ResPublica.al, 17 korrik 2012
Në një intervistë për Shqipin e sotëm, Arbën Xhaferi del në mbrojtje të standadit të shqipes, dhe është disi i shock-uar nga mendjelehtësia sektare me të cilën trajtohet ky problem (shih opinionin e tij me titull ‘Komunizmin e lavdërojnë kur e sulmojnë për standardin e shqipes’, të publikuar në respublica.al; në fakt, është një pjesë nga intervista e tij, që ne e kemi veçuar si opinion).
Por po në këtë intervistë ai cek dhe çështjen ‘Qosja’. Më saktë, është gazetarja Oliverta Lila që i bën pyetjen: “Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është folur shumë për një ftesë të munguar të Akademisë së Shkencave për akademikun Rexhep Qosja. A keni një reagim për këtë rast?” Dhe Xhaferi përgjigjet: “Profesor Qosja gjithsesi nuk është i rehatshëm. Ai është polemist i lindur dhe nuk i duron situatat ku ai duhet ta luajë rolin që dikush tjetër ia cakton.
Ndjenja e tij për dinjitet dhe integritet është shumë e zhvilluar, kështu që ai nuk përton që të polemizojë me ata që sipas tij kanë qëndrime të gabueshme. Mendoj se kriteret që manifestojnë cilësinë e kulturës së tij, postulatet e tij morale, i krijojnë më shumë probleme atij se sa shoqërisë shqiptare. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndaj kulturës dhe kauzës shqiptare, mendoj se duhet të tolerohet, të pranohet ashtu si është ai dhe jo si e parapëlqejnë të tjerët.”
Re.Pu.
————————————- intervista —————————–
Arbën Xhaferi: Militantët e ndryshimit të standardit po rrënojnë identitetin
Intelektuali dhe mendimtari i njohur bën një analizë me tone të forta kritike mbi debatin për gjuhën, për ndryshimin e standardit, për unitetin kombëtar dhe për trajtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë ndër shqiptarë
“Rexhep Qosja duhet pranuar si është, jo siç e parapëlqejnë të tjerët”
Oliverta Lila , 17 Korrik 2012
Arbën Xhaferi mendon se debati mbi gjuhën standarde shqipe është një debat i stisur nga një grusht njerëzish që duan të lëkundin të vetmen vlerë identitare të mbetur pas viteve ’90. Intelektuali dhe mendimtari i njohur në një intervistë për gazetën “Shqip” flet me tone kritike për ata që i quan “militantë” të ndryshimit të standardit, për prapavijën politike që qëndron pas dhe për realitetin që po jetojnë shqiptarët. Duke iu përgjigjur pyetjes mbi mungesën e ftesës për Rexhep Qosen në akademinë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë, Xhaferi thotë se ai është një polemizues i përhershëm që nuk pajtohet, por duhet pranuar ashtu siç është për kontributet që ka dhënë.
Zoti Xhaferi, pak kohë më parë, prof. Emil Lafe foli për një përçarje gjuhësore (Shqipëri e Kosovë), e ushqyer nga Akademitë Përkatëse të Shkencave. A konstatoni të njëjtin problem?
Nuk di saktësisht se çfarë ka thënë në deklaratën e fundit prof. Lafe, por jam i sigurt se e ka thënë me përgjegjësi. Nuk besoj se mund të paraqiten dy blloqe gjuhëtarësh të formuar, përkatësisht të përçarë mbi baza rajonale. Ka qenë dhe ashtu do të mbetet: standardi gjuhësor që luan rolin e indit ndërlidhës kombëtar, do të ketë më shumë përkrahës te shqiptarët jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Ndonëse, në 20-30 vitet e kaluara arsimi në gjuhën shqipe pësoi rënie të vazhdueshme, megjithatë nuk u gjunjëzua dhe sot bashkë me TV-të publike dhe sistemet e tjera informative publike apo private, janë bërë bartëse e inkulturimit edhe gjuhësor të shqiptarëve.
