Grindjet Feudale në Shkodër (1733-1737)

0
25

Historia e Shqipërisë – Pashallëku i Shkodrës

Në fillim të shek. XVIII, sanxhaku i Shkodrës zinte një vend të rëndësishëm në territoret turke të Ballkanit, për arësye të pozitës së ekspozuar në bregdetin e Adriatikut në kufi me zotërimet e Venedikut në Dalmaci, dhe si bazë operacionesh kundër malsorëve shqiptarë e malazezë që ishin në lëvizje të vazhdueshme kundër Turqisë. Nga pikëpamja administrative sanxhaku i Shkodrës tani ndahej në 6 kaza: në atë të Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Plavës dhe Malit të Zi, dhe në disa nahije nga të cilat nahija më kryesore ishte ajo e Lezhës.

Qysh në gjysmën e parë të shek. XVIII, anarkia feudale plasi me furi, edhe në sanxhakun e Shkodrës. Ajo solli si pasojë ç’thurjen e krejt organizimit administrativ të mëparshëm. Në vitet e para të këtij shekulli Mali i Zi, në sajë të luftës së pandërprerë të popullsisë së tij, u shkëput nga vartësia e mytesarifit të Shkodrës, si dhe nga kontrolli turk dhe u kthye në fakt në një krahinë të pavarur. Më vonë, agallarët e Ulqinit, pronarë anijesh e kantieresh, pasi i vranë autoritetet e kazasë, u shkëputën edhe nga kontrolli i Shkodrës.

Brenda në Shkodër dy familje të mëdha feudale shkodrane, ajo e Çaushollajve dhe e Bushatllijve, si dhe feudalët e mëdhej të Pejës Begollajt, disa prej të cilëve ishin vendosur në Shkodër qysh në fund të shek. XVIII, lakmonin secila për vehte sundimin e sanxhakut. Masa e zejtarëve ishte e përçarë edhe ajo në dy tarafe, në tarafin e Tabakëve dhe në atë të Terzive. Pjesa e popullsisë katolike të qytetit, e lidhur pas kryepeshkopatës së Tivarit, mbante një qëndrim me vehte, sipas rastit. Në rivalitetet dhe grindjet midis oxhaqeve e tarafeve morën pjesë gjithashtu oxhaqet e pashallëqeve fqinje, agallarët e Ulqinit si dhe bajraktarët dhe malsorët e rretheve të afërta. Stambolli me ndërhyrjet e veta i acaronte ose i zbuste konfliktet e brendëshme dhe të jashtme të Shkodrës.

Rreth vitit 1730, sundimin në Shkodër e kishin feudalët e oxhakut të Begollajve të emëruar nga sulltani, të cilët u mbështetën te tarafi i Tabakëve. Rivalët e tyre, feudalët e oxhakut të Çaushollajve, u bashkuan me esnafët e tarafit të Terzive. Me politikën e tyre tiranike, Begollajt shkaktuan pakënaqësinë e tregëtarëve shkodrane, agallarëve ulqinaikë dhe malsorëve katolikë.

Më 1733 dhe 1737, kur Mahmut Pashë Begolli, mytesarifi i Shkodrës u largua për në frontin e luftës, në Shkodër plasën grindjet feudale midis oxhaqeve, të ndihmuara nga tarafet e tyre. Grindjet vazhduan deri sa në shkurt të vitit 1739 oxhaku i Çaushollajve së bashku me tarafin e Terzive dhe me  përkrahjen e malsorëve katolikë, të tregëtarëve shkodrane dhe të agallarëve ulqinakë, vranë Mahmut Pashë Begollin, morën fuqinë në dorë dhe siguruan fermanin sulltanit për emërimin e Jusuf Çaushollit mytesarif në Shkodër.

Por edhe sundimi i Çaushollajve nuk qe i qetë dhe nuk vazhdoi gjatë. Sapo Jusuf Pashë Çausholli u largua edhe ai me ushtritë e veta më 1745 për në frontin e Persisë, Tabakët të nxitur nga Begollajt që ishin tërhequr në Pejë, rifilluan luftën e armatosur dhe për 3 vjet, më 1748, siguruan nga Sulltani dekretin për emërimin e një pinjolli Begollaj me detyrën e mytesarifit të Shkodrës. Luftat feudale vazhduan edhe në vitet e mëvonëshme. Brënda 3 vjetëve, sundimi i Shkodrës kaloi me lufta disa herë prej Begollajve te Çaushollajt.

Anarkia feudale në Shkodër u thellua edhe me tepër, sepse oxhaku i Çaushollajve, pasi siguroi më 1751 sundimin, u përça në dy tararfe që hynë në luftë midis tyre. Kjo u dha rast Tabakëve dhe Begollajve të ngrinin krye përsëri më 1754 dhe të merrnin në dorë fuqinë. Për të shuar konfliktet që po acaroheshin përhere e më tepër, sulltani emëroi më 1755 mytesarif në Shkodër një feudal jo shkodran, Omer Pashë Kavajën. Po atë vit Omer Pasha me ndihmën e Tabakëve, të cilët në këto vite udhëhiqeshin nga Mehmet Bushatlliu, i theu Çaushollajt dhe Terzitë.

Me 1756, kur Omer Pashë Kavaja u largua nga Shkodra, Mehmet Çausholli u përpoq të merrte përsëri sundimin e sanxhakut. Por këtë radhë ai ndeshi në qëndresën e udheheqësit energjik të Tabakëve, Mehmet Bej Bushatlliut, i cili theu kundërshtarët e vet pa ndihmën e Begollajve dhe u bë në fakt sundimtar i Shkodrës. Si dhe në raste të tjera, sulltani i dërgoi atij titullin pashë dhe fermanin e emërimit mytesarif. Me ardhjen në fuqi të Mehmet Bushatlliut, filloi për krahinat e Shkodrës dhe për krahinat e tjera të Shqipërisë veriore periudha gati 75 vjeçare (1757-1831) e sundimit të Bushatllijve.