Metamorfoza e mendimit historik të Sali Berishës

0
94

Nga Pranvera Gjerazi, 30 Qershor 2012

Pritja e organizuar në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, më 16 qershor 1994, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme për mua. Të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes jubilare: politikanë, akademikë, titullarë ministrish, kryetarë të institucioneve të pavarura, personalitete të kulturës e artit, ambasadorë të akredituar në RSH etj., nuk mund t’i harrojë ovacionet dhe duartrokitjet e zjarrta që e shoqëruan nga fillimi deri në fund fjalën përshëndetëse të “burrit të shtetit” Sali Berisha. Pasi і cilësoi udhëheqësit e Revolucionit të Qershorit 1924 me termin “Viganë liberatorë”, Berisha tha:

“Jemi mbledhur këtu sot nga të katër anët e Shqipërisë, Kosova, viset e tjera shqiptare dhe nga diaspora për të nderuar së bashku 70 vjetorin e Revolucionit të Qershorit, ngjarjes që hapi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar epokën e ndritur të Demokracisë. Revolucioni u realizua nga një lëvizje popullore e drejtuar nga atdhetarë të flaktë jashtë çdo aleance të dyshimtë apo marrëveshje kompromentuese që kishin nënshkruar dhe do të nënshkruanin me Beogradin sundimtarët e mëvonshëm shqiptarë, për të siguruar dhe ruajtur fronet e tyre.

Revolucioni i Qershorit është dhe do të mbetet njëra nga ngjarjet më rrezatuese për shqiptarët në të gjithë kohërat… Ndaj dhe ngricat e mëdha të dhjetorit të viti 1924 ngrinë ëndrrën e madhe të demokracisë shqiptare. Dhjetori i vitit 1924 ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu me mbështetjen e Serbisë përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare. Shqipëria e idealeve të mëdha demokratike për 68 vjet me radhë njohu vetëm pushtime dhe mynxyra, tiranira dhe diktatura nga më të egrat dhe më çnjerëzoret.” (Gazeta “RD”, 17 qershor 1994)

Për çudi, me ardhjen përsëri në pushtet të Partisë Demokratike më 2005, shtypi dhe propaganda proqeveritare filluan përpunimin e opinionit publik për rehabilitimin e Mbretërisë Shqiptare (1928-1939) dhe të Ahmet Zogut, i emërtuar “Mbret” nga 58 servilë parlamentarë, me një veprim të pashembullt në tërë historinë e parlamenteve të botës, ku normalisht janë rrëzuar mbretërit dhe jo fronëzuar, siç ndodhi në Shqipëri. Kështu, në vitin 2008, në vend të përkujtimit të 84 vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 dhe qeverisë të dalë prej tij, Qendra e Studimeve Albanologjike e Shqipërisë, në vartësi direkte të Kryeministrisë, organizoi më 1 shtator 2008, sesionin e parë shkencor kushtuar 80 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare.

Në fjalën e mbajtur në përurimin e përmendores së Mbretit Zog në Burrel, më 16 korrik 2009, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndër të tjera, tha: “Është një nder i madh, një kënaqësi e veçantë, që sot nisim festën e fitores, duke vendosur në piedestalin që e meriton njërin prej burrave të shquar të Kombit shqiptar, arkitektin dhe themeluesin e shtetit modern të shqiptarëve, Mbretin Zogu i Parë. Vendosja e shtatores të Mbretit Zogu i Parë në këtë shesh është një nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar; pavarësia u shpall në Vlorë, shteti modern shqiptar nisi këtu në Mat, me burrin e madh të kombit Ahmet Zogun.” (Gazeta “Bota Sot”, 16 korrik 2009).

Me rastin e përurimit të Ekspozitës fotografike, kushtuar 83 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, në Muzeun Historik Kombëtar, më 1 shtator 2011, Berisha і thuri përsëri lavde figurës së Ahmet Zogut dhe në fund u la porosi historianëve që ta rishikonin historinë e Shqipërisë. Në kuadrin e “rishikimit” të historisë, Kryeministri Berisha doli vetë me propozimin konkret para mbledhjes së Këshillit të Ministrave më 12 dhjetor 2011, që institucionet studimore, kërkimore e shkencore duhej të ridimensiononin figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të Pavarësisë së Shqipërisë, siç ishin sipas tij: Mbreti Ahmet Zogu, Esad Pashë Toptani, Hasan Prishtina etj. “Unë besoj se disa prej tyre, Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan Prishtina duhen të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit, pasi vërtet Pavarësia u bë në Vlorë, por kontributi і tyre ishte і madh kudo,” nënvizoi ai. (Gazeta “TemA”, 12 dhjetor 2011).

