Berisha udhëzon se si të shkruhet historia e Luftës Nacionalçlirimtare: Të pranohet vëllavrasja dhe roli i Britanisë së Madhe

0
68

TemA, 5 Korrik 2012

Kryeministri Sali Berisha vijon të japë udhëzime përpara historianëve të pazëshëm shqiptarë se si duhet të shkruajnë historinë. Berisha kërkon të pranohet se në Luftën e Dytë Botërore kishte luftë vëllavrasëse dhe se Britania e Madhe ishte ajo që organizoi dhe financoi rezistencën

Në këtë vend nuk ka as akademi, as institute, as fakultete e as studiues. Ka një njeri, quhet Sali Berisha dhe është ai që vendos madje edhe si të na shkruhet historia. Sa herë mbledh Komitetin e Posaçëm për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, tregon se si duhet të shkruhet historia.

“Në 100 vjet asnjë komb nuk ka pësuar kaq shumë falsifikim të historisë,” deklaroi ai në mbledhjen e sotme.

Berisha kërkoi që të rishkruhet historia e Luftës Nacionalçlirimtare, për të pranuar luftën vëllavrasëse.

“Do ndalem në një çështje, që e gjykoj të një rëndësie themelore për të vërtetat e Shqipërisë. Të ndalemi tek rezistenca e armatosur në Luftën e Dytë Botërore. Ajo përbën një nga faqet më të ndritura në historinë tonë. Çdo njeri që mendon të vërë në mëdyshje rëndësinë jetike në 100 vjetorin e pavarësisë të rezistencës së armatosur në Luftën e Dytë Botërore, bën një gabim fatal. E vërteta është se Shqipëria në atë luftë u rreshtua në anën e koalicionit antifashist, u rreshtua në anën e të drejtës së historisë. Ajo qëndresë imponoi që në kongresin e pestë të Jugosllavisë të votohej rezoluta për Kosovën pjesë të Shqipërisë. Ajo luftë bëri që në Bujan të firmosej akti madhor historik se fati i Kosovës do përcaktohej me plebishit pas mbarimit të luftës,” tha Berisha.

“Por realiteti vëllavrasës i luftës është realitet i pamohueshëm. Nuk ishte luftë civile. Por cila rezistencë antifashiste në Europë nuk pati aspekte të tilla? Duke njohur këtë realitet dhe duke u përpjekur të bëjmë drejtësi në kuptimin moral, duke njohur aktin makabër të vrasjes së ushtarëve pse nuk i përkisnin ideologjisë komuniste, ne e bëjmë vendin më të drejtë, shoqërinë më të drejtë dhe kjo është e domosdoshme. E vërteta është se njësitë nacionaliste, balliste apo legaliste janë masakruar barbarisht në Shqipëri e Kosovë. Luftëtarët që luftuan me Gani Kryeziun u masakruan e u hodhën në një pus vetëm pse nuk ishin komunistë, por ishin ruajalistë,” vijoi kryeministri.

Berisha kërkoi që të pranohet roli shumë i rëndësishëm dhe vendimtar i Britanisë së Madhe në organizimin e rezistencës.

“Dy janë çështjet themelore në LNÇ, njohja e këtij aspekti vëllavrasës. Së dyti, është një problem tjetër shumë madhor, lufta si çdo luftë kërkon armë, po këta armë nuk kishin, kërkon financa, shqiptarët financa nuk kishin, kërkon organizim, shqiptarët nuk kishin ndonjë organizim ushtarak. E vërteta e madhe historike është se shqiptarët kanë bërë luftën të mbështetur në paundin e taksapaguesve britanikë. Brigadat e njësitë e para u organizuan nga misionarët britanikë. E vërteta ishte se ishte Britania e Madhe ajo që armatosi luftëtarët e lirisë në Shqipëri. Është në nderin e veteranëve që të mos injorojnë këtë kontribut historik të taksapaguesve dhe qeverisë britanike. Brigada e parë komuniste është krijuar, armatosur e financuar në Vithkuq nga misionet britanike.

U ndala në këtë moment sepse kjo është një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste. Qeveria britanike bëri gjithçka për të mbështetur shqiptarët në rezistencën e tyre. Mbreti qëndroi në kontakt me qeverinë britanike,” tha Berisha.

“Nuk ishin britanikët që inkurajuan lëvizjen komuniste në Shqipëri. Kontaktet e para i kanë pasur me nacionalistët. Personat e parë të kontraktuar prej tyre janë vëllezërit Kryeziu. Ata kontaktuan edhe një tribun tjetër legjendar, Abaz Kupin. Ishte Zogu që deklaroi nga Parisi luftë kundër pushtuesit,” vijoi kryeministri që pranoi megjithatë se në fund britanikët mbetën me komunistët në krah.

“Vlerësimi i luftës duhet të jetë një vlerësim i plotë, një vlerësim i madh për ata që financuan, armatosën dhe stërvitën dhe cilido që është i interesuar për historinë e asaj lufte. Në çdo dokument do gjeni që britanikët bënë gjithçka për bashkimin e fraksioneve të ndryshme. Politika e përçarjes ishte politika e pushtuesit dhe nuk ishte pa efekt.

Do u ftoja që së bashku me veteranët, për të cilët kam respektin më të madh, se vetë ata e dinë se kush e themeloi brigadën e parë, të bëjmë të vërtetën historike,” tha Berisha.

Kryeministri kërkoi që të vlerësohen personazhet e huaja dhe kleri shqiptar, që ka ndihmuar në shpalljen e pavarësisë, por edhe më tej.

“Një kapitull tjetër që kërkon daljen në dritë të së vërtetës është se nga viti 1905 deri në vendosjen e mbretërisë, janë me dhjetëra personalitete të huaja, që kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, kanë treguar një dashuri, respekt e përkushtim për shqiptarët dhe këto të vërteta duhet të dalin. Pa ndihmën e tyre, pa këshillën e tyre, pa mbështetjen e tyre, ka shumë mundësi që gjërat të merrnin rrjedhë diametralisht të kundërt. Është e rëndësishme që në këtë 100 vjetor këta burra e gra të vendeve mike të vendosen në piedestalin e tyre,” tha Berisha.

“Të pranohet dhe vlerësohet roli i klerit mysliman e katolik në pavarësinë,” theksoi Berisha.

Kryeministri kërkoi që të ketë ndonjë nderim me emër rruge edhe për Dom Nikoll Kaçorrin, duke reaguar ndaj kritikave që i janë bërë qeverisë për qëndrimin ndaj kësaj figure. Por Berisha tha se nuk mund të ketë kaq shumë nderim për Qemal Stafën.

“Kam respekt për Qemal Stafën por nuk jam dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard, të ketë emrin e tij. Kjo është disbalancë e madhe.”