INTERVISTA/ Majko: Basti i jetës për Ramën është nxjerrja në pension e Berishës

0
41

TemA, 21 Korrik 2012

Majko: Kur ndryshimi të ndodhë, do jem i mërzitur, sepse pasardhësit e Beishës nuk do jenë ‘elefantë’, por ‘dhelpra”

Ish-kryeministri i Shqipërisë, në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, dhe tani anëtar i kryesisë së PS-së, nuk e konsideron “tabu” temën e bashkimit kombëtar, nëse ajo diskutohet hapur. Ai tha se ta konsiderosh “tabu” një temë të tillë, minimalisht është inferioritet. Në një intervistë ekskluzive për Kosova.info, Majko deklaroi se midis Shqipërisë dhe Kosovës, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë majtistë dhe djathtistë, por vetëm interesat e përbashkëta që dy “siamezët” ballkanik do t’i ndjekin derisa të ketë shqiptarë në këtë anë të botës. Por, Majko ka një befasi. Ai do të vijë në shtator në Kosovë, të çojë nipin e vet në shkollë. Për këtë, Majko thotë se as për fëmijët e tij nuk ka pasur kaq emocion. “Brenda nipit tim, Pirros, fle “Shqipëria e Madhe”…Varianti i tim vëllai. Sigurisht”, theksoi z. Majko. Ai fton të gjithë shqiptarët anekënd botës, që me prezencën e tyre në Vlorë, të festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Z. Majko, si e shihni mungesën e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë?

Mungesa e konsensusit në zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte e pritshme. Ngarkesat politike në këtë proces ishin mjaft të larta. Interesante ishte edhe kontraktimi i brendshëm në mazhorancën aktuale. Përfundimisht, “lodrat” për pushtet shmangën kandidatura të së djathtës si Topalli apo Bode që jashtë çdo dyshimi ishin edhe më të mira se sa kandidati i minutës së fundit…Por, analizat në të tilla raste janë të tepërta. Po flasim për Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Kjo, dhe arsye të tjera, më shtyjnë ti uroj punë të mbarë në një detyrë aspak të lehtë.

Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen PD dhe PS për reformën zgjedhore?

Pandeli Majko: Është kompromis i pjesshëm në një kohë krize dhe mosbesimi të lartë. Emigrantët mbetën jashtë procesit zgjedhor si një handikap i mosfunksionimit të sistemit tonë politik. Po vrapojmë drejt zgjedhjeve “më të mira se ato të kaluarat” dhe vështirë të ndodhë që ato të quhen “të lira dhe të ndershme”… Pjesërisht, janë edhe eksperimentale, me metodat e “reja” teknologjike që do kryhen në dy qarqe (Tiranë dhe Fier) për identifikimin dhe numërimin elektronik. Në zonat e tjera do respektohet “zakoni i vjetër” dhe shpresoj të mos na përsëriten historitë e vjetra të manipulimit. Kjo sëmundje manipulimi zgjedhor është bërë thuajse bezdisëse për mbarë shoqërinë shqiptare si një fillim i kapitullit grotesk për krizën e radhës me klithma e psherëtima dhe pohim i pamundësisë për të pranuar njëri tjetrin për aq sa është… Një sherr banal për ndarje “plaçkë” që i ngjan asaj të dy prindërve të divorcuar pa pyetur për sytë e shtangur të fëmijëve në mes tyre… Kjo edhe arsye të tjera ja ua ka sjellë në majë të hundës, sidomos brezit të ri, raportin me politikën. Është e dhimbshme.

Si po shkon procesi i Shqipërisë drejt marrjes se statusit te vendit kandidat në Bashkimin Evropian?

Me pak humor dhe ironi shpesh ju them kolegëve në parlament se: “Shyqyr që kemi këtë procesin e integrimit ne Bashkimin Evropian…! Çfarë do bënim pa të!?”

Realisht pa këtë proces, jashtë çdo ironie, jeta shqiptare do të ishte kthyer në një rrokanisje administrative palësh ku standardet dhe stacionet e ecjes do rrezikonin të ishin thjesht një ëndërr pijanecësh. Në varfërinë politike të Tiranës procesi i integrimit në BE krijon tek e fundit një debat të vërtetë për atë që bëhet mirë ose keq… Ose edhe që nuk behet fare. Po ecim ngadalë. Prevalojnë interesat politike. Pse? Sepse nuk kemi një klasë politike të aftë të shfaqet si përkthyese e kohës dhe dramave që ajo mbart. Po të dëgjosh politikën e mazhorances duket sikur në Shqipëri nga 2005 ka nisur një “festë” pa fund…Nga opozita ke Hamletin në dialogun e famshëm: “Të jesh, a të mos jesh”… Dhe historia vazhdon në konsumin e “grisë” së të përditshmes, manipulimin mediatik dhe denatyrimin e shpresës…

Polarizimi i skajshëm i skenës politike a po e pengon Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik, por edhe në proceset e tjera integruese evropiane?

