Invalidët: Qeveria kompenson biznese si të verbër

0
43

TemA, 27 Qershor 2012

Të verbrit dhe para e tetraplegjikët kanë protestuar sot para Kryeministrisë duke denoncuar si qesharake masën e re të kompensimit ekonomik që qeveria u jep kësaj shtrese.

Sipas personave me aftësi të kufizuar, qeveria ka vendosur t’i kompensojë jo më me përqindje, por me një shumë standarde që është 2 mije lekë për energjinë elektrike dhe 1 mijë lekë për shërbimin telefonik.

Ajo të cilës ata i trembeshin ka ndodhur. Ndryshimi i ligjit, i cili u njihte atyre kompensimin e 80% të konsumit të energjisë elektrike, transportin urban falas, si dhe kompensimin 20% të impulseve telefonike, ka dhënë efektet e para negative. Me ligjin e ri, tarifat nuk përcaktohen më nga ligji, por i lihen në dorë qeverisë dhe qeveria ka pasur vërtet dorë të rëndë për të verbrit dhe paraplegjikët e tjerë.

Për këtë arsye, ndërsa në sallën e qeverisë po merrej vendimi për masën e kompensimit për paraplegjikët, ata kanë dalë në Bulevard dhe kanë kundërshtuar ndryshimet e fundit ligjore për këtë kategori.

Kreu i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj, tha se “qeveria i mori këto masa për të frenuar korrupsionin me listat e atyre që përfitonin kompensime, por i kujtoj ministrit të Financave se në listat e atyre që përfitonin kompensime nga qeveria ishin rreth 1 mije biznese, dhe bizneset nuk janë të verbër”.

Ata deklaruan se nuk do t’i ndalin protestat e tyre duke kërkuar anulimin e ligjit, i cili e ka çuar këtë shtresë në kufijtë e mbijetesës tashmë./IDEA/