Individi Mark kundër deputetit Marku

0
71

GRIDA DUMA, 4 Korrik 2012

Intervista në emisionin “Shqip” e deputetit Mark Marku, në një këndvështrim sipërfaqësor, sigurisht la shijen e një ligjërimi konstruktiv dhe madje guximtar të një individi që tingëllon se po flet hapur. Kjo pasi në veshët tanë, jo rrallë të lodhur nga ligjërimet e shumta, na tingëllon “e hapur” çdo kritikë, mjaft të jetë kritikë, e çdo lloji, pavarësisht kritereve.

Por, në respekt të vërtetësisë dhe intelektualit që duhet ta mbarsë atë, pra për rrjedhojë edhe të figurës së vetë z. Marku, si pjesë e përfaqësimit intelektual, është më se i nevojshëm një reagim i denjë dhe i vërtetë ndaj asaj interviste. Pikërisht në shërbim të të folurit hapur dhe me vërtetësi është e nevojshme të kuptohet çfarë tha realisht z. Marku, cila ishte logjika e përdorur prej tij, sa koherente ishte ajo logjikë dhe argumentimi i përdorur prej tij, e në përfundim, cili ishte modeli publik që ai dha si pjesë e detyrës publike e tij.

E shtroj këtë çështje sepse duhet theksuar që nëse gjithçka që u tha prej tij nuk i përgjigjet një arsyetimi dhe procedimi të drejtë, atëherë vetë përmbajtja e asaj që ai proklamoi nuk do të ishte më e vlefshme. Po ashtu, gjithçka që z. Marku theksoi mbi nevojat e domosdoshme për ndryshim, nuk do të reflektoheshin askund nëse nuk mbështeten nga një logjikë solide. Kur mungon një koherencë logjike, gjithë çfarë mbetet në përfundim është një tablo mediokre ku dikush është faktorizuar për një moment duke kritikuar, anatemuar dhe bërë oponencë dhe asgjë më shumë. Asgjë nuk ka ndryshuar në përfundim.
Pikërisht për faktin që ajo çka themi nuk duhet të përfundojë në ligjërime boshe pa asnjë rezultat konkret, është e nevojshme të bëjmë thirrje për kolona të arsyetimit në ligjërimet publike.

Kështu, ndërsa ndiqja me vëmendje intervistën e tij, herë pas here ishte e pamundur ta ndiqja linjën e mendimit në atë që z. Marku thoshte. Kjo pasi në varësi të idesë që tentonte të përcillte, ai ndryshonte here pas here status. Të krijohej një ndjesi marramendëse që të shkakton një folës që ndryshon vend shpesh përgjatë një bisede në një tryezë. Kështu, z. Marku e nisi intervistën duke thënë që ndonëse problemet që po shpaloste në këtë moment i kishte parë që në fillesën e vet brenda grupimit politik ku aderoi, ai e kishte të qartë që duke u bërë pjesë e një grupi, duhet të mësosh rregullat e “shtëpisë së tij”, ky ishte termi i përdorur prej tij.

Pra, z. Marku pranon që është bërë pjesë e këtij grupimi me vullnet dhe ndërgjegje, dhe që rregullat e shtëpisë duhen kuptuar, mirëkuptuar e respektuar. Vetëm pak më vonë, përgjatë intervistës së tij, ai shprehet që përfaqëson vetveten, individin dhe jo grupin, ndonëse paradoksalisht nuk pranon të mos jetë pjesë e grupit. Dhe këtu pikërisht fillon jokoherenca e pozicionit të tij. Pra, z. Marku thotë që është pjesë e grupit, e merr statusin të flasë si një person brenda grupit në emër të përmirësimit të grupit, por përfaqëson vetveten, individin, jo grupin.