Jo! Do i rrisnim vlerën mediokritetit, po ta pranonim këtë. Është çështje kostoje në se do flisnim në terma historikë. Vonesa nuk është pengesë. Shqiptarët e kanë edukatë të brendshme të qenit të duruar. Mungesat i kanë parë si prova të mosasimilimit.

Tani ky rrezik i fundit është shmangur, por vetitë i ka lënë për këtë ballafaqim me veten.

Integrimi është padyshim një proces i njohjes së vetvetes dhe të metave tona po ashtu. Rruga e rikonsiderimit luajal të tyre pa përbuzur veten, duke i kuruar ato, do të na shpjerë drejt identitetit me të cilin do zëmë vendin të cilin në tryezën evropiane nuk mund të na e zërë kushtjetër.

Ditëve të fundit çështja e çimentos Kosovë- Shqipëri, shkoi deri aty sa pozita kosovare e bojkotoi seancën në Parlamentin e Kosovës, ndërkohë që menjëherë u shkarkua deputeti Emin Gërbeshi i Aleancës Kosova e Re, vetëm pse kërkoi mocion për z. Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ndërkohë mediet kosovare shkruajnë për një marrëveshje nën rrogoz midis dy kryeministrave Berisha-Thaçi! Si e vlerësoni këtë moment?

Mimozën e njoh nga larg dhe ruaj respekt të veçantë për aftësitë që ajo ka shfaqur edhe në publik. Nuk kam detaje për “krizën e çimentos” por e ndjej se ministrja e Kosovës po bën një politikë agresive… Me syrin e përvojës personale mendoj se Kosova ka të drejtën e zotit t’i kërkojë Shqipërisë, të parës dhe më shumë se shteteve të tjerë, respektimin e parimit të “paritetit” dhe reciprocitetit. Kosova nuk është “fermë” e Shqipërisë. Por! Kam një “por”!…. Mendoj se ndërkaq me dashamirësi do të këshilloja si një mik i vjetër i Prishtinës, se transparenca e shpjegimit të çdo problemi teknik me Shqipërinë duhet trajtuar me qetësi. Çdo vakum informimi do ngjallë keqkuptime dhe thashetheme. Sidomos këto të fundit besohen shpejt përballë një realiteti detyrues për bashkëpunimin midis qeverive të vendeve tona…Engjëjt nuk flenë shpesh në Tiranë. Kjo më shtyn të mendoj se situata duhet menaxhuar me kujdes dhe jo vetëm me marrëveshje xhentëlmenësh.

Kosovës dhe Shqipërisë i duhet një kornizë ndër më liberalet në bashkëpunimin dypalësh. Është në disfavor të një mungese edhe përvoje dypalëshe, por e justifikuar, fakti që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve midis dy vendeve tona nuk është si ai i një standardi të brendshëm të Bashkimit Evropian. Nuk besoj se Mimoza pret që të vijë në Tiranë një qeveri e cila të ngrejë “institucione paralele” në Gjakovë dhe pastaj mallrat nga Shqipëria të hynë si ato nga Serbia në veri të Kosovës…Sigurisht, që jam duke bërë humor!

Ministrja Mimoza Kusari-Lila, e cila duket se ka krijuar “një krizë” midis dy vendeve tona, në fakt, na tregoi sa të vonuar jemi përballë njëri-tjetrit. Shqipërisë i takon të mbajë pjesën më të madhe të kësaj përgjegjësie!

Kriza ekonomike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë veç ka trokitur në derë. Si e sheh PS-ja, daljen nga kjo gjendje, pasi dihet që Qeveria e Republikës së Kosovës është një kopje e zbehtë e Qeverisë shqiptare kur të kihet parasysh se përqendrimi i investimeve të dy qeverive është kryesisht në dy segmente; në ndërtimin e rrugëve dhe objekteve shkollore?

Jam i rezervuar në “receta”. Në administrim, unë i përkas shkollës konservatore. FMN dhe Bankën Botërore nuk i kam trajtuar si “nxënës” i tyre por si partnerë dhe këshillat ja u vlerësoja mbi çdo gjë.

Doktori që ne kemi aktualisht kryeministër në Tiranë nuk para i pëlqen “vizat e kuqe” që këto institucione ndërkombëtare i kanë vendosur Shqipërisë për borxhet.

