INTERVISTA/ “Qeverisja e 20 vjetëve, po aq kriminale sa ajo e Enver Hoxhës”

0
38

Shpëtim Nazarko, njëri ndër emrat e njohur të medias në dy dekadat e fundit, shprehet se 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria nuk është në gjendje të menaxhojë territorin e saj

Nga Skender Minxhozi, 24 Korrik 2012

Zoti Nazarko, prej njëzet vjetësh jeni njeri i shtypit dhe i biznesit që lidhet me të. Si do ta përcaktonit rrugën që ka bërë media shqiptare në dy dekadat e fundit?

Po përgjigjem sikur pyetja të ish bërë ndaj një vëzhguesi të huaj që nuk di shqip dhe vjen për një inspektim të tipit përshkrues. Do të mjaftonte vetëm shikimi i titujve të panumërt të gazetave, të shtrira shumicën e rasteve në tavolina të vogla apo përtokë, për të kuptuar se shtypi këtu përfaqëson një shoqëri të paorganizuar. Nga tipi i reklamave përgjithësisht të karakterit tregtar dhe jo prodhues, shumica të kompanive celulare apo bankave, nxjerr përfundimin se në çfarë vendi jeton. Po të pyesësh edhe çmimet që i afrojnë publikut këto kompani që botojnë reklamat, tabloja bëhet më e qartë. Nëse të thonë që shtypi i shkruar shpërndahet vetëm në qytet, ashtu si njëzet vjet më parë, pra në qendrat qytetare dhe jo në fshat, komenti i raportuesit që nuk di shqip është i thjeshtë. Shtyp i një shoqërie nga ato të botës së tretë, që ka rrugë të pafundme për të bërë.

Ku ndryshon shtypi i viteve ’90 nga ai i sotmi? Sa ka ndikuar përhapja e mediave elektronike, në transformimin e peizazhit mediatik në Shqipëri? Si e konsideroni trajektoren qe ju apo Nikoll Lesi keni pasur në këto vite, nga botues shumë të njohur fillimisht, në persona që më pas janë gjendur në periferinë e botës së shtypit? A lidhet ky me ndonjë fenomen të caktuar, apo ka qenë thjesht një rastësi?

Nga pikëpamja e kostove, shtypi i sotëm, veçanërisht mediat elektronike, mund të shihen si një veprimtari e tipit industrial. Unë apo zoti Lesi që vinim nga provinca pas 90-tës dhe pa asnjë lloj prone tjetër, mund të quheshim në rastin më të mirë revolucionarë apo në më të keqin, aventurierë. Nuk ishte e vështirë të parashihej fati i kësaj iniciative. Gjithsesi i kam mbetur idesë që biznesi i afërt me shtypin të mbante gjallë këtë të fundit. Çka sot nuk është kështu…

Shtypi, veçanërisht ai elektronik, ka bërë përparime në lidhje me atë kohë, kur shumica e artikujve ishin propagandistikë dhe me teknikë primitive të shkruari. Megjithëse mungon investigimi, sot prioriteti lidhet me lajmin, çka është gjë e mirë..

Si konservator, megjithatë nuk e quaj normale që editoriali të shkruhet nga njëzetvjecarë apo njerëz pa autoritet. Në përfundim, mendoj se përparimi i sotëm në aspektin e përgjithshëm, është vetëm i karakterit evolucionar. Në atë specifik, periudha që ju pyesni ka ndihmuar vetëm të profilojë te publiku pak individë, që mbeten përfaqësues të interesave të tij. Mbetem i idesë se media elektronike në raste të veçanta ka evoluar shumë më tepër se shtypi i shkruar, tirazhi i përgjithshëm i të cilit, me gjithë numrin e shumtë të titujve, nuk e kalon kurrsesi atë që kishte Lesi apo unë…

Po politika si ka ndryshuar këto njëzet vjet? Cili do të ishin transformimet kryesore të jetës tonë politike, nëse mbijetesa e Berishës dhe disa figurave të tjera mund të lerë vend për të folur për transformim?

