Ndonse autoritetet e Shqipërisë dhe të Malit të Zi kanë kontrolluar kufirin qe në vitin 2006, për të eliminuar minat e vendosura gjatë vitit 1999, e ndoshta edhe më herët, pasojat janë ende të pranishme ku rasti fundit i datës 9 korrik të këtij viti dëshmon se kjo zonë mbetet ende e rrezikshme për qytetarët e zonave kufitare, sepse serbet e kanë minuar ketë zonë nga të dy anët e kufirit
Nail Draga
Paradita e ditës së dielë e datës 9 korrik 2012, ishte lajmi i ditës në mediat shqiptare dhe kishte të bënte me zonën kufitare në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, pikërisht të Plavës dhe Tropojës, sepse një veturë me qytetarë shqiptarë nga komuna e Plavës, në vendin e quajtur Qafa e Vranicës, hasi në një minë e cila shpërtheu, duke plagosur personat që gjindeshin në veturë e cila udhtonte për në Çerem të Tropojës, ku do të takonin disa të afërm të tyre.
Nga pesë udhtarë sa ishin gjithsej, dy janë në gjendje me të rëndë dhe janë dërguar mënjëherë në spitalin e Bajram Currit përkatësisht në Tiranë. Bëhet më dije se nga ana e policisë kufitare të Qarkut të Kukësit po kryhen veprimet proceduriale për aq sa i takon policisë së shtetit shqiptar, pasi ngjarja ka ndodhur 20 metra afër kufirit në territorin e Malit të Zi. Ndërsa nga policia e Malit të Zi, deri më tash nuk është publikuar ndonjë kumtesë zyrtare ne lidhje me shkaqet e kësaj fatkeqsie.
Çminimi pas pavarësisë së Malit të Zi
Në sajë të informacioneve që disponojmë në vitin 2006, pas pavarësimit të Malit të Zi, në zonën kufitare në mes tyre dy vendeve përkatësisht në Tropojë janë zbuluar tre zona të minuara nga ushtria serbe.
Një lajm i tillë është bërë i ditur atëherë nga Aksioni i Veprimit ndaj Minave në Kukës, i cili në bashkëpunim me autoritetet malazeze, ka kontrolluar zonën për të cilën ishin regjistruar denoncime se ka pasur shpërthime minash. Mundësia e kontrollimit të vijës kufitare mes Tropojës dhe Plavës ka ardhur menjëherë pas pavarësimit të Malit të Zi, pasi më parë ushtria e Unionit Serbi-Mali i Zi nuk lejonte kontrollimin. AMAE (Aksioni i Veprimit Ndaj Minave) në Shqipëri dhe Qendra e Çminimeve Humanitare në Malin e Zi kanë kontrolluar për rreth dy javë territorin në kufirin Shqipëri-Mali i Zi, në rajonin midis Plavës dhe Tropojës, qe si duket ishte zona me e minuar gjatë vitit 1999.
Praninë e tyre minave ne ketë zonë e kanë paraqitur banorët e zonës së Çeremit të Tropojës, Plavës së Malit të Zi dhe barinjve të bjeshkëve të Dobërdolit ku ka pasur dëmtime në bagëti. Ndërsa pas surveijimit të katër zonave janë përcaktuar 3 zona të minuara. Por, duhet cekur se të gjitha zonat e kontaminuara janë në territorin shqiptar dhe paraqesin rrezik për popullsinë e kësaj zone. Madje në sajë të këtij bashkëpunimi autoritetet e Malit të Zi i kanë vënë në dispozicion palës shqiptare një listë të detajuar me fusha të minuara që ndodhen në afërsi të kufirit në brendësi të territorit të Malit të Zi. Këto zona janë çminuar nga ish ushtria jugosllave, por edhe pas çminimit në këto rajone janë shënuar aksidente me minat.
Serbet kanë minuar brenda territorit të Shqipërisë
Ndërkohë autoritetet e ushtrisë serbe nuk kanë vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare asnjë lloj materiali apo harte që ka të bëjë me vendosjen e minave në territorin e Shqipërisë. Sipas zyrtarëve të Malit të Zi, asnjë përfaqësues i shtetit apo ushtrisë serbe nuk ka deklaruar asnjë vend të minuar në territorin e Shqipërisë. Megjithëse autoritetet serbe mohojnë të kenë minuar zona brenda territorit të Shqipërisë, deri tani janë hequr rreth 10 mijë mina të vendosura nga ushtria serbe.
Bëhet me dije së në bazë të listave që disponon AMAE dhe nga IRC-ja që nga 25 marsi i vitit 1999 dhe deri tani, në Shqipëri janë regjistruar 273 persona të plagosur e të vrarë nga minat, që serbët kanë vendosur në brendësi të territorit të Shqipërisë. 34 të vdekurit, dhe 239 të plagosurit u përkasin rretheve të Tropojës, Hasit dhe Kukësit me një popullsi të përgjithshme prej 120 mijë banorësh dhe me një sipërfaqe të minuar prej 1400 hektarë, në 117 km vijë kufitare tokësore midis Kosovës e Shqipërisë.
Shqiptarët të rrezikuar në të dy anët e kufirit
Rasti me i fundit dëshmon se ne ketë zonë kufitare ende nuk është pastruar ky terren nga minat përkatësisht çminimi i saj, dhe më të drejt bëhët pyetja se kush mund të jetë viktima e radhës. Madje ende është enigmatike zona kufitare në mes Malit të Zi e Shqipërisë, në gjatësi kufitare prej 172 km, nga gryka e Bunës e deri në bjeshkë të Plavës. Sepse edhe ne ketë zone kufitare ushtria ish-jugosllave ka vendosur mina, për të cilat ende deri sot nuk ekziston ndonjë informatë e saktë e çminimit të tyre. Rasti i fundit me qytetarët e komunës së Plavës, dëshmon se kjo zonë ende paraqet rrezik për qytetarët, përkatësisht për shqiptarët, qe banojnë në të dy anët e kufirit.







