Selaniku qe mikpriti mbi 350 mijë emigrantë shqiptarë

0
63

E Martë, 06.05.2012

SELANIK – Kemi kaluar doganën e Kapshticës në drejtim të Selanikut. Si dikur këtu fillojnë plagët e hidhura të kurbetit. Vetëm këtu në Greqinë e Veriut ka mbi 350 mijë emigrantë që i përmbledh konsullata e Selanikut. Ai është qyteti i dytë i Greqisë me gati 2 milionë banorë ku vetëm shqiptarë na thonë ka pasur mbi 350 mijë emigrantë.

Tek stacioni i trenit përballë stacionit të autobusëve ishte një shesh i madh që dëgjohej vetëm shqip. Jo është “Omonia” e Selanikut. Aty presin emigrantët shqiptarë që të merren për punë për të punuar çfarëdolloj pune.

Num Tupa, i ardhur prej 10 vjetësh së bashku me familjen në Selanik tregon se emigrantët shqiptarë i takon nëpër fabrika, kantijere, hekurkthyes, gurgdhendës, barinj majë malit nëpër stane, fëmijët nëpër shkolla etj. “Por, thotë ai, shqiptarët janë integruar me shumë dinjitet në Greqi nga ku grekët kanë krijuar dhe një shprehje. Kur iu drejtohen punëtorëve të tyre iu thonë ‘Të punoni si shqiptarët’”.

Agron Saliasi nga Korça, një burrë i fortë dhe me shikim të mprehtë, emigrant mbi 10 vjet në Greqi na thotë: “Ja, e shikon atë fabrikën e çimentos atje? E kam ndërtuar unë së bashku me disa shqiptarë të tjerë. Montonim kapriatat në katin e 17-të të saj. Mirëpo sot, ne po kthehemi me familjen në Korçë. Greqia mbaroi. Nuk kemi ç’të bëjmë më këtu!”. Në këmbët e monumentit gjigant të Aleksandrit të Madh, dëgjuam një pjesë orkestrale e interpretuar me saks.

Aty njohëm muzikantin nga Pogradeci, 52- vjeçarin Enver Ademi. Ka qenë prej shumë vitesh muzikant i njohur, por është invalid nga sytë pasi i ka ikur shikimi. Ka zgjedhur këtë mënyrë për të lypur duke argëtuar kalimtarët. Enveri na shpjegon se të ardhurat që merrte nga kempi nuk i dilnin për të mbajtur familjen ndaj ka gjetur këtë formë për mbijetesë. Kalimtarë të rastit i hidhnin monedha eurosh duke dëgjuar pjesët e interpretuara nga ai.

Mimoza Dako, mësuese e cila i është përkushtuar krijimit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Selanik. Ajo është njëkohësisht edhe Kryetare e parë e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Selanikut, e krijuar në vitin 1998. Mimoza së bashku me mësues të tjerë në mënyrë vullnetare iu zhvillojnë mësim fëmijëve shqiptarë në gjuhën amtare, me qëllim moshumbjen e gjuhës shqipe te fëmijët shqiptarë. Por, numri i tyre ka rënë ndjeshëm. Çdo ditë na largohen fëmijë së bashku me familjet e tyre për në Shqipëri. Nga 65 fëmijë që ju zhvillonim mësim, pothuajse gjysma e tyre është larguar në atdhe.

(bw)
www.voal-online.ch