Berisha apo Nano, që udhëhoqën këtë tranzicion, mund të kritikohen me çdo mënyrë, por mendoj se duhen gjykuar thjesht. Si gjithë njerëzit, ata sollën në shoqëri eksperiencën jetësore të krijuar më parë. Përfaqësues tipikë të viteve 80-të, kur vendi ishte në izolim gjithëplanësh, ata janë produkt i plotë i asaj kohe. Plaku Dritëro e kishte parandjerë këtë situatë, e ma ka thënë që para ndryshimit të 90-ës, se kush do ta udhëhiqte Shqipërinë pas vdekjes së gjeneratës së pleqve dhe se çfarë elite do t’i ndiqte pas…

Megjithëse personazhet e mësipërm u dukën më të kulturuar se politbyroja e Hoxhës, unë nuk shoh t’i kenë tejkaluar paraardhësit e tyre në përmbajtje, bile shpesh edhe në formë. Edhe këta rreken të dyfishojnë të ardhurat nga ullinjtë, të heqin skorjet etj, etj. Avash-avash me pleqërinë mund t’i afrohen përfundimit të njohur mbi Shqipërinë si fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut… Ai që ka qejf t’i shohë nga pikëpamja letrare ata, apo shoqërinë e ardhur nga vitet 80-90, mund të kujtojë librin gjenial të Salltikov Shcedrinit “Zotërinjtë Gollovljov”, një proces jetësor që përshkruan plakjen dhe vdekjen e këtu mund të shtojmë dhe kalbjen e plotë të Atdheut.

Si do ta përshkruanit situatën aktuale në Shqipëri?

Shqipëria e sotme eksporton as më pak as më shumë se ajo e Hoxhës, Bile më keq në sasi e cilësi. Këtë le ta kundërshtojë kush të dojë. Për herë të parë në histori, hiq një periudhë pak pas Pavarësisë, ajo nuk është në gjendje të administrojë territorin e saj. Vazhdoj të mbaj idenë se nëse periudha e pushtetit politik të Hoxhës ishte më kriminalja në historinë tonë, ajo e qeverisjes së këtyre njëzetë viteve është po aq e tillë. Duket një kombinacion sa qesharak e grandoman si ai i Hoxhës, aq dhe shkatërrues në efektet praktike. Shqipëria, shumë më e gjatë se e gjerë, siç shihet në hartë, do të duhet të bënte rrugët që lidhnin portet e saj (edhe për efekt kostoje) në këtë pjesë të shkurtër, apo siç janë quajtur nën emrin e Korridorit të Tetë. Pas njëzetë vjetësh ato nuk ekzistojnë ende, apo janë lënë përgjysëm andej këndej..

Nano e filloi nga fundi i trupit të saj zhvillimin e rrugëve, Berisha e vazhdoi nga sipër dhe Shqipërisë sot i dhemb barku. Edhe Hoxha që zhvillonte keq ekonominë, e kishte kuptuar që në Elbasan apo në qendrën gjeografike të vendit, duheshin vënë magazinat e shtetit, apo industria e tij. Kjo për kushtin e barazlargimit të pikave. Sot qeveria bën rrugë ku mundet dhe si mundet, i lë përgjysëm ato dhe vendi i ngjan jo një kantieri ndërtimi, por një varri të hapur dhe territori të paadministruar.

Shqipëria e viteve tridhjetë kishte blegtorinë më të madhe për numër banorësh në Europë, sipas instituteve italiane, sot natyrisht jo. Në një pronësi të paqartë dhe ngastërzimi pafund, ajo nuk zhvillohet dot në prioritetet e saj natyrale, si një vend transit, blegtoral e bujqësor.

Gjithë kësaj fatkeqësie duhet t’i shtosh dhe brezin më të ri të Europës, i cili nuk stimulohet për të shkuar në shkolla profesionale që ndërtojnë atdheun, por profilohet i tëri për avokati, filozofi etj, etj.

Vitin e ardhshëm votohet për Kuvendin. Si po ecën procesi i përgatitjes së zgjedhjeve?

Nuk ka asnjë përparim, por vetëm hollim të maskarallëkut partiak. Shqipëria ishte dhe vazhdon edhe pas reformës zgjedhore, të jetë e vetmja ku partitë organizojnë zgjedhjet, bëjnë Komisionet zgjedhore dhe po ato i numërojnë votat. E shoh me çudi inspektorin e OSBE që bën të menduarin dhe nuk e sheh se ky është i vetmi vend në planet që zhvillon zgjedhje me teknikën analoge të Hoxhës.

Paralelisht me zgjedhjet, përballemi edhe me provimin e tretë europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mendoni se do të jemi një vend kandidat në tetor?

