Nga Bledi Mane – Public Enemy, 11 Korrik 2012
www.facebook.com/bledi.mane
1./Fajin na e kanë gjithmonë komshinjtë
Taksi, taksi!-bërtisja fort atë mëngjes fundqershori në krye të bulevardit Cherni Vrah në Sofie. Isha zgjuar vonë e më duhej të shkoja sa më shpejt në konferencën ku më kishin ftuar ndërsa mbaja në dorë adresën e venusë, kërkoja që taksia e parë të më çonte vërtik. Nga përroi i makinave që dukej sikur vozitnin dremitshim, u shkëput e qëndroi para këmbëve të mia një Volkswagen Golf G60, i lodhur, por lyer me një të verdhë feksëse që t’i shpartallonte sytë, madje edhe ëndrrat që kishe parë një natë më parë.
U futa në makinën e vogël e pa u rehatuar mirë në sediljen e pasme, shtanga dhe nisa të qesh pavullnetshëm. Fytyra pllaqi dhe koka e madhe qerose e taksixhiut lëshoi në mua hijen gjigande si të një eklipsi spartan e megjithë “errësirën” e krijuar, unë vetëm qeshja. Taksixhiu i atij mëngjesi të nxehtë ishte kopja e Ilir Metës në çdo detaj. Pasi i dhashë adresën e kundroja si të isha një kalama naiv dhe zgjasja kokën ta këqyrja me detaje nga këmbët deri lart te qafa e trashë pala-pala. Raftet e memories time u hapën rrufeshëm dhe do ti që kjo mendja ime e djallëzuar përtypte ato çka kisha lexuar më parë rreth pushtimit të zonës së Skraparit nga Mbreti Bullgar Boris në vitet 852-889.
Një antropolog i sprovuar mund të dallojë fare lehtë në pamjen, fizikun, peshën dhe tiparet e kryelësëistit Meta mbeturinat e pushtuesve sllavë që iu dyndën kryesisht Antipatresë së lashtë dhe rrethinave të saj. Madje duke i shtuar këtij fakti edhe toponimet e emrave bullgarë si çorovodë (i,e pafajshme), poliçan (bllok shënimesh), çepan (bir i vegjëlisë) të mbushet mendja spontanisht se stërgjyshet e Ilirit do të kenë bërë kërdinë tek shkonin rastësisht pranë burimit të fshatit dhe vonoheshin ngase iu lagnin me ujë buzët ushtarëve të plagosur bullgarë…
Mes kësaj vape të regjur korriku harxhoj kot kohën me ADN-në e Lil bullgarit, ndërkohë që harrova tu them se kjo ishte vizita im e tretë në Sofje. Dhe mbeta i hutuar vërtetë jo vetëm nga format e kokës e bythës së taksixhiut, por edhe nga progresi që ky vend tashmë anëtar i Bashkimit Evropian kishte bërë. Plot 19 vjet më parë kisha qenë atje dhe ndryshimet drastike ishin të prekshme, të prekshme, të prekshme. Njerëz që silleshin dhe respektonin njëri-tjetrin me njerzillëk. Nuk iknin nga dyqani, bari, kinemaja pa marrë edhe faturën për shërbimin që paguanin.
Semafori i kuq për ta ishte një NDAL! gjigand dhe askush nuk e luante sumën deri sa jeshilja të ta bënte me sy. 19 vjet me radhë kishin ndryshuar 9 qeverisje e kryeministra të ndryshëm e madje edhe mbretit të tyre Simeon i kishin dhënë shansin të kryeministronte. Kishin hedhur pas krahësh kolapsin dhe krizën financiare të 1997, të cilën e kishin sheshuar me durim, punë, sakrifica e konsensus por jo si ne me bomba dore, mitraloza dhe antitanke. Janë anëtarë të vërtetë NATO-je dhe nga Bashkimi Evropian marrin e japin me fisnikëri si të barabartë mes të barabartëve.
Qarkullojnë përherë fytyra të reja jo vetëm në politikë dhe është i vetmi vend në rajon që ka shifrën më të lartë të investimeve të huaja, e cila për periudhën janar-mars 2012 kap shifrën e 236.8 milionë eurove ose rreth 0.8% të GDP. Kryeministri i tyre aktual Boyko Borisov një tjetër trupmadh e kokëderr, ish kampion karateje, pavarësisht se ende është energjik dhe me fizik të fortë, nuk ka menduar e as ka tentuar të tallet me opozitën e t’i vjedhë votat sepse sedra apo ndoshta Brukseli ia shkulin veshin.(?)