Në sistemet demokratike, për shkak të lirisë së fjalës, çdo gjë mund të shndërrohet në problem. Një grup, ose thënë më saktë një grusht njerëzish të organizuar mirë, mund të krijojnë përshtypjen se diçka e kalbur qenka në themelet mbi të cilat ndërtohet Shqipëria. Ata paraqiten zhurmshëm në opinion, paralajmërojnë kriza sikur të ishin vetë kalorës apokaliptikë dhe ofrojnë zgjidhje të menjëhershme: ndërrimin e identitetit.
Aktualisht, tema e parapëlqyer e atyre që dëshirojnë të imponojnë qasjen “kritike” në vlerësimin e proceseve politike, historike, shoqërore në përgjithësi, është vlera e vetme gjithëkombëtare që na mbeti pas rrënimeve shkurtpamëse të viteve të ‘90, gjuha e standardizuar shqipe. Në ligjërimet e tyre gjuha standarde shqipe trajtohet si një vlerë ordinere, duke mohuar rëndësinë strategjike të saj në kombformim, shtetformim dhe rrjedhimisht në krijimin e kohezionit të pazëvendësueshëm kombëtar. Hapja e temave më të rëndësishme kombëtare nga qarqe joformale është guxim i madh ose mungesë brengosëse e vetëdijes për peshën dhe rolin rrënues të këtyre kontestimeve. Lidhur me pyetjen tuaj kam dy probleme: mungesën e informatës për prononcimet e profesorëve të nderuar dhe me inkonpetencën time për çështje gjuhësore…
Mirëpo, meqë pyetjet tuaja janë të natyrës politike (ato në këtë fazë mund të jenë vetëm të tilla), mora guximin që këto çështje t’i komentoj nga këndi i politikës. Vërejtjet legjitime dhe kryesore e individëve të ndryshëm, qofshin ato të drejta, qëllim mira apo hileqare, kanë të bëjnë me natyrën politike të vendimmarrjes. Ata thonë se vendimi për njësim të të folmeve, të dialekteve dhe krijim të një gjuhe të njësuar(unike) paska prapavijë politike?! Gjithkund në botë këto vendime merren në institucione politike. Kritikuesit e ndërlidhin idenë e standardizimit me politikën, ngaqë për ta nocioni “politikë” ka konotacion negativ. Mirëpo, vendimmarrja për standardizim të një gjuhe gjithmonë ka qenë politike, të paktën derisa nuk zgjidhet kodi i njësimit.
Nëse ky argument nuk mjafton, atëherë shtohen etiketat e tjera, si “fryt” i komunizmit, i Enver Hoxhës, i politikës anti-shqiptare që synuaka ta eliminojë gegërishten dhe të prodhojë një gjuhë hibride. Nëse ky argument nuk krijon sasinë e paramenduar të indinjatës, të neverisë, vazhdohet me inputime, me shpifje, me etiketa të variantit “komunist, tradhtar, bashkëpunëtor…Me këto etiketime nuk besoj se arrihet diçka pos që kontaminohet atmosfera brenda një shoqërie. Pra, krijimi i gjuhës standarde është vendim “par excellence” politik, i domosdoshëm në zhvillimin kombëtar, i pazëvendësueshëm në procesin e shndërrimit të një populli në komb.
Sot popujt më të zhvilluar të botës, amerikanët, anglezët, francezët, gjermanët, skandinavët, italianët, hebrenjtë, pastaj turqit, arabët… i kanë standardizuar gjuhët e tyre, kështu që nuk kanë më probleme në komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm, as me refuzim të zbatimit të idesë që do të krijonte përçarje të pariparueshme dhe gjithsesi destabilizuese, të shoqërisë, të kombit, të shtetit. Anglishtja, bie fjala, përdoret në të katër anët e botës. Ruajtësit e standardit janë institucionet, qofshin ato amerikane, angleze, kanadeze, jug-afrikane, australiane, etj.