Në 100 vjet shtet, nuk ka pasur qeveri që për kaq vjet sa ka kjo aktualja e doktor Berishës të ketë marrë kaq shumë borxhe. Kryeministrit të Tiranës i pëlqen risku i “kufirit”, aq sa në konferencën e shtypit më të fundit deklaroi se “vija e kuqe” e FMN i dukej “portokalli”…

Në Tiranë borxhi po blen suksesin dhe suksesi po blen votat. Kjo sigurisht që do e ketë një fund. Aktualisht, Shqipëria ka nxjerrë në privatizim sektorin energjetik, sektorin e fundit strategjik të paprivatizuar. Bëhet fjalë për Albpetrolin dhe hidrocentralet. Janë paratë e fundit që testamenti i kohës i ka lënë Shqipërisë…Delegacioni i FMN do të vijë shpejt me këtë “ritëm zhvillimi” në Tiranë. Pyetja e vetme është: “Kur?” Uroj të mos ndodhi, por e di që është veç një urim…

Si i vlerësoni proceset nëpër të cilat po kalon Kosova?

E konsideroj një situatë delikate. Kosova po përjeton momentet e krijimit të “precedentëve” të saj. Faktorët e gjeopolitikës po e vendosin atë ngadalë por bindshëm në balancat rajonale. Prevalon trekëndëshi Tiranë-Stamboll-Zagreb. Secila qendër ka interesat e veta, por Prishtina duhet ta “shijojë” komoditetin e këtij trekëndëshi.

“Kundërshtarët” gjeopolitik të Beogradit, konkurrentët tregtarë të tij po ashtu dhe rivlerësuesit e faktorit shqiptar në rajon e shikojnë Prishtinën si faktor “genuin”.

Ombrella e NATO-s dhe e ShBA në Kosovë bën që kufiri me Serbinë të duket shpesh si muri i Berlinit gjatë “luftës së ftohtë”, ku interesat e Lindjes përplasen me Perëndimin.

Ndërkaq nga Lindja e Mesme po vinë erërat e ngrohta të “pranverës” arabe dhe lobizmi i vjetër i politikës ish-jugosllave të “të paangazhuarve” të dikurshëm po fundoset për ti lënë vend interesave të shqiptarëve.

Mendoj se në këtë situatë, Beogradi nuk duhet nënvlerësuar por as të shihet me përmasat e Jugosllavisë. Serbët sot kanë një “hall” me shqiptarët dhe anasjelltas. Brenda mendjes së një serbi të zgjuar, që historia i ka dhuruar një shkollë të shkëlqyer pragmatizmi, me llogarinë time, kanë filluar të bëhet kalkulimi për të ardhmen. Ai fillon me pyetjen se: “Sa kushton armiqësia e “re” me shqiptarët dhe sa vlen e paprovuara në marrëdhëniet dypalëshe(?)…” Nuk duhet harruar se zgjuarsia dhe radikalizmi serb distancën e takimit e kanë goxha të gjatë. Serbët e vlerësojnë luftën, por edhe marrëveshjen, kur binden se e para kushton më shumë. Për momentin, meritojnë respekt të distancuar dhe mosbesim. Kosova ja ka ofruar të dyja!

Po kontributi i Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë në fushën e njohjeve për Kosovën?

Qeveria aktuale e Shqipërisë ka bërë punën që duhet dhe do të bënte çdo qeveri shqiptare. Këtu mos prisni të bëj “opozitarin”. Kjo është një politikë ku Tirana zyrtare merr merita për konstruktivitetin rajonal dhe forcon krahun lindor të sigurisë së saj kombëtare. Falë edhe kësaj diplomacie permanente që nuk ka njohur që nga 1999 dallime esenciale, vende si Maqedonia, Mali i zi dhe Bullgaria janë duke dalë nga “ambiguiteti” në marrëdhëniet me faktorin shqiptar, (Sofja pak më shumë edhe për interesat e veta). Greqia po ofrohet me politikën e faktin e kryer në marrëdhëniet me shqiptarët. Për njohjen formale të Kosovës do presim interesin grek dhe nuhatjen që e kanë si rrallë kush.

Gjërat po rrjedhin me shpejtësi nën lëkurën e kohës. Aleatët tanë Britanikë dhe Amerikanë na konsiderojnë pjesë të historisë së tyre të suksesit. Roma është ajo që ka qenë gjithmonë. Thjesht, dhe vetëm mike. Buzëqeshja historike e Vjenës, dashamirësia e Berlinit, dhe Franca që po regjen shqiptarët…Moska po na studion. Pekini na njeh dhe do lëvizë më më shpejt se kjo e fundit. Shkurt! Na presin kohë interesante…

Luteni të mos e kuptoni për kompliment, por nuk ka dyshim se personaliteti Juaj në Kosovë çmohet lart. Çfarë po ndodh me proceset më të reja brenda PS-së?

