A e ka pyetur zonjën Topalli, Mark Marku?

0
73

Nga Mero Baze, 3 Korrik 2012

Deputeti Mark Marku po përpiqet të artikulojë problemet serioze që ekzistojnë brenda pushtetit, duke bërë kujdes të tregojë se është mbështetës i pjesës së rëndësishme brenda PD-së, ose më mirë të themi mbështetës i zonjës Topalli. Ai ka artikuluar së paku tri probleme serioze të pushtetit. Problemin e inkurajimit dhe shpërblimit të eunukëve, problemin e përdorimit të personave me dosje, qofshin këto dosje sigurimi apo korrupsioni, dhe problemin e spekulimit me Tiranën nga Lulëzim Basha, sidomos në prishjen e Parkut Kombëtar për një rrugë, e cila nuk mund të zgjerohet atje ku duhet, pra në Rrugën e Elbasanit dhe po zgjerohet atje ku nuk duhet, pasi duhet për ndërtime në park.

Artikulimet janë serioze dhe të thëna nga një deputet i PD-së bëhen më të rëndësishme. Por kultura e debatit politik në Shqipëri ka degraduar keq, dhe në vend të inkurajimit të një debati mbi teza thelbësore siç janë ato që zoti Marku ka përmendur, ne kemi një përsëritje të debateve të fikura brenda PD-së, që inkurajohen jo vetëm nga kultura politike e asaj partie, por dhe e shoqërisë në tërësi.

I vetëdijshëm për këtë rrezik, Marku duket se do të frenojë valën e goditjes nga brenda partisë kundër tij duke u paraqitur si mbështetës i zonjës Topalli dhe duke ngritur në nivel të debatit politik disa aspirata personale të saj. Fjala vjen ai thotë se ishte dakord që zonja Topalli të bëhej presidente, që nga tri kandidatët që u propozuan, dy ishin ish-anëtarë të Partisë së Punës dhe njëri me probleme me dosjet e Sigurimit, dhe foli qartë si një zë i PD kundër masakrës urbane të Lulëzim Bashës në Tiranë.

Këtu fillon dhe problemi i parë. Që dikush të ngrejë një problem në PD ka nevojë doemos të ketë imunitet politik, d.m.th të mos paraqitet si agjent i ndonjë armiku të jashtëm, por si mbështetës i dikujt brenda PD-së. Aq në siklet është Marku në këtë rast, dhe unë e mirëkuptoj, sa i duhet të shpikë një Jozefinë të fortë dhe një Bamir Topi zhgënjyes që vala e fanatikëve të frenohet dhe të mos i lëshohen për ta shqyer kudo që ta shikojnë.

Problemi i dytë është vetë zonja Topalli. Që zonjës Topalli i takonte të bëhej presidente para Bujar Nishanit, nuk ka nevojë për debat. Ajo u viktimizua nga lufta e brendshme në PD, ose më mirë të themi nga aleanca e Ilir Metës me kollovarët e PD-së, në rastin konkret grupi i Bashës. Kjo e legjitimoi në fakt para Berishës luftën e grupeve brenda PD-së. Por tezat që ngre Marku, përveç anës formale që duket se mbështet Jozefinën, janë aq të gjëra për PD sa rrëzojnë dhe vetë Jozefinën.

Fjala vjen kur Marku thotë se PD-ja nuk fiton me besnikë dhe njerëz që nuk ngjallin besim, prek seriozisht zonjën Topalli, e cila e ka model të saj këtë praktikë pune të PD-së. Për të qenë më të qartë, duhet të pyesim publikisht zotin Marku nëse zonja Topalli i mbështet kritikat e tij? Nëse po, ky do të ishte një hap i madh përpara i guximit politik të Topallit dhe i dinjitetit për t’u përgjigjur rivalëve brenda PD-së me të njëjtën monedhë. Por ajo që unë druaj, dhe më duket gati e sigurt, është se zonja Topalli nuk e mbështet Mark Markun dhe nuk ka për ta mbështetur atë dhe nëse Sali Berisha e nxjerr nga listat e kandidatëve disa muaj më vonë.

Kjo për arsyen e thjeshtë se në atë parti kanë rënë shanset që një debat të mbështetet për vlerat që mund të prodhojë për PD. Ky është një keqkuptim i madh i gjithë atyre që i provojnë këto debate aty brenda. Ajo parti funksionon jo siç duhet të funksionojë, por siç do Berisha të funksionojë. Në rastin konkret kritikat e Markut janë rast tipik i heqjes së vështrimit nga kryeministri për një deputet të tij. Nëse zonja Topalli hyn në betejë për të mbrojtur Markun dhe Berisha dorëzohet, atëherë kemi një hap të ri brenda PD-së nga unitarizmi i Berishës në pluralizmin e klaneve, e cila mund t’i krijojë kokëçarje Berishës.

Por këtu është dhe problemi kryesor. Në pamje të parë Mark Marku ka ngritur probleme që nuk i përkasin një klani dhe që nuk kanë nevojë për ndonjë veto të tij për të mbijetuar. Keqkatandisja e një deputeti, jo për faj të tij, që para se të flasë brenda PD-së të mendojë më parë bodigardin politik se sa efektin e fjalëve të tij është tregues i sëmundjes së rëndë të PD-së, një tregues që flet më shumë se sa kritikat e Markut. Por ajo që ndjej unë është dhe më shumë se kaq. Që as Jozefina Topalli nuk do t’i dalë dot zot këtyre tezave, nëse ato merren seriozisht nga Berisha. Pasi ato në thelb nuk janë kundër rivalëve të zonjës Topalli, por kundër tutorit të saj. Ndaj kam frikë se Marku nuk e ka pyetur zonjën Topalli kur ka folur dhe ajo do bëjë sikur nuk ka faj kur të mos e mbrojë. E folura pa leje është dënimi më i rëndë në atë parti.