Nga Ligor Begaj, 7 Korrik 2012
Zgjedhja e Presidentit të Republikës, (emërimi i tij në fakt), si një figurë pa vlera dhe integritet moral e politik, tregoi edhe njëherë sesa pas ka ngelur klasa politike shqiptare. Tregoi sërish pamundësinë e kësaj klase të paaftë për të bërë dhe ndërtuar demokracinë e kërkuar nga shqiptarët, si dhe për të bërë shtet.
Fytyra e Presidentit të Republikës me master fals, tregon edhe njëherë në sytë e ndërkombëtarëve se në Shqipëri u vendos diktatura pretoriane e Sali Berishës, që vjen si pasojë e vazhdimësisë së platformës famëkeqe politike e ideologjike të gjysmëshekullit të çmendur, për të mos u shkëputur nga psikoza e klasave nepotike, e shtresimeve psiko-sociale të lidhura me kupolën, deri tek pamundësia për tu distancuar nga krimi i organizuar dhe mafia.
Nga ana tjetër, nuk është pak, edhe fytyra kryesore e diktatorit Sali Berisha, i cili qëndron ‘de facto’ në krye të shtetit me vota të vjedhura dhe masakra mbi shqiptarët si “Gërdeci”, ”21 janari” etj, ku për të ruajtur pushtetin e grabitur luajti bixhoz mbi jetë shqiptarësh dhe vazhdon të na turpërojë në sytë e Europës me dogma dhe fantazi arritjesh që veç kokës së tij askush tjetër nuk i beson kurrë.
Fatkeqësia më e madhe për shqiptarët janë edhe analistët gojëshqyer pranë këtij njeriu të çmendur, që lehin çdo ditë në media, duke besuar se do mbulojnë llumin e Saliut që sot monitorohet rreptë nga BE-ja, duke dhënë të vetmin vlerësim, ngeljen e vendit jashtë familjes Europiane, për mospërmbushjen e rekomandimeve që rrjedhin prej saj.
Është rrënimi ekonomik i më tepër se 80% të shqiptarëve që sipas statistikave të OJQ-ve të huaja jetojnë nën minimumin jetik, në kufijtë e varfërisë, gjë, që i padit politikanët e Tiranës, sidomos familjen e kryeministrit Berisha dhe oborrtarëve të tij, për pamundësinë e tyre fatale për të qeverisur vendin. Ndërkohë, INSTAT nxjerr shifra fiktive për ‘bum’ ekonomik që në të vërtetë pritet t’ia bëjë ‘bam’ në duart e pista të Saliut, që ka montuar në vend një kapitalizëm klanor të pakrahasueshëm me strukturat kapitaliste të botës së tretë.
Ulja dramatike e nivelit ekonomik, keqpërdorimi dhe abuzimi me fondet publike dhe ato ndërkombëtare, reduktimi dhe shkatërrimi i institucioneve të shtetit, janë disa nga pikat e vdekura që e ngrijnë vizionin e Shqipërisë Europiane me sloganin e analistëve të Saliut: ”Shqipëria po ndryshon”, që në të vërtetë u realizua prej tyre sesi nuk duhet qeverisur, se si nuk mund të administrohen energjitë që të jep qenia në pushtet, se si nuk mund të administrohen vlerat e një shoqërie në demokraci.
Thirrja e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu: ‘Tani vepro!’, tregon edhe njëherë sesa në rrezik është Shqipëria në rrugën e saj politikisht të gabuar, drejt humnerës, duke i kërkuar opozitës shqiptare të marrë urgjentisht përgjegjësitë e saj për të shpëtuar vendin duke ndryshuar menjëherë pushtetin politik dhe vazhdimin e saj në rrugën e reformave dhe integrimin e plotë në strukturat Euroatlantike dhe Europiane.