Gjermanët, austriakët, zviceranët, edhe pse jetojnë në shtete të ndara, kanë krijuar një këshill të përbashkët gjuhësor, që vazhdimisht e mbikëqyr ndërveprimin gjuhësor, duke ruajtur me xhelozi cilësinë dhe pastërtinë e gjuhës gjermane. Hungarezët e ndarë në disa shtete janë edhe më radikalë, ndërkaq francezët, në kuadër të planifikimit gjuhësor, krahas kontrollit të brendshëm të përdorimit të gjuhës franceze, bëjnë çmos që t’ia kthejnë shkëlqimin gjuhës franceze. Projekti i tyre i frankofonisë, ndonëse shumë i shtrenjtë, megjithatë këmbëngulësish zbatohet.
Sllavët, më konkretisht ata jugorë, kanë përsosur mjeshtërinë e formimit të gjuhëve të reja nga mbetjet e ndryshme historike. Kjo mjeshtri e mitizimit të dallimeve të vogla, siç do të thoshte S. Frojdi, ka gjasa të formojë kombe mitike. Qesharake apo jo ky proces është në përfundim e sipër: boshnjakët kafes do t’i thonë kahva, kroatët kava, serbët kafa, ndërkaq maqedonasit, për inat të grekëve, kafen do ta quajnë tursko kafe. Shqiptarët, që kanë një milion dallime nga gjuhët sllave, do të vazhdojnë punën e Sizifit, do ta rrokullisin pareshtur gurin e fatit të tyre.
Një fjalë e urtë latine thotë: “Quius lingua eius regio” (E kujt gjuha, atij territori). Këto shprehje të urta popullore zbulojnë mekanizmin, vetëdijen e formuar të një populli për rolin e gjuhës standarde në krijimin e ndjesisë për përkatësinë e individëve ndaj një kodi të përbashkët. Ndërhyrja e politikës në këto çështje është vetëm iniciues, ndërkaq punët e tjera i kryejnë specialistët. Argumenti që përdoret nga kontestuesit që e ndërlidhin gjuhën standarde me politikë, me komunizmin ose Enver Hoxhën nuk janë të vetëdijshëm se çfarë lavdërimi i bëjnë komunizmit dhe Enver Hoxhës.
Akuzat mes gjuhëtarëve, por edhe ndaj Akademive të Shkencave përkatëse sa vijnë e shtohen. Pas 20 vitesh tranzicion, a është një stad normal ky i mendimit shkencor?
Dhe do të shtohen. Shkaku duhet kërkuar te mendësia e neglizhencës. Shpeshherë jemi të prirë që përgjegjësinë ta bartim te akademitë, te ajo e Shqipërisë dhe te ajo e Kosovës. Kjo lehtësi për transferim të përgjegjësisë te tjetri nuk e korrigjon gabimin, por e bën atë pakorrigjueshëm. Akademikët tanë nuk kanë detyrim ligjor që të merren me çështje politike, qofshin ato me rëndësi parësore kombëtare. Mungon ligji që, si në vendet tjera të përparuara dhe demokratike të Evropës, do t’i detyronte akademikët që intensivisht të merren me çështjet gjuhësore.
Një gjuhë mund të mbrohet nëse formalizohet, merr statusin e gjuhës zyrtare, nëse kodifikohet, grafizohet, pastrohet nga brenda dhe jashtë, lirohet nga neologjizmat, kalket, frazeologjitë shterpe, ndërhyrjet në sintaksën e gjuhës shqipe, etj. Njëri ndër faktorët më të rëndësishëm që i ruan funksionet dhe kapacitetet ripërtëritëse të një gjuhe është planifikimi gjuhësor, që disa e quajnë, e krahasojnë me inzhinjeringun gjuhësor.
Gjuha shqipe luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e kombformimit. Shqiptarët, të ndarë me besime fetare, me krahina që ushtrojnë presion të madh në krijimin e një spektri identitetesh antagoniste, të ndarë, madje edhe kulturalisht, janë të ekspozuar ndaj një trysnie, gati të papërballueshme që identitetin e tyre ta ndërtojnë mbi premisa, që vetvetiu prodhojnë antagonizma, konfrontime. Militantët e ndryshimit të standardit gjuhësor nuk marrin parasysh pasojat që mund të shkaktojë një ide e tillë.
Sipas jush, a duhet të ketë një diskutim mbi standardin dhe a po bëhet në kahun e duhur?
