I gjithë problemi është tek padrejtësia

0
55

Nga Enton Palushi, 2 Korrik 2012

Pak pasi Arben Ristani deklaroi se është shumë i dashuruar pas punës që bën si kryetar KQZ-je, kryeministri Sali Berisha e quajti atë një nga personalitetet më të shquara dhe më të ekuilibruara në vend. E tha këtë për njeriun e kritikuar përgjatë një viti nga thuajse çdo organizëm ndërkombëtar që monitoron vendin tonë, që nga ODIHR e duke përfunduar tek Departamenti i Shtetit, që vulosi se puna e Ristanit ka minuar të drejtën e shqiptarëve për të ndryshuar qeverinë me votë. Pastaj si për të shtuar më shumë dozën e talljes, Berisha tha se është gati të takohej me kryetarin e opozitës për të diskutuar në lidhje me çështjet e reformës zgjedhore.

E bëri këtë gjë njeriu që refuzonte absolutisht të takohej me Ramën për çështjen e presidentit, duke deklaruar se me Ramën ulej për kafe. Dhe në të vërtetë u ul thjesht për kafe me të, pasi nuk arritën kurrfarë konsensusi. Berisha me Metën tentuan ta shesin shtrenjtë faktin që u ulën me kreun e opozitës dhe arritën të shkëpusin edhe ndonjë qëndrim pozitiv se për Shqipërinë është arritje që dy liderët kundërshtarë ulen ballëpërballë. Nga ana tjetër shpikën diçka të çuditshme: konsensusin brenda mazhorancës. Siç duket ai ishte konsensusi që kërkonin dhe e arritën.

Por përse nuk kishte asnjë shans që Berisha të shkonte drejt konsensusit, siç zor se ka shans të shkojë drejt konsensusit edhe për reformën zgjedhore?

Arsyeja është e thjeshtë: sepse që të ndërtosh një shtet të së drejtës duhet të bësh gjëra të drejta.

Që të sqarohemi. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 mund të kundërshtohen ashpër dhe mund të analizohen në shumë mënyra, por të paktën për këtë garë ofruan diçka interesante, mundësinë për të bërë diçka të drejtë në tre raundet e para dhe diçka të padrejtë në dy raundet e fundit. E padrejtë, por ligjore sepse ligjore nuk do thotë që është domosdoshmërisht e drejtë. Dhe Berisha natyrisht zgjodhi padrejtësinë. Siç pritej. E drejta ia kërkonte që të zgjidhte një president konsensual, të pranuar nga opozita, që të përfaqësonte unitetin e popullit, siç e kërkon Kushtetuta.

Një lider i mirë bën gjëra të drejta, kurse ky kryeministër nuk ka provuar kurrë të bëjë gjëra të tilla, por gjithmonë është kapur pas fijeve ligjore, madje ajo që është më e keqja, duke e shkelur apo e keqinterpretuar ligjin.

Merrni për shembull një nga padrejtësitë më të mëdha të viteve të fundit, grabitjen e mandatit të kryebashkiakut në Tiranë. Pasi Berisha vendosi me Ristanin të shpikë disa vota për të ndryshuar rezultatin, ndërkombëtarët i ofruan menjëherë tre qëndrime të drejta. I thanë pikësëpari se rregullat e lojës nuk ndryshohen kur loja është mbyllur. Së dyti i thanë se nëse do të jetë i ndershëm, duhet të ndjekë precedentin e vitit 2007, që nuk i njihte këto vota. Dhe së fundmi i thanë se nuk mund t’i bëhen gjëra të tilla opozitës së dobët nga një pushtet i dhunshëm dhe arrogant.

Por Berisha nuk dëgjoi asgjë dhe Ristani shpiku një paçavure ligjore, që u kritikua nga ODIHR pasi nuk kishte lidhje as me ligjin e as me rregulloren e KQZ. Çështja shkoi në Kolegjin Zgjedhor. Edhe aty kishte vetëm një mënyrë për të vepruar me drejtësi. Të hapeshin gjithë kutitë dhe të përputheshin shifrat. Kaq. Por edhe Kolegji Zgjedhor u kap pas një fije ligjore duke thënë se afatet për ankimim kishin mbaruar. Më vonë ky argumentim u rrëzua nga ODIHR, që vlerësoi se ishte vetë Kolegji që kishte krijuar rezultat të ri.

Dhe meqë jemi tek gjykatat, shihni se çfarë kasapësh kemi në sistemin e drejtësisë. I keni parë ndonjëherë të veprojnë sipas të drejtës? U shkon përpara ndonjë gazetar, deputet a qytetar dhe njësoj si shekuj më parë thjesht dënojnë, pa u shqetësuar aspak nëse e vërteta duhet zbardhur dhe drejtësia duhet vënë në vend. Pastaj lexojnë vendimin si skuthër, pa dinjitet e rrëmbimthi e largohen nga salla.

Dhe të keqen e shohin gjithmonë tek opozita. Ja merrni rastin e juristit që kandidoi për postin e presidentit. Sa mirë që në libër shprehej se opozita duhet të ketë të drejtën të ankohet nëpër gjykata (vini re: e drejtë për tu ankuar, jo për të vendosur), ndërkohë që në punën e tij të përditshme shpik sa e sa kleçka ligjore për të mos e lejuar opozitën të ankohet.

Pastaj shihni kryeministrin, i cili arsyen më të fortë pse po pengon reformën parlamentare nxjerr faktin se opozita kërkon të flasë sa pozita (vini re: të flasë). E tërbon fakti se opozita flet, gjëja më e paktë që ka ajo në dorë.

Para pak kohësh një juriste e njohur amerikane tha se trazirat e vitit 1997 erdhën për shkak të zhgënjimit me drejtësinë. Sipas saj, një zhgënjim i tillë është edhe tani. Ky kryeministër ka punuar fort për të ndërtuar një sistem të bazuar tek padrejtësia. Është kjo që po u merr frymën njerëzve. Dhe juristja amerikane ka të drejtë, shpërthimet për shkak të padrejtësive janë më të fortat.