Kultura është motori i vërtetë i shoqërisë

0
55

Më datën 9 korrik në Bibliotekën e Parlamentit Italian u organizua takimi i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë, shoqatë nën patronazhin e UNESKO-s, ku u bë prezantimi i botimit më të ri të përmbledhjes së akteve të konferencës që zhvilloi takimin e vet vitin e kaluar në muajin tetor në Morra de Sanctis, vendlindja e kritikut më të madh Italian Francesco de Sanctis. Në këtë takim morën pjesë Anëtare të shoqatës nga e gjithë bota, drejtues të Bashkisë së qytetit, Parlamentarë italianë dhe përfaqësues të shoqatës së ish-Parlamentarëve dhe dashamirës të letërsisë.

Takimin e hapi presidentja e Shoqatës së Kritikëve, Neria De Giovanni, e cila u ndal në këtë eveniment jo vetëm për Shoqatën, por edhe për vetë qytetin M. De Sanctis, si dhe për Bibliotekën e Parlamentit që me shumë dashamirësi i priti miqtë e ardhur për këtë rast. Emri i Francesco de Sanctis-it është një emër që i bashkon të gjithë italianët, por bashkon edhe shumë letrarë të tjerë, pasi shohin tek ai modelin e njeriut të përkushtuar ndaj kulturës. Kritiku i madh me pasionin e tij realizoi veprën më të madhe të historisë së letërsisë italiane, por dha një kontribut të drejtpërdrejtë në kulturë, duke qënë edhe Ministër i Arsimit në kohën e tij.

Në fjalën e vet kryebashiaku i qytetit Capozza theksoi rolin e madh të takimit në kuadrin e 150 vjetorit të Bashkimit me një temë tepër frymëzuese, Ndjenja kombëtare, dhe impaktin e madh që ai pati tek organet e ndryshme si shtetërore dhe tek opinioni publik që përmes medias njohu vlerat e padiskutuara të Jugut të Italisë dhe perspektivat e mëdha drejt së ardhmes, drejt një zone sa më të zhvilluar.

Në fjalën e tyre përfaqësues të ndryshëm të organeve shtetërore u ndalën tek problematika e gjerë e Jugut, tek fenomenet e braktisjes së zonave rurale nga të rinjtë, por edhe një lloj izolimi me precedentë tepër negativë në jetën e qytetarëve. Njerëzit presin përgjigje për to, por është vendimtare drejtimi i vëmendjes ndaj kulturës, investimi për të është investimi më serioz për një shoqëri të qytetëruar, pasi i hap rrugën hapave të mëtejshëm drejt zhvillimit. Pa një kulturë të hapur dhe të kapshme nga qytetarët, nuk ka progres në shoqëri.

Përfaqësues të tjerë u ndalën tek personaliteti i Francesco De Sanctis-it dhe tek marrëdhëniet e tij me bashkëkohësit e vet ku debatet kishin një frymë të gjallë kritike, pasi lidhej me të ardhmen e një vendi që ishte i bashkuar, por kërkohej një bashkim tjetër më i rëndësishëm ai gjuhësor dhe kulturor, pasi siç dihet nga historia Italia është një vend multidialektal.

Ish Parlamentari Italian Bianco theskoi nevojën që politika duhet të mbështet fuqishëm tek kultura që të realizojë të gjitha projektet e saj ekonomike, sociale dhe poltike. Zhvillimi i takimit në sallën e Bibliotekës së Parlamentit është dëshmia më e qartë e këtij vullneti që duhet të shprehet edhe në vazhdim.

Në këtë takim më takoi radha të bëja përshëndetjen time në gjuhën shqipe dhe duke i falenderuar të gjithë organizatorët për këtë veprimtari, pikërisht në

Parlamentin Italian, dhe për gjithçka Italia ka bërë për ne, i ftova që të vijnë në Shqipëri, pasi ky është viti jubilar i 100 vjetorit të Pavarësisë. Për anëtarët e Shoqatës u dhurua volumi që përmbledh të gjitha referatet, libër i botuar në një kohë rekord, lidhur me temën e takimit të tetorit.
Takimi vazhdoi me një surprizë të bukur, pasi patëm rastin që të vizitonim dhe të ngrinim dolli në një ndër lokalet më në zë të Romës, Caffe’ Greco, me një histori 250 vjeçare që u bë qendër e takimeve të poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve më të mëdhenj në kohë, si Leopardi, Bajroni, Andersoni, Berliozi, D’Anunzio, Delaroshi, Gogoli, List, Shopenhauer, Stendal, Vagneri etj.

Arjan Th. Kallço, Anëtar i SHNKL me qendër në Paris