Imami: Nuk do lejoj kontrollin në ministri pasi parlamenti po tejkalon limitet

0
62

TemA Online, 18 Korrik 2012

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka mohuar akuzat e opozitës se përgjohen deputetët e opozitës dhe ambasadorët. Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të sigurisë, Imami kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar në lidhje me akuzat e opozitës për përgjim.

“Nuk ka të tilla gjëra, por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, do të duhet të ngrihet një komision me njerëz të besuar që të betohen për sekretin dhe të dalin me deklaratë të përbashkët. Të ngrihet komision, drafti është gati dhe të vërtetohet që ne nuk punojmë në këtë drejtim, punojmë kundër terrorizmit me ushtri të NATO-s. Nuk i kemi këto kapacitete. Sa i takon provokimeve që janë përgjuar edhe diplomatë nuk shkon, nuk jemi në kohën e traktatit të Varshavës, por edhe kjo tullumbace e dytë do të plasë”, tha Imami, raporton Ora News.

Imami theksoi se kontrolli parlamentar nuk është një çështje e ministrisë, por dhe parlamenti duhet t’i ketë të qartë kufijtë dhe limitet e tij.

“Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, por shkelja e limiteve të tij është një precedent i keq dhe unë si ministër nuk do ta lejoj,” u shpreh Imami.

Imami gjithashtu theksoi se tashmë është shfryrë edhe tullumbacja për trafik armësh duke vërtetuar se akuzat e opozitës janë false.

“Unë zbatoj ligjin, raportoj për çdo shitje armatimi tek kryeparlamentarja, tek kryeministri dhe presidenti i Republikës. Të gjitha shitjet janë prioritet kombëtar dhe unë dua ta kryej pasi është e domosdoshme”, shtoi Imami

Ndërsa i është referuar kontrollit parlamentar në ministri, Imami tha: “Çështja e kontrollit është çështje e parlamentit. Kuvendi duhet ta ketë të qartë limitet e tij. Unë mirëpres çdo lloj pyetje nga çdo deputet, po shkelja e limiteve është precedent i keq”.

Ndërsa deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, ka theksuar se opozita arriti të imponojë kërkesën e saj për kontroll në ministrinë e mbrojtjes duke shtuar se vërehet një tërheqje për të shmangur kontrollin.