Shkëlzen Berisha i ka të ardhurat vjetore sa 4 bashkitë Ballsh, Memaliaj, Tepelenë, Përmet

0
63

Shkëlzen Berisha dhe e shoqja  

Nga Përparim Halili, 5 Korrik 2012

Afro 3 muaj më parë, në parlament u përmend një shifër prej 200 mijë euro, si shifër e të ardhurave vjetore të djalit të kryeministrit, të “papunit” miliarder Shkëlzen Sali Berisha. Këtë shifër, “kryeministri” real i Shqipërisë Shkëlzen Berisha e kishte deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive. Mund të mos e kisha rikujtuar këtë fakt nëse Sali Berisha nuk do të fliste në mbledhjen e qeverisë për rritjen rekord botëror të pagave e pensioneve, si dhe për të ardhurat e larta financiare të shqiptarëve.

Ndërsa bënte tallje, demagogji e mashtrime pa skrupull për rritjen e pagave dhe pensioneve në masën lëmoshë 4-5%, kryeministri Sali Berisha deklaroi, se “… kjo rritje u bë për 820 mijë familje, me kusht që të mos hanë vetëm fëmijët e qeveritarëve, por të hanë në mënyrë të barabartë edhe fëmijët e popullit”. A thua se kanë ngrënë, po hanë e do të “hanë” në mënyrë të barabartë fëmijët e shqiptarëve, me fëmijët e qeveritarëve? A thua se i dhimbset varfëria e shqiptarëve këtij kryeministrit tonë vrasës të afro 40 mijë shqiptarëve në këto 20 vite në eksode, në trafiqe nga deti, në emigrime nga toka, në ngjarjet e luftës së ndezur prej tij në vitin 1997, në biznese qeveritare kriminale, në hasmëri tokash, në vetëvrasje nga varfëria e në protesta?!

A thua se këtij kryeministrit tonë që ka mbjellë varfëri ekstreme, i “qan” vërtetë për të papunët, asistencialistët, invalidët, lypsarët, jetimët, pensionistët etj?! Po të jetë kështu, pensionet e popullit nuk do rriteshin me 5%, ose vetëm me një qese kokoshka në ditë. Po të qe kështu, pagat e popullit nuk rriteshin vetëm me gjysëm bukë në ditë. Sepse me këtë rritje lëmoshë, fëmijët e popullit nuk fitojnë asgjë. Por ndoshta kryeministri Sali Berisha sheh ëndrra sikur fëmijët e popullit janë super miliarderë, si dy fëmijët e tij Argita e Shkëlzen, të cilët janë aq të pasur, sa kanë punësuar edhe “magazinier miliardash”, sa kanë hapur edhe banka, sa kanë vënë në dispozicion dhjetëra shërbëtorë, bodigradë, punonjës biznesesh dhe efektiv specialë sigurie për ruajtjen e pronave të shumta që kanë në posedim.

Për të bërë krahasimin mes fëmijëve të popullit dhe fëmijëve të kryeministrit, po ndalemi vetëm në një fakt: Në të ardhurat vjetore të djalit të kryeministrit. Deri në dhjetor të vitit 2011, të ardhurat e deklaruara të Shkëlzen Berishës, ishin 200 mijë euro, ose 280 milion lekë në vit. Ndërsa të ardhurat e një shqiptari që punon në arsimin, shëndetësi, ushtrinë, bashkinë, komunën, policinë apo zyrat e pushtetit të babit të tij kryeministër, me gjithë rritjen e fundit, shkojnë në 4-5 milion lekë në vit. Ndërsa ata që punojnë me pagë minimale të caktuar prej babit të tij kryeministër, kanë vetëm 2.4 milion lekë të ardhura vjetore në vit. Ndërsa ata shqiptarë që janë me ndihmë ekonomike i kanë ta ardhurat vjetore vetëm… 200 euro në vit.