Diskutimet duhet të jenë të vazhdueshme, por vetëm në qarqet e specialistëve. Ideja e planifikimit gjuhësor kërkon kujdes, mbikëqyrje të përkushtuar mbi procesin e zhvillimit apo ngecjes, përtharjes së gjuhës shqipe. Mirëpo, gjuha, si shtrat i formimit të identitetit kombëtar, meriton një kujdes më të madh se sa një deklaratë në mediumet masive të komunikimit. Si çdo popull i qytetëruar edhe ai shqiptar duhet ta institucionalizojë kujdesin për ruajtje dhe zhvillim të gjuhës shqipe, pa të cilën nuk mund të ruhet identiteti jonë kombëtar. Mbi këtë veçori është formuar vetëdija jonë kombëtare dhe shtetet shqiptare. Të shprehem në mënyrë tautologjike: çdo debat nuk është debat, sidomos nëse ai përgatitet në margjinat e shoqërisë nga persona jo kompetentë dhe në tubime jo formale. Pa marrë parasysh etikën e motiveve, me këto çështje strategjike për një popull nuk mund të merret çdo kush.
Modeli i shteteve të përparuara demokratike duhet të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Çdo popull dhe çdo shtet duhet të krijojë politikën gjuhësore, pastaj planifikimin gjuhësor dhe, së treti, standardizimin e gjuhës. Populli shqiptar, në momente më të vështira arriti të zgjidhë një varg çështjesh të rënda gjuhësore, si është grafizimi, zgjedhja e kodit gjuhësor mbi të cilin do të standardizohet gjuha dhe në fund gjeti mënyrën për normativizim të gjuhës shqipe, pa kundërshtime shqetësuese. Shqetësimi juaj, lidhur me kahun e këtyre diskutimeve, është i kuptueshëm, por njëkohësisht jo aq real: kah tjetër nuk ka, as që mund të ketë. Sot e mot!
Mendoni se ka ngjyrime politike edhe në këtë rrafsh?
Politikë ka gjithkund dhe në çdo kohë. Kjo është normale. Por, në këtë rrafsh të diskutimit është me rëndësi të merret parasysh konteksti kohor dhe ai historik-politik. Nëse në një kontekst tjetër kohor, një ide ka pasur respekt sublim, në kontekstet e tjera shoqërore historike e njëjta ide do të perceptohej si komedi. Dikur Aristoteli i madh pat thënë se të gjithë njerëzit janë të barabartë, pos robërve dhe grave. Një mendim i këtillë sot do të vlerësohej si tallje e pagdhendur, e padenjë, që të humbet koha duke debatuar për të.
Politikanët, këta mjeshtra, që operojnë magjishëm me gjysmë të vërteta, në fillim të ligjërimit të tyre mund të mbështesin një ide, ndërkaq në fund të fjalimit të tyre mund të afirmojë ato teza me të cilat, fillimisht, ata vetë nuk pajtoheshin. Në këtë fazë historike, që mund të përkufizohet si sundim i demokracisë dhe i pluralizmit, vetvetiu janë krijuar kushte që shumë njerëz, kryesisht egocentrikë, pa hamendje të hyjnë në politikë pa ofertë reale. Që tani ka filluar procesi i seleksionimit që natyrshëm do ta pastrojë skenën politike nga ata që nuk kanë asnjë ofertë. Me këtë përfundim, njëkohësisht do ta humbë seriozitetin edhe ndërhyrja e tyre në proceset politike dhe të tjera.
A po shfrytëzohet sipas jush ky 100-vjetor i Pavarësisë për një unitet kombëtar?
Po qe se çështja e unitetit kombëtar do të varej vetëm nga dëshira e një populli që të bashkohet, me siguri shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të shërbente si shtysë për t’u afruar sa më shumë me ata që e afirmojnë këtë ide. Por, siç dihet, ky problem nuk varet nga vullneti i mirë i shqiptarëve, as nga politika që ndiqet nga ata. Vendime me peshë të këtillë nuk i takojnë kategorisë së politikës ditore, por marrëveshjeve afatgjata dhe gjithëpërfshirëse në mes të dy popujve.
