Autoriteti dhe Imuniteti

0
33

Nga Mero Baze, 16 Korrik 2012

Ndërsa parlamenti po bëhet gati të përfshihet në një debat rreth reformës së imunitetit dhe reformës parlamentare, kryeministri Berisha po përpiqet t’i mbajë të ndara dy reformat që kanë të bëjnë në thelb me të drejtën e një përfaqësuesi të popullit për të qenë i lirë dhe i garantuar në betejën e tij politike. Në kushtet e një demokracie normale, të një sistemi gjyqësor solid dhe demokracie funksionale, nuk do t’ia vlente të diskutoheshin këto reforma të propozuara. Por propozimi për këto dy reforma të rëndësishme po bëhet në proporcion të zhdrejtë lidhur me raportet e deputetit me ligjin dhe të drejtat e tij në Kuvend.

Kemi një prirje të qartë dhe pozitive për t’i hequr barrierat mbrojtëse nga hetimi për deputetët, dhe nga ana tjetër një tendencë rrënuese për t’i hequr deputetit të drejtat e tij si përfaqësues i popullit në Kuvend. Kështu, rregullorja aktuale e Kuvendit, dhe mënyra se si e zbaton atë kryetarja e parlamentit, kanë cenuar ndjeshëm autoritetin e parlamentarit në Kuvend. Nga ana tjetër në paketën propozuese për heqjen e imunitetit janë vendosur dispozita delikate lidhur me të drejtën e deputetit për të folur në Kuvend dhe për të bërë publike akuza, të cilat mund t’i verifikojnë më pas organet e akuzës.

Pra, nga një anë shkojmë drejt heqjes së imunitetit për hetime, dhe nga ana tjetër shkojmë dhe tek një e drejtë themelore pa të cilën demokracia parlamentare është e vdekur, e drejta për të folur dhe denoncuar në Kuvend. Dispozitat, të cilat tentojnë të dënojnë deputetin për shpifje për fjalët e thëna në Kuvend, janë një investim serioz i mafies shqiptare për t’i mbyllur gojën përfundimisht çdokujt që tenton të bëjë publike fakte dhe dëshmi, të cilat janë ende të pahetuara. Opozitës, por më shumë se saj shoqërisë shqiptare, i hiqet një e drejtë thelbësore që ka të bëjë me institucionin e parlamentarizmit dhe kurajën për të denoncuar.

Ndaj në këtë pikë këto dy reforma nuk mund të bëhen ndarazi. Heqja e imunitetit për hetim në raport me gjyqësorin duhet të shoqërohet me forcim të autoritetit të deputetit në sallën e Kuvendit dhe paprekshmërinë e tij për shkak të deklaratave që bën në Kuvend. Kjo nuk ka të bëjë shumë me këtë opozitë, pasi kjo dhe kështu nuk është se ka bërë namin në Kuvend me denoncime, por me të drejtën e shoqërisë shqiptare që në kushtet e një vendi ku mafia sundon politikën dhe liria e shtypit po tkurret dita-ditës nga hija e frikshme e mafies, duhet të ekzistojë një tribunë lirie, ku e vërteta të thuhet pa frikën e ndëshkimit. E them këtë pasi Berisha dhe regjimi i tij po i bëjnë ligjet sikur do të jenë gjithë jetën në pushtet. Në fakt ato ligje janë të rrezikshme jo vetëm pse janë në dorë të Berishës, por se mund të jenë dhe në dorë të kundërshtarëve të tij, të cilët mund të mos e frenojnë dot dëshirën për hakmarrje.

Përfytyroni që ditën e parë që do të hiqet imuniteti, Fatmir Mediu duhet të shkojë në gjykatë dhe të kryejë procesin gjyqësor. Përfytyroni që nëse Berisha nuk do të jetë në pushtet dhe Saimir Tahiri të denoncojë Shkëlzenin, që ky i fundit të guxojë të hedhë në gjyq deputetin. Përfytyroni një kryetar kuvendi socialist, me rregulloren e Jozefinës, që mund ta nxjerrë Berishën ‘për zhelesh jashtë’ kur t’i shkojë mendja të kërkojë fjalën për të denoncuar fjala vjen bizneset e Fazlliçit në Durrës, që mund të ketë prerë në besë vajzën e tij.

Pra, thelbi i problemit është se ne duhet të kufizojmë imunitetet e deputeteve për hetim dhe gjykim, por duhet të forcojmë autoritetin e tyre në Kuvend dhe jetën publike. Shoqëri si kjo e jona ku frika dhe shantazhi nga mafia që ka kapur shtetin mbizotëron ndaj nxitjes për të bërë detyrën qytetare, e bën urgjente nevojën e një garancie lirie dhe autoriteti për deputetët dhe një liri shumë më të madhe të tij për kontroll mbi institucionet dhe të drejtat e qytetarëve.

Për këtë arsye është mirë që opozita t’i shikojë këto dy reforma bashkë, në funksion të njëra- tjetrës, duke i hapur rrugë nga një anë drejtësisë të hetojë deputetët dhe nga ana tjetër të mbrojë deputetët në betejat e tyre për fjalën e lirë në Kuvend dhe të drejtën për të ngritur dyshime në emër të popullit për gjithkënd që mendon se po cenon liritë dhe shtetin ligjor në këtë vend.

Për fjalën e tij deputeti përgjigjet para popullit dhe jo para “gjyqtareve të Gitës”. Ne duhet të bëjmë një reformë që deputetit t’i garantohet autoriteti dhe e drejta për të kontrolluar institucionet, për t’i denoncuar ato dhe jo të katandisen sikundër i ka katandisur sot rregullorja e parlamentit, në burra që ‘i kap për zhelesh’ një grua, nëse ata zënë në gojë njerëz të regjimit që kanë vrarë për të vjedhur.

Ndërthurja e reformës së imunitetit me forcimin e autoritetit të deputetit është jetike, sidomos në kushtet e një regjimi, i cili tani që ka në dorë drejtësinë, presidentin, ekzekutivin, median dhe gjithçka tjetër, kërkon thjesht që deputetët të kthehen në kukulla, të cilat mund të ndëshkohen nëse flasin pa leje.

Kjo është ëndrra e çdo regjimi për parlamentin. Ta bëjë atë një teatër ku duartrokitet për palaçot.