Nga Mero Baze, 21 Qershor 2012
Kemi dy raste për të cilat opinioni publik është i dëshpëruar nga pamundësia për të ndalur makutërinë e pushtetit. E para është historia e një tenderi për lotarinë kombëtare, ku një kompani austriake ofron publikisht planin e saj të biznesit për të marrë shumicën e të ardhurave të lotarisë kombëtare në raport me buxhetin e shtetit dhe qeveria ka shkualifikuar gjithë konkurrentët e tjerë, që synojnë t’i japin më shumë lek buxhetit dhe po shkon drejt shpalljes fituese të kompanisë austriake. Rasti i dytë, edhe më i dhimbshëm, ka të bëjë me Lulëzim Bashën.
Ai po shkatërron pa projekt, pa transparencë dhe pa u miratuar ende plani rregullues i Tiranës rreth 7 hektarë nga pjesa më e bukur e Parkut Kombëtar të Tiranës, përfshi dhe objekte me vlerë historike për të çuar rrugën e zgjeruar tek një qendër biznesi, për të cilën deri tani janë bërë dy autostrada, një perëndim-lindje dhe tjetra veri-lindje. Unë nuk e di sa ka kushtuar biznesi i këtij biznesmeni të oborrit, pasi ai nuk besohet as kur hesht, por di të them se qytetarëve të Shqipërisë u ka kushtuar nga buxheti i tyre për shkak të kapjes së shtetit nga ky biznesmen, rreth 30 milionë euro rrugë posaçërisht për këtë biznesmen që krekoset në zyrat e shtetit sikur t’i ketë pronë të vetën.
Duke pretenduar se ka kapur shtetin dhe i ka mbyllur vende-vende gojën dhe opozitës, ai ka inkurajuar kukullën që drejton Bashkinë e Tiranës të kombinojë interesa të tjera me Familjen në pushtet dhe të shkatërrojnë një pasuri kombëtare dhe historike, pa plan, pa transparencë, pa përgjegjësi dhe mbi të gjitha me një arrogancë që të irriton në atë shkallë sa të mbledhësh mijëra njerëz aty ku priten pemët dhe t’i çosh drejt biznesit të atij që po shkatërron Tiranën për të fituar miliona për vete.
Në një shoqëri të tillë ku në vend të përgjigjes për revoltën qytetare merr arrogancën e disa biznesmenëve bythëmëdhenj, që e kanë fjalorin e biznesit të tyre të kufizuar në pesë emra politikanësh dhe dhjetë emra sekserësh, rruga e duhur është t’i përgjigjesh dhunës ndaj publikut me dhunë. Nëse Lulëzim Basha, Sali Berisha, dhe shërbëtori i tyre i pafytyrë Ridvan Bode, mendojnë se biznesi i sekserit te tij vlen më shumë se Parku Kombëtar i Tiranës, atëherë ne duhet t’i tregojmë se biznesi i këtij të fundit mund të kthehet në një pirg me gurë dhe dërrasa të djegura me po atë shpejtësi që këta njerëz të kapur nga mafia po kthejnë në beton dhe pallate Parkun Kombëtar dhe vlerat e tij historike dhe ekologjike. Askush të mos çuditet një ditë se arroganca prodhon më shumë urrejtje tek qytetarët se sa vetë zullumi që ata bëjnë.
Njësoj si në rastin e Parkut ku askush nuk të përgjigjet për shqetësimin publik, po ashtu dhe në rastin e lotarisë kombëtare, në kulmin e krizës ekonomike, dëgjojmë Ridvan Boden që flet siç ia kërkojnë të njëjtit biznesmenë që diktojnë qeverinë. Aq qesharak është bërë Ridvan Bode si ministër i Financave të Shqipërisë, sa për çdo skandal apo korrupsion publik, ai një herë ka arsyetim çmimin, një herë seriozitetin e kompanisë, në varësi të oreksit të biznesmenëve të oborrit. Kështu, sa herë që në lojë janë biznesmenë austriakë, atje ku i biri i Berishës shkon zakonisht fundjavave, dhe biznesmeni i oborrit Zamir Mane ka rezidencën e vet kryesore, gjithmonë për Ridvan Boden nuk ka rëndësi çmimi i lartë që paguajmë, por serioziteti i kompanisë.
Të gjithë e pamë se si u zhvillua tenderi për parlamentin e ri që pretendojnë të ndërtojnë tek Piramida. Gazetat austriake e dhanë emrin e fituesit para se të bëhej ekspozita në Tiranë. Pastaj si për të zbardhur faqen, Berisha tha fillimisht se nuk do t’ia jepnin kompanisë austriake. Pastaj pas uikendeve në Vjenë të pjesëtarëve të Familjes dhe udhëtimeve në Tiranë të Grosrukut, Berisha në krah të Bodes tha pa asnjë skrupull se çmimi i lartë nuk ka rëndësi, rëndësi ka ta fitojë kompania serioze austriake.
Disa muaj më vonë ky njeri i pafytyrë anuloi tenderin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, duke ia hequr një kompanie serioze për t’ia dhënë një serbo-boshnjaku që fle në shtëpinë e tij, duke thënë se kishte çmim më të ulët dhe se nuk kishte rëndësi serioziteti i kompanisë që rekomandonte banka gjermane si financuese e një projekti me rëndësi kombëtare. Tani jemi krejt në pozita të njëjta, dhe meqë është një kompani austriake, dhe meqë tashmë dihen lidhjet dhe depozitat e Familjes në Austri, nuk paska rëndësi që buxheti i shtetit humbet nja 35 milionë euro nga lotaria, por paskan rëndësi miqtë gastrikë të Familjes në pushtet.
Kjo është një histori e pastër e një shteti të kapur nga mafia, ku nuk ka më rëndësi as ligji, as standardi i vendosur nga vetë qeveria, as turpi për të vjedhur dhe as shëmtia e kapjes së shtetit nga një grup biznesmenësh të oborrit të Berishës. Berisha dhe të vetët llogarisin se 21 janari e ka vrarë ndenjën e protestës qytetare dhe opozita ka vrarë shpresën se do ishte në krye të një beteje morale kundër kësaj që po ndodh.
Dhe me këtë vetëarsyetim të tyre, pas emërimit të një gjysmë njeriu në krye të shtetit, ata kanë pushuar së menduari se përveç Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës, Shpëtim Idrizit apo Fatos Nanos, në Shqipëri ekziston dhe populli shqiptar. Arroganca e gjithë pushteteve të mbledhur në dorën e Familjes u duket arsye e mjaftueshme për të na marrë çdo liri. Në fakt të qenit e gjithë pushteteve në një dorë dhe gjithë lirive ekonomike në tre-katër emra biznesmenësh, thjesht ua bën shqiptarëve më të qartë me kë kanë punë.
Parku prishet për një njeri me emër të përveçëm, për të njëjtin bëhet dhe lotaria, për të njëjtin është bërë dhe segmenti i unazës së re, për të njëjtin janë privatizuar reparte ushtarake, për të njëjtin është bërë tenderi i pullave fiskale, për të njëjtin janë dhënë leje e koncesione turistike, për të njëjtin dhe të ngjashëm me të ka dalë në pazar Shqipëria. Janë aq pak dhe është aq e qartë se kush janë, sa haram e paçim nëse na mposhtin. Vetëm se thirrja “tek sheshi”, “tek sheshi” nuk ka më kuptim. Së paku pemët e parkut po priten për të shkuar “tek Tegu, tek Tegu”!