Ky procedim është një pamundësi dhe absurd real, i pamundur të ekzistojë si i tillë. Jo vetëm kaq, por madje ky procedim i tij bie ndesh me atë çka ai thotë kur pyetet për votimin e Presidentit në sallën e Parlamentit. Ai thotë që një gjë është të mendosh dhe një tjetër të votosh. Pra individi Mark Marku ka votuar vetë, ndryshe nga çka menduar po vetë. Ky procedim të çon në një lloj pamundësie për të gjetur se cila është rruga për t’u ndjekur. Pra mundet që një ditë të kemi përballë një deputet, si në rastin e deputetit Marku, por ai të mos jetë në të vërtetë deputeti, por individi me mendime të ndryshme nga përgjegjësia që ka marrë përsipër me vullnet të lirë dhe, nga ana tjetër, të sillet si ai ta gjykojë të arsyeshme për momentin.

Pra, të votojë ndryshe nga ç’mendon dhe të ligjërojë ndryshe nga ç’voton. Si mundet të kuptohet ky qëndrim?! Si mundet të kuptohet cila është e duhura në këtë dualizëm ekstrem? Por, ç’është më e rëndësishmja, si mund të realizohet ndryshimi që ai vetë kërkon nëpërmjet këtij qëndrimi? Ajo çfarë nuk mund të pranohet në këtë qëndrim është që një përfaqësues politik që me vullnet ka marrë përgjegjësinë të përfaqësojë qytetarët sepse gëzon edhe statusin e deputetit, nuk kupton gjënë më elementare, duke marrë një vendim për pjesëmarrje në një grupim partiak, atëherë statusi nuk është i dyfishtë.

Pra, si individi Mark Marku dhe deputeti Mark Marku, ashtu edhe anëtari i grupimit politik Mark Marku, duhet të qëndrojnë në harmoni me njëri-tjetrin, jo në kundërshti, s’munden kurrsesi të jenë në kundërshti. Çka do të thotë domosdoshmërisht që nëse duhet folur si jashtë grupit, atëherë thjeshtësisht duhet të qëndrosh jashtë grupit, pra të dorëhiqesh prej tij. Në terma të thjeshtë nuk mund të thuash që unë jam deputet i një force politike, por kur ajo nuk më pëlqen, unë largohem dy orë dhe në ato dy orë jam një tjetër, jam individi Mark Marku, që kritikoj deri në rithemelim shtëpinë time politike dhe pas dy orësh kthehem sërish në shtëpi dhe bëhem deputeti Mark Marku.

Ky procedim absurd logjik së pari është i dëmshëm sepse nuk lejon kurrë që dikush të marrë përgjegjësi. E nëse nuk merren përgjegjësi, nuk ndodh kurrë ndryshimi i kërkuar nga vetë z. Marku. Kështu, nëpërmjet këtij procedimi spekulativ, një mendje e pathelluar; thjeshtësisht mund të kritikojë forcën politike ku bën pjesë z. Marku, por jo vetë atë. Sepse ai një moment doli si individ dhe shprehu vetë kritikën, ndonëse më pas sërish u ul në ndenjësen e kësaj force politike. Ai, tashmë, duke dalë e duke hyrë, i lau mëkatet, nuk është fajtor, madje është sërish banor i shtëpisë politike, por jo pjesëmarrës në kostot e shtëpisë.

Me këtë absolutisht nuk po nënkuptoj ndonjë favorizim të veçantë të përfituar nga z. Marku, por u referohem kostove të çdo vendimmarrjeje politike që peshon në të gjithë ata që janë po aq individë sa z. Marku, por dinë mirë që kanë bërë një zgjedhje të vullnetshme dhe të ndërgjegjshme. Kjo nuk do të thotë aspak që nëse je anëtar i një grupimi nuk ke të drejtë të thuash fjalën tënde, por sigurisht, kjo fjalë duhet thënë brenda grupimit politik e më pas nëse nuk dëgjohet, nuk përfillet, nëse gjuha jote nuk komunikon me gjuhën e grupit, atëherë shkëputesh nga ai grupim dhe vijon të ligjërosh fort fjalën tënde jashtë tij në kundërshti me të.

