TIRANE – Një kompani private shqiptare e cila është e specializuar në tregtimin e paisjeve të sigurisë ka ndërmjetësuar blerjen e aparaturës së përgjimit për SHIU-n në vitin 2010. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Shërbimi Informativ Ushtarak ka pajtuar këtë kompani shqiptare me një kontratë të drejtëpërdrejtë për blerjen jashtë vendit të një aparature përgjimi të tipit “CDMA Interceptor”. Kompania shqiptare mësohet se ka ofruar më pare aftësitë e saj për të siguruar në tregjet ndërkombëtare aparatura me përdorim të kufi zuar edhe për institucione të tjera shtetërore, si prokuroria apo policia.
Në rastin konkret kjo kompani e ka bërë blerjen tek një kompani partnere amerikane e cila quhet “Verint Technologies”. Kjo e fundit ka disa filiale nëpër botë dhe kompania shqiptare lidhjet e saj i ka me filialin izraelit të kompanisë “Verint”. Aparatura e përgjimit “CDMA interceptor” është blerë në Izrael, ajo madje edhe është prodhuar në Izrael nën logon e “Verint”. Aparatura bën pjesë në formatin e teknologjisë së lëvizshme të përgjimit me rreze të kufizuar. Kjo aparaturë në thelb është një kompjuter I cili ka të instaluar një sërë programesh që mundësojnë dekodimin dhe regjistrimin zanor të bisedave telefonike në një rreze prej 300 metrash.
Aparatura qëndron e mbyllur në një valixhe ndërsa pjesë e valixhes janë edhe dy antenat, hyrëse dhe dalëse të cilat bëjnë të mundur kapjen e sinjalit të telefonit të përzgjedhur si dhe më pas lëshimin e sinjalit të këtij telefoni në antenat e kompanisë celulare pasi është kryer regjistrimi. Aparatura në fjalë është e pajisur edhe me një program që mundëson dekriptimin e sms-ve të dërguar ose të marrë nga telefoni I përzgjedhur dhe nën survejim, ndërsa edhe për telefonatat por edhe për sms-të regjistrimi dhe dekriptimi bëhet në kohë reale dhe me një shpejtësi shumë të lartë dhe të dhënat ruhen në memorien e aparaturës nga ku më pas mund edhe të dëgjohen ose të lexohen. (r.d/shqiptarja.com)
Shkrimin e plotë “Përgjimi 400 mijë USD për ambasadat dhe opozitën” e gjeni sot në Shqiptarja.com (varianti i printuar)