Masakër në Tiranë, priten 7 mijë metër katror pyll brenda një natë. Bashkia: Do i dhjetëfishojmë në zona të tjera

0
84

TemA, 14 Qershor 2012

Parku i Liqenit drejt zhdukjes. Bashkia thotë se do zgjerohet Rruga e Elbasanit, por masakra është bërë brenda natës, pa asnjë tabelë e lajmërim, apo projekt konkret. Ambientalistët thonë se do ndërtohen pallate. Që tani ambasada turke ka marrë leje për të ndërtuar aty rezidencën e saj 7 mijë metra/katrorë. Po ashtu do ndërtohet një kampua universitar

Ambientalistët kanë denoncuar prerjen e 7000 metër/katror pyll brenda një nate në zonën përballë Fakultetit Filologjik në Tiranë.

“Është një masakër në mes të kryeqytetit të Shqipërisë, është një pabesi e madhe e kryebashkiakut që është prononcuar fuqimisht për një Tiranë të gjelbër. Kemi të bëjmë me një mungesë totale përgjegjshmërie për qytetin, tregon se shpejt, kështu si ky vend që shikoni këtu, do të masakrohet i gjithë parku. Ky është precedent shumë i rrezikshëm”, thotë ambientalisti Lavdosh Feruni.

Por Bashkia është përgjigjur duke thënë se po e bëjnë diçka të tillë për të zgjeruar Rrugën e Elbasanit.

“Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7km, do të jetë me 6 korsi 2x8m me trafikndarëse prej 1.5m ku është parashikuar dhe gjelbërim si dhe me trotuare në të dy anët e rrugës. Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e levizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës banorëve të Tiranës,” thuhet në njoftimin e Bashkisë.

“Bashkia e Tiranës garanton çdo qytetar se numri i pemëve të prera për t’i hapur rrugë realizimit të këtij projekti të rëndësishëm dhe me impakt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës do të dhjetëfishohet brenda këtij viti në ambiente të tjera të këtij parku,” vijon njoftimi.

Por ambientalistët e kundërshtojnë këtë.

“Këtu në këtë tokë ka projekte për t’u ndërtuar, projekte 5-12 katëshe. Për mua si ambientalist dhe qytetar, shqetësim është prerja e pyllit”, thotë ambientalisti tjetër, Sazan Guri.

Brenda ambientit të Parkut Kombëtar i është dhënë leje Ambasadës Turke për të ndërtuar rezidencat e saj, ndërkohë që sipas ambientalistëve ka të tjera projekte të pabëra publike që pritet të zhvillohen brenda ambienteve të këtij parku.

“Nuk ka asnjë tabelë. Është me detyrim ligjor të vendoset një tabelë se çfarë do të bëhet këtu. Nuk ka asnjë plan rregullues të miratuar, as nga Këshilli Bashkiak as nga qeveria. Zoti Basha ka ardhur në pushtet duke bërë një thirrje: do shtojmë sipërfaqet e gjelbërta të qytetit, dhe ky është hapi i parë. 7 mijë metra/katrorë që u hoqën brenda një nate në Tiranë, hapi i dytë është se ambasada turke që do të marrë 7 mijë metra të tjera, është kampusi universitar që pritet të ndërtohet pas universitetit, është unaza, e ashtuquajtura unazë, e cila qëllimisht u fut brenda parkut. Ne sot mund të themi që Tirana nuk e më Parkun e Liqenit”, thotë arkitekti Artan Shkreli.