Por me ngritjen në piedestal të tradhtarit më të madh të gjithë kohërave të popullit shqiptar, gjeneral Esad Toptanit, nëpunësit e Institutit të Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës u detyruan t’i kujtonin rrogëdhënësit të tyre se, Esad pasha ishte bashkëpunëtori kryesor i mbretërive Serbe e Greke që synonin copëtimin përfundimtar të Shqipërisë midis tyre. Rehabilitimi і tij do të binte ndesh në mënyrë flagrante me arritjet e deritanishme të studimeve historike e shoqërore. (Gazeta “Shqiptarja.com”, dt. 22/12/2011, suplementi kulturor: intervistë e historianes Ledia Dushku, f. 12; gazeta “Standard online”, dt. 30/01/2012 etj.)

Kështu, një muaj më pas, më 12 janar 2012, gjatë mbledhjes së Komitetit Shtetëror të organizimit të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Sali Berisha e zëvendësoi shpejt ngritjen e shtatores së Esad Pashë Toptanit me atë të Ismail Qemal Bej Vlorës në Tiranë. Më 29 qershor 2012, Komiteti Shtetëror nën diktatin e tij miratoi edhe vendet e vendosjeve të shtatoreve të Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit.

Në mbledhje jubilare të 70 vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, ish-Presidenti Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të bashkoheshin me Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të udhëhequr “ndërtimin e Shqipërisë së Frashërlinjve, Ismail Qemalit, Fan Nolit etj; Shqipërinë e viteve 2000,” siç u shpreh optimist ai. Kur Berisha përmendi Frashërllinjtë, mua si historiane m’u kujtuan tre varret e vëllezërve Frashëri që gjenden në kodrat e Liqenit të Tiranës: në dy prej tyre prehen eshtrat e Abdyl e Naim Frashërit, ndërsa і treti, і ideologut dhe veprimtarit të madh të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë, eruditit Sami Frashëri vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë bosh. Eshtrat e patriotit Sami Frashëri gjenden në një varr të thjeshtë në një nga lagjet e Stambollit, në afërsi të ndërtesës së Konsullatës së Shqipërisë.

Atë mbrëmje, unë u gëzova, pasi mendova se “burri і shtetit” Sali Berisha do ta planifikonte edhe marrjen e eshtrave të Sami Frashërit me rastin e ndonjë jubileu të madh, siç do të vinte edhe 100 vjetori і Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Por, për ironi të fatit, në fjalën e mbajtur përpara Komitetit Shtetëror më 12 janar 2012, Kryeministri Berisha komunikoi se Qeveria Demokratike e Shqipërisë “do të marrë përsipër rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe, si dhe të ringrejë varrezën e familjes Mbretërore”.

Se sa seriozisht e kishte propozimin e tij antidemokratik, Kryeministri Berisha do e vërtetoi edhe një here në mbledhjen e qeverisë të datës 24 Prill 2012, ku deklaroi: “Rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog duhet të realizohet patjetër, brenda një afati sa më të shkurtër. Kjo duhet të shoqërohet me ndërtimin e varrezave të familjes mbretërore, i ka pasur ato. Mbi këtë familje është kryer një akt makabër, është minuar varri i nënë së Ahmet Zogut për fajin e vetëm që i dha Shqipërisë një burrë që bëri gjithçka për të ndërtuar një shtet.” (BalkanWeb, dt. 24 prill 2012)

Tashmë kur 88 vjetori і Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 iku pa asnjë përkujtim, presim të shikojmë Kryeministrin Berisha të vizitojë pyllin e kodrave të Liqenit të Tiranës; veçse jo nga ana e kompleksit të varreve të vëllezërve Frashëri, të cilët e shkrinë gjithë jetën për lirinë, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nga ana e rrugës së Elbasanit, prej ku, në ditën e zezë të 7 Prillit 1939, “mbreti і shqiptarëve” Ahmet bej Zogu, pas një sundimi diktatorial 14 vjeçar, u arratis nëpër natë për të shpëtuar kokën, familjen dhe arkat e fundit të florinjve të Bankës Kombëtare dhe të gëzonte dhe pasurinë që kishte depozituar me kohë në bankat e Anglisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga shitja pjesë-pjesë me afera korruptive të Shqipërisë në duart e Italisë fashiste të Benito Musolinit.