Kjo nuk na provon nëse grupi kishte të drejtë apo individi kritikues kishte të drejtë, kjo duhet kuptuar thjesht që nuk mund të ketë dy standarde në qëndrime, jam, por nuk jam. Pikërisht ky dualizëm është ai që intelektualët së pari duhet të evitojnë. Nga ana tjetër, nuk po pohoj aspak që konformizmi total është vlerë absolute dhe e gjithmonshme, por dualizmi është një vlerë edhe më e rrezikshme se konformizmi.

Duke vijuar më tej, në ligjërimin e tij z. Marku flet për një “rithemelim” të forcës politike ku ai vetë gjendet. Termi rithemelim është një term që në asnjë mënyrë nuk mund t’i tolerohet një intelektuali si z. Marku, një pedagogu të Shkencave të Komunikimit. Si mund të rithemelohet diçka e themeluar? Si mundet të rikrijosh rrënjët e një strukture, biologjike apo sociale? Rrënjët ose shkulen, ose qëndrojnë, e themeli ka të bëjë me rrënjët. Një koncept si rithemelimi është po aq spekulativ në terma realë sa janë absurdë e spekulativë dhe pozicionet e ndryshme që merr z. Marku në qëndrimin e tij.
Kështu, një gjë është të flasësh për ndryshime dhe një tjetër gjë të flasësh për themelime. Ato nuk mund të qëndrojnë të dyja. Ndryshimet dhe përmirësimet vijnë nga anëtarët e grupit, dhe kjo është maksimumi që një anëtar, duke vijuar të jetë anëtar, duhet të pretendojë. Themelimet bëhen nga e para, ato nuk ndodhin brenda grupit, dhe domosdoshmërisht kuptojnë ose shkatërrimin e strukturës ekzistente ose krijimin e një strukture të re.

Kështu, nëse do të zbrisnim në terma më konkretë, atë që deputeti Marku thotë që do të bëjë në të ardhmen në fund të intervistës së tij, duhet ta bënte jo në fillim, por përpara ligjërimit të tij në publik, pra thjeshtësisht së pari të paraqiste planin apo projektin e tij politik, siç e quan ai, ndaj grupimit të tij politik, dhe vetëm pas kësaj të ligjëronte mbi të. Deputeti Marku jep të gjitha gjykimet mbi konformizmin e paduhur e plot elemente të padukura, por tezën e tij, idetë e tij mbi këto përmirësime, deklaron që do t’i paraqesë në një të ardhme të afërt pranë grupimit të tij. Duket qartësisht që është një procedim nga e kundërta dhe i mbështetur në një qëndrim dualist të tij.
Në gjithë çfarë shtjellova më sipër nuk gjendet aspak tendenca për të kundërshtuar këdo që kërkon të përmirësoje e zhvillojë cilindo grupim, sistem apo strukturën.

Përkundrazi, pikërisht sepse fortësisht besoj që duhet përmirësuar gjithmonë, ndjek thirrjen e arsyes solide, e një procedimi logjik që na jep një rezultat. Përndryshe, çdo formë tjetër që nuk mbështetet në një logjikë dhe qëndrim koherent jo vetëm që nuk përmirëson, por madje krijon parakushte për një kaos edhe më të madh, një mjegull që nuk lejon të kuptohet qartazi kush është kush, e përfaqëson çfarë. Në këto kushte, marrja e vendimeve dhe gjykimet bëhen edhe më të rrezikshme, sepse na largojnë nga gjendja e vërtetë dhe reale e gjërave në fakt. E krijimi i kësaj mjegulle duhet shmangur me çdo kusht e qëndron edhe në bazament të misionit të intelektualit ndaj shoqërisë së tij, një bazament që besoj e ndaj po aq me z. Marku.