Partia Socialiste po fillon përgatitjet për zgjedhjet e 2013. Tetë vjet në opozitë ishte një “fiskulturë” jo e lehtë. Bërja e dallimit me atë që ekziston si qeverisje aktuale është shqetësimi ynë kryesor.

Edi Rama duket se nuk ka se çfarë të ofrojë më për PS-në. Në të dyja shtetet si në Kosovë dhe në Shqipëri, liderët politikë mbeten të palëkundur qoftë edhe kur i humbasin zgjedhjet. Që të dyja shtetet janë ende me demokraci të brishta, ndërkohë morali i liderëve shqiptarë për të dhënë dorëheqje ende nuk duket në horizont. Si i vlerësoni këto momente kyçe?

Politika, ashtu si piktura, është art. Në art, dramat si rregull të nxisin për më shumë. Edi Rama është një politikan jokonformist dhe produkt i kohës së tij. Ka përballë “bastin” e jetës dhe që është ndryshimi i statuskuosë në Shqipëri… Sigurisht, edhe daljen në pension të një elefanti të vjetër politik si Berisha… Unë jam në krahun e ndryshimit… Kur ky të ndodhë, e di që do jem i mërzitur me këtë fakt. Pasardhësit e Berishës nuk do kenë përmasa “elefanti”. Do japim e marrim me “dhelpra”…

Si e sheh lëvizjen e ish-kryetarit të PS, Fatos Nano?

E ndjej që do t’ju jap një përgjigje që do e nxisë lexuesin të pyesë “Çfarë donte me thënë me këtë përgjigje?!”…Arsyeja është e thjeshtë, pasi Fatosin unë e vlerësoj me të mirat dhe të këqijat për vendin që ai zë në memorien time. Prandaj, më duket se mospërgjigjja ka më shumë kuptim.

Këtë vit shënohet 100 vjetori i themelimit të shtetit shqiptar. Cilat në fakt do të duhej të ishin prioritetet e shqiptarëve në këtë ngjarje historike dhe si e vlerësoni ju reflektimin e dy shteteve dhe personaliteteve më të shquara në të dyja shtetet?

Nuk e di! Përgjigjen pranojeni si të ishte e një fëmije! Kjo edhe për faktin se i tillë ndihem para një historie si kjo e jona. Ajo është një ajsberg i vërtetë që na fton me tragjizmin e saj të thellë ta njohim…dhe ta kuptojmë edhe më shumë!

Por, një këshillë të kokulur e kam! Do ti ftoja djemtë dhe vajzat e Kosovës, për ata që munden sigurisht, që në datën 28 nëntor të vinë në Vlorë…Janë pasardhës të një burri si Isa Buletini që la dikur Kosovën nën flakët e ushtrisë serbe dhe ju ndodh në krah shtetformimit dhe ngritjes së flamurit kombëtar nga Ismail Qemali. Udhëtimi nga Kosova drejt Vlorës, do jetë si një ëndërr përmes Mirditës për të zbritur në Labëri…Si për të na kujtuar tre “bazat” e ushtarëve më të mirë që ka Armata e Shqiptarisë në çdo kohë…Jam i bindur se njëjta gjë do të ndodhi edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës…Ju them me bindje: –

Ku është Shqipëria sot pas 100 vjet të themelimit të saj si shtet?

Me gjithë mërzitjet e politikës, në pikëpamje të rrugëtimit historik shqiptarët po jetojnë gati “ëndrrën”…Jeta e shumëfishtë e tyre po perëndon dhe bota shqiptare po konturohet siç ajo ekziston.

Kjo që po ndodh nuk është dhe aq e thjeshtë, se si thonë të vjetrit e mira nganjëherë “të vret” më shumë se e keqja. Por unë jam optimist. Sensi i vetekuilibrimit është ndjesi e lindur tek shqiptarët. Ne po ecim ngadalë dhe nganjëherë “në majë të gishtave” a thua se kemi frikë se do na dali gjumi dhe realiteti do bëhet ndryshe.

Brezi i ri 20 vjeçarëve i cili sheh i habitur traumën kolektive të shoqërisë shqiptare, në një botë të ndryshuar, dhe “habia” e tyre është thuajse një bekim për këtë 100 vjetor…Ata janë kapitulli i ri për historinë dhe postdramën shqiptare.