Do preferoja t’u thosha fshatarëve se çfarë favori do të kishin po të kishin statusin. Thonë që vetëm bujqësia mund të kishte një ndihmë rreth 200 milionë euro në vit. Pra, do t’u tregoja efektet praktike dhe jo propagandistike. Mbase mund të na bëjnë favor si me NATO-n, por nuk e di. Dhëntë Zoti na fusin në Kooperativën e tyre, pasi ndoshta do të rregullonim sjelljen tonë në praktikë.

Si e gjykoni produktin e shtatëvjeçarit të kryeministrit Berisha në timonin e qeverisë? Sa nga smalti i vitit 2005 ka mbetur akoma në imazhin e tij publik?

Gati një vit pas mandatit të parë, i thashë Berishës se vendi po shkonte prapë drejt piramidave të 97-tës dhe vazhdoj të mbaj këtë ide, e ja pse. Nga viti 90 e deri në 2003, ne i bëmë investimet tona me para të emigracionit, të shitjes së pronave, apo vjedhjes së pasurive publike. Pra, pa bankat e mëdha, të cilat u privatizuan rreth 2003 dhe filluan të japin kredi të tipit industrial pas këmbimit të qeverisë në fund të 2005-ës.

Kështu, në periudhën 2006-2008, kur Europa kishte krizë likuiditesh, ne kishim bollëk parash, marrë nga bankat. Nga gjysëm miliardi deri atëherë, kredia shkoi pesë miliardë dollarë. Shto këtu dhe nja tre të qeverisë dhe pastaj katër investuar nga të huajt, kupton burimin e mrekullisë së modelit ekonomik shqiptar që reklamohet aktualisht.

Kjo sasi kolosale parash shpuri në biznese të reja, por tmerrësisht inefiçiente, që mbushën fillimisht arkën e shtetit në formë taksash. Çmendurinë e shtyu më tej qeveria, që shpejtonte lejen e biznesit, duke harruar që këto para të hedhura nga individi janë sa të tijat dhe të shoqërisë. Në 2009 -2011 filloi të binte perdja e kësaj maskarade. Biznesi inefektiv u gjend në vështirësi, edhe me bankat, edhe me taksat. Për dy vjet, kreditë e këqija u rritën nga 3 deri në 21 përqind, pra shtatë herë.

Pastaj vështirësia u transmetua në mbledhjen e taksave. Qeveria u përgjigj me “mënyrat” e veta, që shpunë në mungesën e të ardhurave për shkak të uljes së konsumit. Pasoja: duhet shitur çdo gjë, ku të mundet dhe si të mundet, për të shtyrë ca muaj, megjithëse rrënimi është i paevitueshëm. Tani po na thonë që kjo gjendje është efekti i krizës në Europë, por mendoj se është thjesht pasojë e një çmendurie kolektive, ku qeveria ka pjesën e luanit.

Ndërsa propaganda nuk rresht së foluri për modelin e ri ekonomik, këtë fatkeqësi e shton Taksa e sheshtë, që nuk është gjë tjetër veçse ashtu si dhe mënyra e bërjes së buxhetit; një kopje e shëmtuar e kohës së Adil Carcanit . Ku të tërë paguanin njëlloj dhe buxheti bëhesh po kështu. Vetëm një i mjerë nuk e kupton se veçoria e vetme e kësaj lloj takse parazitare, që kish vlerë fillimisht kur nuk mund të mblidheshin dot ndryshe të ardhurat, lejon investitorët e huaj të tipit jo prodhues, por tregtar, të nxjerrin në formën e fitimit, qindra milionë euro nga vendi çdo vit, duke e bastisur realisht atë. Kjo është për mua e vërteta elementare dhe vrasëse.

Si po afrohet opozita në zgjedhjet e ardhshme? Si e gjykoni kriticizmin ndaj Edi Ramës për mungesë vizioni dhe aftësie në krijimin e masës kritike për largimin e Berishës nga pushteti?

Për të kuptuar a justifikuar Ramën, duhet t’i kthehesh vitit 97, kur PS-ja, për kompleksin e të kaluarës, dhuroi për aleatët e vegjël shumë deputetë.

