Rama: Do ta largojmë Berishën si Kryeministër

0
32

Ruçi, para takimit me Patozin: Do të mësoni qëndrimin tonë

Ndërsa Sali Berisha nuk e do në tryezë Edi Ramën, për të negociuar për presidentin e ardhshëm, kreu i PS-së ka bërë të ditur dje planin e opozitës shqiptare për të larguar Sali Berishën nga posti i Kryeministrit para zgjedhjeve të ardhshme. Qëndrimi i Ramës ka ardhur pikërisht pas pranimit të PS-së për t’u takuar me delegacionin e mazhorancës sot paradite në Kryesinë e Kuvendit. Me anë të një editoriali që ka shpërndarë në blogun e tij, Edi Rama ka bërë të ditur se opozita shqiptare do të bashkohet me “këdo”, me kusht që të largojë Berishën nga posti i kreut të qeverisë pasi, sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër.

Rama

Në editorialin e tij me titull “Kremtimi i pavarësisë si dramë dhe si komenti”, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, thekson se “për Shqipërinë e mbetur tri herë jashtë Europës, një gjë është e sigurt: asgjë s’do të jetë më njësoj në Shqipëri kur të largohet nga qendra e skenës së historisë së këtij vendi, ky personazh jashtëhistorik për Europën, për Ballkanin e për vetë Shqipërinë e vitit 2012. E në këto kushte e vetmja mënyrë për ta kremtuar ditën e pavarësisë, pa e ngrënë tërë turpin e këtij viti me bukën e dështimeve të shkaktuara për hir të pushtetit dëmsjellës e qesharak të këtij personazhi, është që ky njeri të mos jetë më Kryeministër kur të gdhihet 28 Nëntori e të këndohet himni kombëtar”.

Por si do ta realizojë opozita qëllimin e saj për të larguar Berishën nga qeveria. Me mocion mosbesimi në Parlament? Edi Rama nuk e bën të qartë në editorialin e tij, por më poshtë shton: “Qoftë edhe vetëm kjo, nuk është një arsye e vogël për ta shkulur një orë e më parë që aty, duke bashkuar çdo forcë e çdo votë të mundshme, pa humbur kohë, duke menduar se sa ia vlen apo nuk ia vlen bashkimi me këdo qoftë për të qeverisur vitin e ardhshëm”.

Gjithçka duket e qartë dhe e përcaktuar: opozita nuk do të hyjë më në negociata për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me këto rrethana. “Me një reformë zgjedhore të minuar haptazi për të përsëritur avazin e vjetër e me një president të zgjedhur për të garantuar jo Shqipërinë po vetveten, ai na ka ftuar të zgjedhim: ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do t’i vjedhë përsëri zgjedhjet e do ta bëjë shkrumb ëndrrën e Shqipërisë Europiane. Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë”, e mbyll Edi Rama shkrimin e tij.

Patozi dhe Ruçi, Negociatat

Edhe pse opozita e ka bërë të ditur qëllimin e saj, konfirmohet se sot paradite do të zhvillohen negociatat formale ndërmjet kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, dhe homologut të tij të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Duke folur për “Shqip” nëpërmjet telefonit, Ruçi deklaroi se gjithçka do të bëhet e ditur nga takimi i sotëm dhe se opozita e ka bërë të qartë qëndrimin se kërkon një proces për presidentin dhe nuk do të flasë për emra. Por ndërsa Berisha e ka mënjanuar Ramën nga negociatat, Ruçi do të shkojë sot me një kartë më shumë, kur kreu i partisë së tij ka bërë të qartë qëndrimin politik se jo thjesht nuk do të takohet me Berishën, por do të bashkojë votat në Parlament për të shkarkuar Kryeministrin aktual. Shkurt, parashikohen negociata më shumë se të nxehta, të tensionuara.


Rama: “Ai na ka ftuar të zgjedhim: ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do t’i vjedhë përsëri zgjedhjet”

Bashkimi: Edi Rama bën të ditur në editorialin e tij të botuar mbrëmë, se do të bashkojë “çdo votë të mundshme” për të rrezuar qeverinë “Berisha”

Ruçi: Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se do të bëjë të ditur sot qëndrimin pas takimit me kolegun e tij të PD-së

Mocioni: Që të rrëzohet qeveria në Kuvend duhet që një grup deputetësh, përveç se të paraqesë mocionin e mosbesimit, do të duhet të paraqesë kandidatin alternativ

PD-ja, së bashku me Mediun dhe dy deputetët e PDIU-së në Parlament, arrin të ketë vetëm 69 deputetë

Opozita, nëse merr me vete votat e LSI-së dhe të deputetëve të pavarur, arrin 71 deputetë