Arjan Th. Kallço
Çfarë është e drejtë të bësh?
Një pyetje sa filozofike në thelb, por dhe aq praktike në shpjegim dhe interpretim. Tek e para ndalemi për të dhënë konceptet bazë të detyrave që gjithkush duhet të zhvillojë në jetë, tek e dyta përpiqemi t’ua shpjegojmë mirë dhe qartë, interpretimi merr fuqi kur fillon detyra, duke shkuar më tej, tek këshillat apo edhe urdhërat sesi duhet të veprojnë dëgjuesit. Në këtë pikë Filozofia nuk është thjesht një shpjegim, interpretim i detyrave apo i impenjimit ndaj gjërave që ne bëjmë në jetë, por të krijojë kuadrin e duhur logjik të detyrës.
Nëse kjo detyrë më pas është konkrete kur bëhet fjalë për të qeverisur një qytet apo një vend, atëherë një filozofi nuk do të mund të mjaftonte kurrë, pasi do të ishte e zbuluar nga fuqia dhe forca edukuese. Në këtë moment hyn në skenë një seri kushtesh dhe rrethanash në të cilat zhvillohen këto detyra, që nga koncepti i drejtë për detyrën, për shtetin, për komunitetin, për drejtësinë, barazinë, ndihmën dhe solidaritetin, pa të cilat secili vend dhe Europa e bashkuar sot do të ishte iluzioni më i madh i ndërtuar ndonjëherë. Leksione të shkëlqyera të historisë na vijnë nga vetë filozofët e lashtësisë dhe dëshiroj të ndalem këtu tek Ciceroni dhe vepra e tij De officiis.
Ciceroni iu përgjigj pyetjes së mësipërme jo në fillimet e jetës, në ditët tona edhe të sapodalët nga bankat e shkollës i përgjigjen me arrogancën e pushtetit që u jepet, as gjatë karrierës, pa përvojën e duhur nuk mund të bëhesh kurrë i mënçur, por në fund të jetës së vet, mendjemadhësia e shkëlqimit të tij mund t’ia kishte lejuar leksionin edhe më parë, në një vepër që ia drejtoi të birit : De officiis. Një pyetje themelore për vetë shoqërinë në të gjitha etapat e saj, përgjigjia e së cilës lidhet me detyrat dhe prerogativat e njeriut si qënie shoqërore dhe në shoqëri.
Si mund të pajtohet e dobishmja me të ndershmen? Një libër aktual për të gjithë ne sot që synon të na bëjë pak më të mençur në një botë tepër komplekse dhe drejt globalizmit të pakthyeshëm.
Ngjarjet zhvillohen në mujat shtator-nëntor të vitit 44 para erës sonë. Roma ishte e përgjakur nga luftrat civile dhe një vit më vonë Ciceroni do t’ua ofrojë kokën vrasësve të Antonios. Kjo është klima rebeluese kur e shkruan veprën e tij, në gjurmët e një vepre të filozofit stoik Panecio. Në greqisht libri titullohej Peri’ tou katheknotos apo Çfarë është e përshtatshme. Në letërkëbimet mes Ciceronit dhe Atikut doli në pah fjala Officium, që ishte më e drejta dhe më e përshtatshmja.
Përkthyes të tjerë sot e kanë sjellë në variantin “Mbi detyrat” apo në variantin “Ajo që është e drejtë të bëhet”. Tek romakët officium është një kategori praktike që synon tek veprimi: nuk shënon një detyrim abstrakt, një rreptësi të brendshme apo skrupuj individualë, por një detyrë shoqërore. Ciceroni tenton ta shpjegojë më tej konceptin e tij kur thotë : duhet ta kuptojmë se natyra na ka pajisur me dy “personae” apo dy maska: njëra na përfaqëson në përgjithësi si qënie njerëzore, pra me arsye dhe tjetra si të veçantë, secili me prirjet e veta dhe karakterin e vet.
Sikur të mos mjaftonte ky shpjegim, fjalës personae i shtohen edhe dy të tjera : e para rrjedh prej kohës dhe nga rrethanat, sepse mund të lindim fisnikë apo jo, të pasur ose të varfër dhe e dyta është maska që e vendosim në mënyrë të pavullnetshme, në bazë të zgjedhjes sonë personale, prandaj edhe i përkushtohemi një lloj veprimtarie. Lind kështu një nocion dhe një fjalë që ka rëndësi të madhe në kulturën e mëpasme: personi. Në sociologji dhe në përgjithësi në shkencat sociale personi është subjekt njerëzor dhe shoqëror, i pajisur me personalitetin e vet, një figurë që luhet brenda të gjitha roleve, publike dhe private, që e bëjnë secilin prej nesh një entitet kaq kompleks.