Po në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është folur shumë për një ftesë të munguar të Akademisë së Shkencave për akademikun Rexhep Qosja. A keni një reagim për këtë rast?
Profesor Qosja gjithsesi nuk është i rehatshëm. Ai është polemist i lindur dhe nuk i duron situatat ku ai duhet ta luajë rolin që dikush tjetër ia cakton. Ndjenja e tij për dinjitet dhe integritet është shumë e zhvilluar, kështu që ai nuk përton që të polemizojë me ata që sipas tij kanë qëndrime të gabueshme. Mendoj se kriteret që manifestojnë cilësinë e kulturës së tij, postulatet e tij morale, i krijojnë më shumë probleme atij se sa shoqërisë shqiptare. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndaj kulturës dhe kauzës shqiptare, mendoj se duhet të tolerohet, të pranohet ashtu si është ai dhe jo si e parapëlqejnë të tjerët. Historia letrare dhe politike e shqiptarëve shënoi një rast tjetër, atë të një munguesi të madh, të Lasgushit, heshtja e të cilit ishte më kumbuese se sa zallahia e turmës. Nuk duhet të krijojmë të dytin.
Çfarë do duhet ta merrte më shumë vëmendjen e politikanëve, gjuhëtarëve, intelektualëve, por edhe mbarë shoqërisë shqiptare në këtë vit?
Të zgjidhin problemet që varen prej tyre, duke filluar prej higjienës së ambienteve ku jetojmë, veprojmë dhe argëtohemi, deri te mbikëqyrja e pastërtisë së gjuhës. Bota antike pat marrë një qëndrim që gjatë garave olimpike të ndërpritet çdo armiqësi. Do të doja që, të paktën sivjet, t’i groposim armët dhe gjuhën e urrejtjes dhe të zbulojmë te njëri-tjetri, jo vetëm cene, por edhe virtyte. Jam i vetëdijshëm se është një propozim prozaik, romantik, mirëpo shumë më pak i athët sesa realiteti ynë.
Idetë, sado të mira të jenë, vetvetiu nuk krijohen as që mirëmbahen. Ato japin kontributin e tyre, nëse u kushtohet rëndësia e duhur. Meqë tema kryesore e kësaj interviste ishte gjuha standarde dhe dilemat rreth saj, mendoj se duhet të formohet një këshill gjithëkombëtar gjuhësor, që të paktën tetë orë në ditë do të mendojë për dilemat që u shtruan me këtë rast…
Debati mbi gjuhën – “Çdo debat nuk është debat, sidomos nëse ai përgatitet në margjinat e shoqërisë nga persona jo kompetentë dhe në tubime jo formale. Pa marrë parasysh etikën e motiveve, me këto çështje strategjike për një popull nuk mund të merret çdo kush. Modeli i shteteve të përparuara demokratike duhet të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Çdo popull dhe çdo shtet duhet të krijojë politikën gjuhësore, pastaj planifikimin gjuhësor dhe, së treti, standardizimin e gjuhës”
Rexhep Qosja – “Profesor Qosja gjithsesi nuk është i rehatshëm. Ai është polemist i lindur dhe nuk i duron situatat ku ai duhet ta luajë rolin që dikush tjetër ia cakton. Ndjenja e tij për dinjitet dhe integritet është shumë e zhvilluar, kështu që ai nuk përton që të polemizojë me ata që sipas tij kanë qëndrime të gabueshme. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndaj kulturës dhe kauzës shqiptare, mendoj se duhet të tolerohet, të pranohet ashtu si është ai dhe jo si e parapëlqejnë të tjerët”
100-vjetori i Pavarësisë – “Po qe se çështja e unitetit kombëtar do të varej vetëm nga dëshira e një populli që të bashkohet, me siguri shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të shërbente si shtysë për t’u afruar sa më shumë me ata që e afirmojnë këtë ide. Por, siç dihet, ky problem nuk varet nga vullneti i mirë i shqiptarëve, as nga politika që ndiqet nga ata”