, që institucioni i presidentit asnjëherë nuk prodhoi konflikt. 21 janari është produkt i konfliktualitetit politik.

Më e shëmtuar akoma ishte tentativa për të akuzuar institucionet, siç u bë edhe në adresën time. Ato lloj halucinacionesh u pa që ishin pozicione totalisht politike. Edhe sot e kësaj dite e shikoni që klima në parlament apo në tribunat e partive politike shkon në kufijtë maksimalë.”

Bamir Topi akuzoi Berishën se tentoi ta dridhte në vitin 2007, kur u vendos për kandidimin e tij për postin e presidentit. “Asnjëherë nuk kam qenë unë ai që kam kërkuar të bëhem president. Ka qenë një propozim i drejtpërdrejtë i kreut të mazhorancës. Pasi është rënë dakord që unë të pranoj ofertën, i kam qëndruar deri në fund. Por propozuesi e dredhi,” tha Topi.

“Gjithmonë mund të ketë devijime, por unë nuk mendoj se kanë ardhur për shkaqe objektive,” vijoi Topi, që konfirmoi se në një mbledhje të grupit parlamentar para votimit ka pasur një diskutim të ashpër mes Berishës dhe tij.

Por Topi deklaroi se nuk ka qenë kjo periudha kur ka nisur ftohja dhe tensioni me Berishën. Ajo ka ndodhur në vitin 2005.

“Përpara se të konsultohej me një nga nënkryetarët e PD nisi kontaktin me përfaqësues të tjetër që kishin qenë në opozitë me PD. Ishte Lufter Xhuveli që u ftua për diskutime. Berisha foli më parë me zotin Xhuveli se me mua për qeverinë,” tha Topi.

“Ky ka qenë një moment i hidhur në marrëdhëniet brenda PD, që vazhdoi me një komunikim të tensionuar.

Ka pasur oferta të thjeshta dhe aspak dinjitoze për profilin tim. Më bëri ofertë për ministër Bujqësie, ndërkohë që ajo u nda në shtatëqind copash.”

Ish- presidenti tha se Berisha nisi diskutime me Xhuvelin pa pasur nevojë.

Topi tha se është sulmuar nga PD për arsye politike.

“Asnjëherë më shumë se gjatë këtij mandati nuk jam sulmuar nga ajo parti, ku kontribuova për shumë vite. Arsyeja është e pastër politike.

Një inspirim në kohë i atyre që janë aty vetëm për të ngritur dorën sipas orekseve të kryetarit të partisë.

Më etiketuan me fjalë të padenja edhe për një person në rrugë.”

Topi bëri akuza të rënda se vendi po rrëshqet drejt ngjashmërive me komunizmin.

“Ata kanë në dorë për të bërë protokollin, për të emëruar institucionet. Me një mazhorancë të thjeshtë mund të emërosh të gjithë strukturat e shtetit.

Mendoj se nuk po shkohet në drejtimin e duhur.

Administrata çdo ditë e më shumë po politizohet. Të gjithë ata që kanë shërbyer tek presidenti, nuk ka zgjatur shumë, 24 orë më pas janë pushuar. Ata nuk janë të presidentit, ata janë shërbime qeveritare. Kjo drejtori varet drejtpërdrejt nga kryeministri.

Të gjithë deri tek kuzhinierë, janë thirrur dhe janë pushuar. Kjo është një frymë primitive e sjelljes me shtetin,” tha presidenti duke theksuar se kjo të kujton diktaturën komuniste.

Duke mos e përmendur direkt Berishën, por natyrisht duke e nënkuptuar, Topi tha se gjithë shteti do drejtohet nga një dorë me formim komunist.

“Në PD nuk ka zë. Zërat e vetëm janë ata që urdhërohen për të hapur zjarr, për të anatemuar, deformuar,” tha Topi.

Ish- presidenti konfirmoi një takim me zotin Gazmend Oketa për të vendosur për rolin e tij në partinë e re Fryma e Re Demokratike.

“Së pari unë kam lajmëruar orë më parë që me një probabilitet të lartë unë e mendoj veten të kthyer në politikë.

Është fiksuar një takim me zotin Oketa për javën që vjen. Natyrisht do diskutojmë gjerë e gjatë për të bërë të mundur një vendimmarrje finale, e cila do vijë në fund të muajit gusht ose në fillim të shtatorit.”

Presidenti theksoi se akuzat për përgjimet janë shumë të rënda, por nuk duhet të mbeten thjesht akuza, por duhen hetuar e zbardhur.

“Në momentin që i kam dëgjuar, sigurisht që jam tronditur sepse nuk bëhet fjalë për një akuzë rruge, por një akuzë që vjen nga Komisioni i Sigurisë Kombëtar.

Një akuzë e tillë nuk mund të hidhet dhe më pas të harrohet duke u lënë në harresë.”

Ish- presidenti i shpreh hapur për rotacion politik në vitin 2013.

“Jam në favor të një rotacioni politik në vitin 2013.

Kjo për faktin se kam kritika kaq të forta për mënyrën e administrimit të pushtetit.

Një pushtet që deformon dhe falsifikon edhe votën e presidentit, për cfarë ta kesh nevojë?

Kur u hapën të gjithë kutitë me vendim të Apelit, doli ndërhyrja në kutinë ku ishte hedhur vota e Bamir Topit.

Pse duhet të kërkoj shembull tjetër?

Është e domosdoshme të ketë rotacion. Ky pushtet është sëmurë.”

Duke bërë një krahasim me futbollin, i pyetur se ku do të luajë tani në politikë, Topi e mbylli duke thënë: “Do luaj në mesfushë me tipare sulmuese. Do luaj djathtas, në qendër, por ndonjëherë edhe majtas.”