Në gjuhësi fjala person është fjala më e bukur që e saktëson përcaktimin e dhënë më sipër, pasi ne mund të gjejmë edhe sinonime të tjera si njeri, edhe pse në shqip është fjala më e gjetur, apo human, qënie, individ dhe partner. Por në jetë ka pozicione nga më të ndryshmet që lidhen edhe me profesionet, kështu që një ndarje disi ndryshe do të ishte person njeri dhe person artist. Ka një dallim të madh midis një njeriu të zakonshëm dhe një artisti, pasi artisti është person në shoqëri, i përket një stadi tepër të ngritur të ndërgjegjes dhe perceptimeve, jashtë së natyrshmes. Një njeri nuk mund të jetë me çdo kusht artist, duke e deklasuar nga hierakia e ndjeshmërisë dhe e krijimtarisë.
Vetë ideja që qëndron tek rrënja e metaforës cicerioniane është: jeta brenda një komuniteti i ngjan një shfaqjeje teatrale, ku secili interpreton një pjesë që i korrespondon rolit që i është caktuar. Aktori që vesh maskën në skenë ndryshon nga qytetari që luan në skenën e komunitetit të vet, i cili ka në dispozicion jo vetëm një maskë, por nja katër të mira. Ajo që është e përshtatshme në çastin kur sillemi, nuk duhet të kompromentojë asnjë prej katër roleve për të cilat jemi thirrur t’i interpretojmë. Kush ka detyra publike- thotë Ciceroni- duhet ta kuptojë se vesh drejtpërdrejt personin/maskën e qytetit. Prandaj është i detyruar të mbështetë nderin dhe dinjitetitn, duke ruajtur ligjet dhe nuk mund ta harrojë çfarë i është besuar besueshmërisë së tij.
Me një artist rolet janë tepër të çmuara dhe duke qënë i përgatitur në interpretimin e tyre, mund të luajë çdo rol pa sforcot që nënkupton një njeri i zakonshëm. Përveç kësaj kemi edhe një moment tjetër vendimtar, pasi artisti krijon produkte që jo gjithmonë përputhen me rolet e një njeriu të zakonshëm. Artisti, pra, mund ta rikrijojë botën në mendjen e tij, ta pasqyrojë në veprat e artit, vizive, auditive apo të shkruar mbi bazën e disa filozofive të tjera që nuk kanë karakter përgjithësues, por individual dhe që e pasurojnë këndvështrimin e njerëzve ndaj botës.
Një artist që sjell diçka të re në këto ditë të nxehta vere është piktori pogradecar, Gentian Zeka dhe ekspozita e tij tepër e veçantë, me titull Gjeneza dhe ditët e krijimit sipas mendimit biblik që sipas Neli Naços, është një krijim simbolik në telaio, plot ngjyra, i ngjashëm me krijimin e ditëve të para, me krijimin e kozmosit. Çdo artist ka kozmosin e vet të mendimit dhe pasqyrimit, prandaj njohja e tij është një mënyrë për të njohur artin që ai sjell për ne.
Si lindi ideja e kësaj ekspozite?
Është e vjetër që në leximet e mia të hershme që i referohet Biblës dhe me kalimin e kohës arrita në konkretizim me këtë ekspozitë. Tek krijuesit besimi që mund të ketë artisti e lejon të bëjë një lidhje direkte.
Si ka evoluar mendimi filozofik i Zekës në pikturë?
Ka ardhur natyrshëm ku evoluim, në fillim spikati në ndonjë vepër si tabloja Perceptimi apo Ripërtëritja dhe më vonë në cikle në ekspozitat e ndryshme gjatë viteve të karrierës sime.
Sa ekspozita keni hapur në karrierën tuaj?
Kam hapur mbi 15 ekspozita vetjake dhe shumë të tjera të përbashkëta. Mund të përmend edhe disa ekspozita jashtë vendit si në Vienë në vitin 1998 dhe në Bukuresht në vitin 1999. Kam edhe një sërë punimesh që i referohen kohës : 4 stinët, Reflekse, Dita, 24 orë dhe kjo më e fundit Zanafilla. Një cikël tjetër është në dru me titull Metafora primordiale.
Ku mendoni ta hapni këtë ekspozitë?
Mendoj se për momentin vetëm në Korçë dhe e zgjodha qëllimisht, pasi ka tradita më të mëdha në artin bizantin dhe shquhet në të.
Cilat janë projektet e së ardhmes?
Në kantier është ekspozita Black and White që kërkon edne punë për ta realizuar dhe më pas ndoshta Dy lihnidas, refleksi i dritës në liqen.