Ngjitur, andej nga perëndimi i Bullgarisë një shtet i sajuar multinacional si Maqedonia mbahet më këmbë me oksigjenin e një krenarie artificiale. Me një kryeministër shtatshkurtër, i cili shkon në raport të drejtë me hartën e shtetit të tij, por që me një ego të madhe po ia del mbanë të kopjojë paksa Aleksandrin e Madh të vjedhur. Nikola Gruevski për të gjashtin vit radhazi po ia del të sundojë mbi shqiptarizmën e përçarë maqedonase dhe mban nën kontroll jo vetëm ekonominë modeste të vendit, por edhe harmoninë e sforcuar etniko-fetare.
Premtoi se do ia ndryshonte pamjen kryeqytetit të tij të vogël dhe me financa të mëdha ndërtoi përmendoret e kolosëve të historisë e ndërkohë po stukon kalbësirat otomane dhe ato të ish Jugosllavisë që i aviten vetë Shkupit. Ky Gruevski ynë viçidols na çau trapin vjet çdo mëngjes tek mashtronte se 100 vjetori i pavarësisë do e gjente Tiranën me parlament dhe stadium kombëtar të ri, por ia futi pordhës aq kot sa trembi madje edhe Erla zëdhënësen, të cilës nuk ka kush t’ia valëvisë flamurin këtë përvjetor sepse vazhdon të jetë ende beqare.
Kudo të vazhdosh udhëtimin nëpër gadishull sheh qeveri të cilat përligjin sakrificat e popullit të tyre e nëse vetë populli zhgënjehet e nuk i voton më, mbyllin gojën, ulin kokën dhe ikin pa u ndjerë e nuk shfaqen më. Më tipik është rasti i Serbisë plëngprishëse, e cila i shkaktoi peninsulës luftëra të përgjakshme, shkatërroi vende e shuajti qindra mijëra njerëz, por kurrë nuk ua vodhi qytetarëve të saj votat dhe vullnetin. E mbani mend besoj, tek NATO bombardonte Serbinë më 1999-n si kundërpeshë të reprezaljes ndaj Kosovës, por populli atje i qëndroi vitalisht besnik Sllobodan mavrisë.
Vetëm një vit më vonë teksa situata ishte qetësuar në rajon, vetë serbët e qëruan me votë të lirë e nuk përtuan t’ia çonin peshqesh Hagës për krimet e bëra. Sot Serbia tallet me bashkësinë ndërkombëtare dhe si zgjebja në grahmat e fundit i ka puçrrosur Kosovës lëkurën e shputës së këmbëve dhe nuk e le kollaj rehat, por e acaron mjaftueshëm. Po me votë të lirë e të drejtë kjo Shkije largoi nga presidenca një moderator si Tadiç, ndërkohë që asnjë arbenristan nuk u shfaq këqëzëve të Beogradit të bënte ironikun, lapanjozin dhe të fortin me kutitë e shenjta të votimeve.
Më në jug, këtej poshtë këmbëve tona në Greqinë cipëplasur të Samaras, politikani i ri i pa konsumuar dhe gjysmë idealisti Aleksis Cipras i së majtës Syriza menaxhon plot vitalitet akumulimin e shtresës së mesme greke, e deri para pak kohësh la pa gjumë Berlin, Paris e Bruksel. Shtrëngoi fort prej bolesh bankierë, bursistë e burokratë evropianë financash dhe u dha shenjë të mos masturbojnë më kaq hapur e kaq halldupçe me paratë dhe mundin e jo vetëm grekërve sepse askush nuk parashikon dot më fatin e kapitalizmit konservator.
