Rasmussen siguron Jahjagën: Nuk ka ndarje të Kosovës

0
38


TemA, 19 Korrik 2012

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua në Selinë e NATO-s në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përgëzoi presidenten Jahjaga për lidershipin e saj. Ai tha se presidentja Jahjaga, qëndron si garantues i vlerave dhe principeve bazë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe barazisë qytetare, principe këto mbi të cilat po ndërtohet Kosova.

Ai gjithashtu i dha mbështetje presidentes për rolin e saj në heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga kodi penal i Kosovës, duke mundësuar kështu lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të mediave.

Rasmussen e përgëzoi presidenten Jahjaga, për përfundimin me sukses të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke vlerësuar këtë si një hap përpara për Kosovën, si dhe përgëzoi punën e FSK-së, në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale në realizimin e mandatit të saj.

Rasmussen tha se KFOR-i do të qëndrojë edhe më tej në Kosovë si garantues i paqes dhe i stabilitetit. Duke theksuar se zgjidhja e çështjeve në tri komunat e veriut është politike dhe në këtë drejtim e përgëzoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj në komunikimin me të gjitha komunitetet.

Sekretari Rasmussen, e siguroi presidenten Jahjaga se nuk ka ndarje të Kosovës, por zgjidhja është në integrimin e plotë.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin e NATO-s, Rasmussen për angazhimin e tij personal dhe për punën e të gjithë atyre burrave dhe grave të KFOR-it, që po e bëjnë në Kosovë.

Duke folur për situatën e përgjithshme Presidentja Jahjaga, theksoi se Kosova si shtet sovran dhe i pavarur është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe zhvillon marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe këso marrëdhëniesh dëshiron që të ketë edhe me fqinjin verior Republikën e Serbisë, sepse e ardhmja e gjithë rajonit është në integrimet Evropiane dhe këtu arrijmë duke e ndihmuar njëri tjetrin./KD