Sistemi i tanishëm zgjedhor këtë nuk e lejon, jo më për të djathtët që rrinë rrotull saj, por dhe për të majtët. Veç kësaj, partitë e vogla nuk mund të shpërblehen me kaq apo aq deputetë, por duhet të “peshohen”, pra të marrin aq sa u takon nga sistemi ku ata luajnë. “Peshimin” real të vegjlit e kanë frikë dhe krijojnë zhurmë. Nëse LSI, në 2009 do të kishte aq vota sa mori, por brenda koalicionit me PS-në, ajo do kish më shumë deputetë se sot. Po dhe ajo kishte frikë nga “peshimi”, i cili është i drejtë besoj dhe është meritë e Ramës që e kërkon. Ndryshe do të shpartallonte partinë e tij, duke u dhënë aleatëve bastione të sigurta. Ndërkaq partitë e vogla kanë të drejtë të ankohen për sistemin zgjedhor. Këtu të kërkonin shpëtimin real…

Shumë besojnë se Berisha krijoi dhe fitoi me“tren” aleatësh, që realisht përbëhen në shumicë nga parti inekzistente. Kundërpërgjigja analoge shkatërron së pari PS-në dhe akoma më shumë vendin. Këtë e provoi së pari vetë Berisha. “Treni” i tij u krijua matanë Tiranës apo qyteteve të mëdha, ku votohet dyzet-pesëdhjetë përqind, pra në zonat rurale, ku kjo përqindje vote shkon 90 a 95 përqind. Po çfarë fitoi realisht?! Shihni se çfarë qeverisje prodhoi dhe pastaj komentojmë. Aleancat kombëtare për të goditur të keqen krijojnë besim, por së pari duhet të mendojnë rregullin e të nesërmes dhe jo çastin. Berishën e hoqën në 97, si të keqen e madhe, por u erdhi prapë për shkak të aleancave inekzistente që prunë po qeveri inekzistente. Ky gabim nuk lejohet të bëhet më për rregullin e së nesërmes, e jo se duhet larguar ai, sado që aleancat edhe kur janë ineficiente kanë efekte psikologjike.

Prandaj e kam përkrahur idenë e Ramës për “peshim”, sepse besoj që duhet së pari për vendin dhe jo për fituesit..

Unë mendoj që më 2013, problemet i ka e djathta dhe jo e majta. Nëse Berisha rri me Metën ky i fundit duhet t’i harrojë votat ultra të majta të 2009. Pra Berisha duhet t’i japë vota nga të tijat, të mbajë Metën, po jo partinë e tij. Akoma nëse Meta rri djathtas, PDIU mund të kërkojë koalicion majtas si parti e dytë, çka e favorizon sistemi zgjedhor, apo të shkojë në Qendër me partinë e Topit etj.

Duket një strategji e saktë e PS, e cila problemet i ka të një natyre tjetër. Duhet të punojë për Strategjinë Kombëtare, stafe kreative dhe të shkojë afër fshatit. Kjo është sfida reale e saj dhe e opozitës.

Dy forca të reja politike kanë marrë përsipër të thyejnë pesimizmin që rrethon çdo nismë të re që shfaqet në panoramën politike shqiptare. A do të ketë sukses Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu?

Besoj se Presidenti duhet të shkojë drejt një krijimit të një Poli Qendre ku dhe mund të ketë sukses. Më qartë akoma të përcaktojë plotësisht këtë qëndrim pasi të shohë rreshtimin e palëve majtas dhe djathtas. Besoj te inteligjenca apo dinakëria e tij politike. AK-së do t’i duhet shumë për t’u besuar. Ka gjetur kohën e duhur për të marshuar, por a krijon dot batalione të rregullta, apo do mbetet e formës partizane këtë nuk e di. Duhet të pozojë platforma e jo fjalime.

Me çfarë po merreni tani? Çfarë vendi zënë fizika, librat dhe shahu në kohën tuaj momentalisht?

Librat janë thelbi i jetës sime. Për shahun jam i lumtur se megjithëse nuk luaj më, shoh “live” turnetë më të mëdha të botës në ekran. Për fizikën, pas një pune mbi gjysmën e jetës, pres gjykimin mbi një ide timen muajin tjetër në Itali, nga një grup shkencor italian dhe rus.

Nëse do të duhet të bënit një parashikim për vitin e ardhshëm në tre fjali, cili do të qe ai? Si do e gjejë 2013-a Shqipërinë?

Të pafuqishme, të rrënuar ekonomikisht, por shpresoj e besoj se do t’i thërresë shpirtit të të parëve, që e krijuan për të mos vdekur.