Qysh pas vizitës time të fundit në Bullgarinë e 1993-shit jo vetëm kjo e fundit ka ndryshuar, por gjithë gadishulli pavarësisht luftërave, gjakut, spermës, lindjeve, vdekjeve, luksit dhe mizerjes ka evoluuar. Ka evoluuar duke ndryshuar fytyrë, stil, liderë, profil, mirëqenie. Ka ndryshuar politikisht, gjeopolitikisht, financiarisht, mentalisht. Këtej nga ne qysh nga 1993 zgërdheshet fytyra e njëjtë e Berishës, Liria zonjë e parë e dytë dhe e tretë, Zhani Cikon e kemi ende dhe dirigjent dhe balerin, Ardit Gjebrea nuk ka shans të lëshojë mikrofonin nga dora, Nexhmija ende gjallë edhe fizikisht edhe nëpër librat e Fahri Qerata Balliut.
Shqipëria nuk ka ndryshuar, ende shtriqet si aristokrate e rëndë mbi sixhadet e Stambollit… ah po se desh harrova. Njoftohemi që ka ndryshime: Ilir Meta nuk është më deputet i Skraparit, por i Ndroqit, Blendi Fevziut i kanë rënë floku, por i është shtuar pasuria. Ndërsa Sandër Frangaj nuk është ende në burg i rrasur prej Berishës. Sandri ka gjetur një gjysëm milet budalla, të cilit i mban në burg mendjen tek ia shpëlan çdo natë me lajmet e Andit (jo të Bushatit, por të Andi Bejtjas).
2./ Albatrosi i deteve të Tropojës
Turp është, por u kërkoj ndjesë. Dalldia e vapës më shtyu të marr një makinë llogaritëse dhe të bëj disa hesape të vogla. Bilanc statistikash le të them më mirë. Kureshtja më detyroi të bëj disa kalkulime kanibaleske thjesht për t’i mbyllur gojën komunitetit ndërkombëtar. Më duket sikur Siria na e kaloi pakëz me vrasjet këto muajt e fundit, por u gabova. Konflikti atje nisi më 2011-n paqësisht me disa lëndime të papërfillshme popullate. Ne i këputëm 4 që në janar. Në Homs dhe Qal’at Samaan u ngritën pushkët e para dhe 2011 u mbyll me rreth 60 civilë të vrarë ndërsa vitin që shkoi ne dolëm mirë fare. 354 të vdekur i kishim vetëm nga aksidentet rrugore, ndërsa vrasje dhe plagosje të rënda patëm aty diku te rreth 124 copë. Pra për 2011 na vjen keq, por e dashur Siri të kemi lenë pas…
Këtë vit progres raporti i vrasjeve, aksidenteve dhe poshtërsive po njeh rritje porsi ekonomia gjermane. Aksidentet dhe gjakmarrja të zbardhin faqen. Madje sot kishim një krim të freskët andej nga Kukësi për të mos përmendur vrasjen e 17 vjeçares Marie Cuku, e cila u vra si burrneshë pas shpine nga disa cuba që janë fshehur ala te ferra. Ka një progres të lehtë nga Siria, veçanërisht masakra e 34 fëmijëve në qytetin Hula na la pakëz mbrapa, por mos harrojmë se vogëlushët u vranë nga të rriturit. Vrasja e një 13 vjeçari nga një tjetër 13 vjeçar me thikë në zemër në Mallakastër, rrëmbimi i makinës në Durrës me një vocërrak 1 vjeçar në të apo vdekja e një fëmije tjetër 2 vjeçar që ra në kanal me makinën e prindërve të tij dhe këta të fundit ngaqë ishin tapë harruan që e kishin me vete, i shtojnë goxha pikë në renditje Shqipërisë…
Rekordet tona i kemi për marshallah. Bëni durim, edhe pak ditë bëni durim kur të lëshohet ujku, truplidhuri, i freskëti, energjiku, cipëplasuri, i njomi fidan, heroi ynë i gjallë i pakallur, babi i Xenit hundë shkabonjë dhe babi i Argitës me sytë me qese, lëkurëvaruri i Brakës, AI që edhe këtë behar me not ka për të shkuar nga Dhër(miu) në Lecce të Italisë të bëjë shurrën atje, të pijë një kafe e të kthehet përsëri me not këtu.
Dil e shfaqju Mesdheut o shpatullgjerë i Albanisë, dil e thyej rekorde o tigri i tokës së shqiponjave. Dil e shpartalloi rekordet se ky është korriku yt i fundit. Dil noto i lirë se mot te 313 nuk ka as legena, as kova uji e jo më pishina o albatros i deteve të Tropojës.