Viteve të fundit e veçanërisht këtë vit të përvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, si asnjëherë më parë nuk është vënë në pah bashkimi i shqiptarëve. Ka të ngjarë që në qarqet politike të shqiptarëve këndej e andej kufirit politik po diskutohet me rezervë dhe shpesh edhe padashje po trajtohet edhe si tabu temë. Si e vlerësoni ju këtë dhe pse me kaq frikë përfaqësuesit e të dyja shteteve flasin për bashkimin shqiptar?

Pse qenka “tabu” kjo temë nëse ajo diskutohet hapur!? Ta konsiderosh “tabu” një temë si ajo e “bashkimit të shqiptarëve” minimalisht është inferioritet…Politikës i duhet të përballet qetësisht. Pyetja e ftohtë ndaj “tabusë” është: “Si?”…Një rrokje që ndan realitetin dhe ëndrrën dhe fton qetësisht logjikën të diskutojë një “tabu” e cila nuk ka pse trajtohet si temë e “ndaluar”. Në se nuk e bëjmë dot sot, kur do e bëjmë?!

Politikani, ose ai që tenton të bëhet i tillë, detyrën e parë “të pashkruar” ka përpjekjen që të lidh “ëndrrat” me realitetin. Gojëtaria dhe projekti, veprimi dhe “reaksioni” zinxhir i veprimeve të njëanshme janë pjesë e diskutimit të “tabusë”. Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim nga ky projekt? Pse u dashka të heshtim vallë?!…Historia nuk është bust plasteline. Në Ballkan, ajo ka lënë një kumt sa edhe rregull të pashkruar e cila ka nxjerrë të humbur cilindo që nuk e ka respektuar. Ai është: “Mos rreziko të nevojshmen, për të fituar të tepërtën”…Kushdo që e ka sfiduar këtë rregull, ka humbur! Përjashtim ka bërë veç lëvizja për liri kombëtare. Sot shqiptarët janë “lojtarë” e jo “skllevër” dhe rregulli është përballë tyre dhe i pandryshuar.

Ka edhe diçka tjetër e cila është më pak e dukshme. Pse elitat politike shqiptare refuzojnë ta diskutojnë “tabunë” e bashkimit të shqiptarëve?! Dhe ka një përgjigje, edhe njerëzore. Ajo është fakti që koha ka rrjedhur dramatikisht shpejt. Elitat shqiptare janë kaq të reja dhe kaq të papërgatitura po ashtu. Mos harrojmë se vite më parë Berisha ishte një doktor zemre, Edi Rama pedagog pikture, Hashim Thaci dhe Ali Ahmeti ishin anëtarë të një organizate ilegale…

Sfida shqiptare sot, është konstruktimi i një bote shqiptare të ndërlidhur dhe pa ndryshim kufijsh, ku brezi i ri i shqiptarëve të mos ndjejë krizë identiteti dhe ti shohim politikanët e vet si “dinosaur” të një kohe të mbaruar…

Nuk mund t’i qëndrojmë “tabusë” përballë pa kuptuar dramat dhe ëndrrat e 20 vjecarëve. Sot, “tabuja” e vërtetë, është pafuqia e politikës për të dhënë përgjigje të kuptueshme. Nuk harroj, se brezi im vite më parë refuzoi realitetin e politikanëve pa “përgjigje” të komunizmit dhe “përktheu” kohën të cilës i takonte…

Viteve të fundit e kemi parë një përafrim të “panatyrshëm”, midis Partisë Demokratike të Shqipërisë që është parti e spektrit të djathtë dhe Partisë Demokratike të Kosovës që i takon spektrit të majtë. Në ç’prizëm e shihni këtë përafri, jo rrallë të çuditshme?!

(Qesh) Po pse qenka i çuditshëm dhe i panatyrshëm një marrëdhënie e tillë. A ka kohë sot, Kosova dhe Shqipëria që të presin për tu qeverisur nga “bashkë-vëllezërit ideologjik”, për të ndërtuar partneritetin strategjik midis vendeve tona?! Midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka pasur dhe nuk do të ketë majtistë dhe djathtistë, por vetëm interesat e përbashkëta që dy “siamezët” ballkanik do t’i ndjekin derisa të ketë shqiptarë në këtë anë të botës…

Diçka që nuk ju kemi pyetur dhe keni për të thënë?

Në shtator do vij në Kosovë të çoj nipin në shkollë. E kam surprizë. As për fëmijët e mi nuk kam pasur kaq emocion…Brenda nipit tim, Pirros, fle “Shqipëria e Madhe”…Varianti i tim vëllai. Sigurisht!