Berishës i ‘qan zemra’ për viktimat e korrupsionit: Ta heqim imunitetin për të papunët e të varfrit

0
44

TemA, 18 Korrik 2012

Kryeministri mbajti një hartim sot me nota pikëllimi për pensionistin që imuniteti i zyrtarëve e pengon të marrë me shumë para. Kryeministri e quajti një çështje jetike imunitetin dhe deklaroi se ai është gjeneratori kryesor i korrupsionit

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e qeverisë duke folur për bujqësinë, si një potencial shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe zbutjen e papunësisë. Berisha ftoi vendorët që të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara në territorin e tyre t’u jepen atyre që kanë dëshirë dhe vullnet për të punuar. Ai tha se në këtë mënyrë nuk humbet pronësia, por jepet toka kundrejt një takse. Berisha tha se toka mund të jepet me një taksë simbolike aty ku është djerrinë.

Berisha i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë të mbikëqyrë këtë proces. “Toka duhet tu jepet atyre që e punojnë, jo atyre që i kthejnë shpinën,” deklaroi Berisha.

Gjithashtu kryeministri ka kërkuar sot zbatim të ligjit për kthimin e banesave në adresë të pronarëve të tyre. “Ne u ofrojmë përdoruesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Ne kemi mbi 2 vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku nuk funksionon skema”, tha Berisha.

Sipas tij, ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to dhe të gjitha duhet të jenë objekt denoncimesh në prokurori. “Përpjekjet për t`u përvetësuar pronarëve shtëpitë janë të jashtëzakonshme. Ligji do parashikojë që nëse brenda një fati të përcaktuar bashkia nuk e zbaton ligjin, do ndërhyjë enti dhe do të zbatojë ligjin. Nuk mund të shkohet më me pronarët në këtë mënyrë”, shtoi më tej kryeministri.

Më pas kryeministri vuri maskën e njeriut të dhembshur dhe nisi të flasë për heqjen e imunitetit.

Njeriu që ka dy mandate në pushtet dhe që ka në krah të tij peshkaqenët e korrupsionit, më të mëdhenjtë që ka njohur historia e shtetit shqiptar, tha se Ramën e pengon klubi i miliarderëve të votojë heqjen e imunitetit.

“Është njëmijë herë më mirë të dëgjosh zërin e të papunit që sot nuk e di se ç’do tu japë nesër fëmijëve të tij sepse korrupsioni ua merr atyre kafshatën nga goja, të dëgjosh më mirë një nënë që ka humbur bashkëshortin dhe rrit dy fëmijë jetimë sepse korrupsioni pengon që fëmijët e saj të kenë një trajtim më dinjitopz dhe më të mirë. Mendoj se më mirë të dëgjosh zërin e pensionistit që qan pa lot çdo ditë sepse ka dhimbje për përballimin e jetës së përditshme me pensionin që merr, sepse imuniteti e pengon që të marrë më shumë. Nuk mund të gjej kurrë një motiv për të penguar heqjen e tij.

I bëj thirrje dhe një herë zotit Rama ta mendojë dhe rimendojë se kjo që bën është tmerrësisht e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. Është një mur që ngrihet në procesin e integrimit. Detyra jonë është ta shembim atë, jo ta ngremë. Por në rrafshin njerëzor çfarë është imuniteti? Gjenerator kryesor i korrupsionit, i pabarazisë së qytetarëve, dhunimit të të drejtave të tyre,” tha Berisha.