Pra, sipas llogarisë së thjeshtë, djali i kryeministrit, ose kryeministri real i Shqipërisë, që ligjërisht nuk ka as vend pune, as hotel e fabrikë, siguron në vit 51 herë të ardhura më tepër se një shqiptar me pagë mesatare. Krahasimi vazhdon më tej: Djali i kryeministrit disponon 1 studio juridike luksoze, me vlerë 530 mijë euro në qendër të Tiranës. Disponon një vilë luksoze me vlerë afro 400 mijë euro në periferi të Tiranës. Disponon një apartament luksoz, me vlerë afro 180 mijë euro në Tiranë. Disponon vilë luksoze në Gjirin e Lalëzit, një vilë në bregun e Vlorës, Velipojës, Shëngjinit, Golemit, në Himarë, në Sarandë e të tjera pasuri brenda e jashtë vendit që maskohen pas emrash të “miqve të babit”. Ndërsa fëmijët e popullit, ose banojnë në shtëpitë e prindërve, ose vazhdojnë të jenë ende pa strehim, që prej 20 vitesh kur i mashtroi babi i tij kryeministër.

Krahasimi vazhdon me tej. Këto pasuri “sheikësh”, djali i kryeministrit shqiptar rezulton se i ka vendosur që nga viti 2005 e në vazhdim. Po si? Vetëm duke përdorur privatisht, vulën dhe firmën e pushtetit të babait kryeministër. Shkëlzen Berisha nuk ka pasur asnjë trashëgimi të tillë pasurore. Kur ka nisur ekonomia e tregut, ai ka qenë vetëm 11-12 vjeç. Si trashëgimi, babai Sali Berisha i ka lënë vetëm ¼ e një kulle të rrënuar në Viçidol të Tropojës dhe 2 dynymë tokë shkretëtirë. Ndërsa nëna Liri (Sllobodanka) Berisha, i ka lënë trashëgim vetëm një sipërfaqe toke prej 430 metër katrorë truall në Serbi, dhuruar nga shteti serb gjyshes e gjyshit të tij Rexhep e Milica Ramoviç, si shpërblim ndaj shërbimeve, si ish-kolonelë të shërbimeve sekrete serbe. Pasuritë dhe llogaritë e tjera janë siguruar nga shfrytëzimi i “pushtetit të babit”.

Siç thotë populli (që iu rritën pagat e pensionet me 4-5%), kjo “nuk do as mend, e as kalem” që të kuptohet, paçka se Sali Berisha, “armiku i tërbuar i korrupsionit”, del dhe i justifikon këto pasuri përrallore të fëmijëve me gjoja “biznesin në fushën e konsulencës juridike”. Akoma më absurd është fakti që rezulton nga krahasimi i të ardhurave (ryshfeteve) të deklaruara vjetore të djalit të kryeministrit shqiptar, me të ardhurat e disa institucioneve shtetërore. Të ardhurat vjetore të Shkëlzen Berishës rezultojnë të jenë sa të ardhurat vjetore të 4 bashkive Ballsh, Memaliaj, Tepelenë, Përmet, të marra së bashku. Bëni llogaritë dhe del aq sa “fut” në xhep në vit Shkëlzeni i kryeministrit, aq shërbim i takon gjithë popullit të këtyre katër qyteteve.

Krahasimi tjetër nga familja kryeministrore. Të ardhurat vjetore të Shkëlzen Berishës janë 7% më të larta se të ardhurat e Hekurudhës Shqiptare. Vazhdojmë më tej. Të ardhurat vjetore të vajzës së kryeministrit janë ta barabarta me të ardhurat e Bashkisë Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier të marra së bashku, ose 65 % më të larta se të ardhurat e ndërmarrjeve shtetërore të Ujësjellësve të rretheve Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Vlorë, Fier, Lushnjë të marrë së bashku.

Krahasimi tjetër nga familja kryeministrore. Të ardhurat vjetore të bashkëshortes së kryeministrit Sali Berisha nëpërmjet Fondacionit “Fëmijët shqiptarë” me financime nga biznes-pisneset shqiptare, janë afro 30% më të larta se fondi buxhet, i akorduar nga qeveria “Berisha” për shëndetësinë shqiptare në vitet 2011-2012, ose 45% më të larta se investimet e bëra në 15 vitet e fundit në sistemin shëndetësor në rajonet Korçë, Fier, Berat Vlorë, Dibër, Kukës, Lezhë.

Komentin le ta bëjnë shqiptarët. Por, nëse ka kohë e dëshirë, le të merret edhe… drejtësia!