Si “i pret në besë” Berisha killer-at e vet!

0
73

Nga Mero Baze, 17 Janar 2012

Vëllai i Hekuran Dedës ka dhënë deri më sot dëshminë më tronditëse për përfshirjen e Sali Berishës në krim. Ai ka shpjeguar me qetësi para kamerave të Artan Hoxhës, gazetarit që filmoi vrasjet e 21 Janarit, se në shtëpinë e tij ka shkuar Fatos Skeja, një gardist që është në dispozicion të Familjes Berisha (de facto shofer i Shkëlzenit dhe shoku i Rrahmanit), dhe u ka ofruar një valixhe me lek dhe identitetin e vrasësit të Hekuran Dedës, në shkëmbim të pritjes së Sali Berishës në shtëpinë e tyre. Për ata që janë të paqartë kush është Fatos Skeja, kujtoni disa kohë më parë një gardist që qëlloi me armë një kamerier tek Nëna Mbretëreshë.

U ndalua nga policia pas presioneve të shtypit, por ndërkohë njerëzit e tij mbërritën në spital tek viktima dhe ai u detyrua të ndryshonte dëshminë që kish dhënë para policisë duke shpëtuar gardistin. Në atë kohë zbuluam se zotëria kishte marrë pasaportë diplomatike me afat 20 vjeçar, për t’i shërbyer kryeministrit, dhe se ishte joformalisht më i rëndësishëm se komandanti i rojeve të Berishës për familjen Berisha. Unë e njoh më mirë, pasi tri ditë rresht para se të shpërthente mes flakëve makina ime, ka qëndruar pa u lodhur para pallatit tim. Pasi u dogj makina, s’e pashë më.

Pra, ky person, siç denoncon vëllai i Hekuran Dedës, ka shkuar në shtëpi të tij, u ka premtuar para, ka premtuar tu gjejë vrasësin dhe biles ka bërë dhe një premtim më makabër, ta vrasë dhe ai vetë vrasësin nëse nuk e vrasin këta!!!

Kjo dëshmi e tejkalon gjithë fantazinë tonë për spiralen e krimit në të cilën është zhytur familja Berisha. Ai vetë është sofistikuar aq shumë si shef i krimit, sa tashmë ka dy palë killer-a, një palë që i përdor për të vrarë demonstrues në bulevard dhe një palë tjetër që i përdorka për të vrarë vrasësit e 21 Janarit. Kjo do të thotë se Agim Llupo, Sadik Çela, Arjan Adhami, Ndre Prendi, apo kushdo që është përfshirë në gjuajtjen me armë zjarri më 21 Janar duke shkaktuar viktima, mund të jetë tashmë objekt i zhdukjes nga “killer-at” e besuar të Familjes, të cilët duan ta mbyllin gjakun me gjak, duke prerë në pabesi njerëzit që kanë përdorur për të mbrojtur pushtetin e tyre.

Dëshmia është rrëqethëse dhe njëkohësisht shumë e rëndë për tu lënë në heshtje nga prokuroria. Dhe nuk është vetëm vëllai i Hekuran Dedës që e dëshmon këtë. Para tij dhe babai i tij foli për të njëjtin rast, pa emër. Në emisionin ‘Xhungël’ të Artan Hoxhës, vëllai përmendi emrin me qetësi dhe bindje. Biles foli dhe për një lloj njohje të viktimës me të.

Ky është një shteg i ri që na çon drejt errësirës në të cilën ka gatuar krimin e 21 Janarit Sali Berisha. Pasi ai dështoi ta paraqiste atë si një krim të bërë nga vetë opozita, tentoi të përçajë familjet e viktimave, duke u paraqitur si në anën e tyre. Ai ka zgjedhur pikërisht familjen e Hekuran Dedës, një familje jo politike, që ndoshta ka votuar më parë dhe PD. Ka ofruar gjithçka për ta blerë gjakun, me shpresë se do të gjente personazhe të dobët, siç gjeti jo pak ne Gërdec, kur para topave me lek cash që u vendoste mbi tavolinën e zisë, ata nuk shikonin kodrat me kufoma që kishte shkaktuar biznesi i djalit të tij.

Ky është një shteg që na çon para faktit të kryer se Berisha ka qenë i ndërgjegjshëm për krimin që ka bërë dhe ka shitur dhe jetën e gardistëve të tij, mjafton të përçante familjet e viktimave. Njësoj si në çdo pushtet mafioz, ai po provon se shteti formal i tij, Garda e Republikës, nuk është realisht ajo që ai i beson. Ai po dëshmon se ka një strukturë informale besnikësh, njerëz që të trokasin natën në derë, të ofrojnë para ose tytë revolveri, të djegin makinën apo të çojnë për gjah, mjafton që të zhdukesh si dëshmitar.

Të tilla struktura kanë pasur gjithë diktatorët. Milosheviçi kishte Gardën, por kish dhe Legien që e drejtonte i biri, Sadami, Mubaraku, Ben Alia po ashtu. Më në fund kemi një fakt që kryeministri keqpërdor Gardën për nevoja politike dhe pastaj nxjerr në treg kokën e gardistëve të pafajshëm që kanë zbatuar urdhrat e tij. Nuk besoj se ky vend mund të ketë faktuar një njeri më të pabesë, më gjakatar dhe më të lig me bashkëpunëtorët e vet. Përfytyroni njeriun që bënte sikur mbronte gjashtë gardistët nga Ina Rama dhe i shiste ata si kokë turku për t’i hequr qafe në zemërim e sipër tek familjet e viktimave.

Përfytyroni si mund të marrë prapë armën dhe të “shtjerë pushkë” për këtë të pabesë një gardist. Përfytyroni sikur vëllai i Hekuran Dedës t’i kishte thënë dakord të dërguarit të tij dhe në fund të pazarit ai t’i kishte treguar fotografinë e Arjan Adhamit, Ndre Prendit, Agim Llupos apo Sadik Çelës. Përfytyroni si do qante Sali Berisha mbi arkivolin e atij që do të nxirrte në pritë dhe do thoshte e vrau Edi Rama. Siç tha “e vrau Fatos Nano” për Azemin…

Është mirë për një moment ta përfytyrojnë këtë dhe gardistët që do të jenë këtë 21 Janar para kryeministrisë. Duhet ta dinë se në kat të dytë, pas xhamit të blinduar është një njeri që u përgjon dhe u shet foton tek “armiku” përballë për të shpëtuar lëkurën e vet. Quhet Sali Berisha.