Redan Bushati
Të gjithë jemi përqëndruar tek zgjedhja e presidentit të vendit, me shpresën se klasa politike shqiptare do të mund të kalojë provën e radhës, me maturi e dinjitet. Këto vite kinse demokracie në vendin tonë e kanë sfilitur dhe dërrmuar ndërgjegjen e popullit shqiptar. Klasa politike, pa përjashtim, kush më pak e kush më shumë, gjatë këtyre viteve të postkomunizmit, ka shfaqur tensione të ashpra, të cilat i kanë sjellë mjaft dëme shoqërisë sonë. Tani që mbi supet tona kanë kaluar gjithë këto vite, presim me ëndje e padurim që diçka të ndodhë. Po, çfarë? Asgjë! I njëjti teatër, të njëjtët aktorë, e njëjta shfaqje tragjikomike.
Mendoja se brezi i ri ka një personalitet të tijin, të qëndrueshëm e origjinal, me një mentalitet ndryshe dhe një kulturë të gjerë. Nga reagimet e fundit të mjaft prej tyre, sinqerisht kam mbetur më shumë se i zhgënjyer. Kush në njërën anë, e kush në tjetrën: flitet me të njëjtën gjuhë, gjuhën e urrejtjes dhe të smirës, gjuhën e ashpër të politikës së sotme dhe servilizmit të paskrupull pusht-etar. I kuptoj!
I kuptoj më së miri, pasi kam qenë prezent në shumë situata delikate e në mjaft vendime absurde të këtyre të rinjve e “padronëve” të tyre politik. Nuk ka gjë më të shëmtuar kur Ti, nuk flet i bindur në ato çka thua, porse zgjedh të prodhosh, duke përdhunuar karakterin Tënd, me gjuhën e tjetrit, atij që ndodhet mbi Ty, kodra mbas bregut! Vasalitet që buron nga servilizmi për të marrë atë çka, në rast të kundërt, mund ta humbasësh.
Kombi shqiptar, mbi shpinën e tij, ka përjetuar lloj – lloj tragjedish të rënda. Me të drejtë Kadare i quan rimohuesit shqiptarë shkurt “mohsa”, dhe u vesh atyre kultin e tradhëtisë që i shkaktojnë çdo ditë jetës së vendit. Kjo tradhëti, urrejtje për vendin, familjen dhe shoqërinë së cilës i përket e kanë katandisur në fatkeqësi “mohsin”, e bashkë me të krejt shoqërinë shqiptare.
Kjo, mund dhe duhet të ishte, një arsye më shumë se pse Kadareja duhej të pranonte ftesën presidenciale, përkundër çdo shfrytëzimi energjie të pamasë dhe çdo përballjeje të vështirë. Por, JO! As ai, më i madhi ndër shkrimtarë e më i njohuri ndër shqiptarë kudo nëpër Botë, u mposht nga frika se dalldisja e këtyre pseudoshqiptarëve, mund ta merrte edhe atë me vete, në rrjedhën e saj të skëterrshme për të shkatërruar dhe shitur si plaçkë tregu Shqipërinë dhe shqiptarët.
I shtyrë nga ndjenjat atdhetare e për t’i shërbyer vendit dhe njerëzve të mi rend me orë të tëra pas ekraneve televizive, gazetave kombëtare a axhansave të huaja dhe netëve pa gjumë. Mundoj të kap fillin e arsyetimit të ndërkombëtarëve, i cili tashmë më duket krejtësisht i qartë. Ato kërkojnë një president konsensual për t’i lejuar Shqipërisë integrimin e mëtejshëm. Tashmë, këtë e kuptojnë të gjithë, madje këtë synojnë, së paku mediatikisht, edhe dy liderët tanë politik, z. Berisha dhe z. Rama. Po pse nuk arrihet në një zgjidhje të tillë?!
Djegia e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, pak a shumë, ishte e pritshme, pasi dy forcat e mëdha politike në vend, edhe pse më në fund u ulën për të biseduar, mbajnë qëndrime të ndryshme, përkundrejt kërkesës së tyre për president konsensual. Sigurisht, personi se kush mund të vijë në krye të shtetit shqiptar përbën edhe thelbin e çështjes, aty ku me gjasë palët ndahen.
Para raundit të tretë, përsëri duhet ulur për të bashkëbiseduar me njëri – tjetrin, në mënyrë që debati të prodhojë më në fund zgjidhjen. E zgjidhja, shumë mirë, mund të vijë edhe jashtë radhëve të dy forcave politike, duke preferuar për zgjidhjen e ngërçit, pse jo, një njeri akademik, intelektual, kombëtar dhe i cili ka dhënë prova paanshmërie e dinjiteti në profesionin e tij.