TemA, 25 Maj 2012
Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga votimi i parë në Parlament për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës, në një intervistë për Top Channel ambasadori Damimarkës në Tiranë Karsten Ankjaer Jensen shprehet se 5 vitet e ardhshme të integrimit europian të Shqipërisë lidhen ngushtësisht me personin që do të zgjedhin politikanët shqiptarë.
Bisedoi: Muhamet Veliu
Zoti ambasador, vendi juaj është duke drejtuar presidencën e BE. Do të doja t’ju pyes në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri që lidhen me mos finalizimin e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, ndërkohë që patëm një deklaratë nga komisioneri Stefan Fyle, i cili vuri si afat datën 24 maj.
Shpreh keqardhjen për këtë, pasi ka mbetur pak kohë për Shqipërinë deri në progres raportin e ardhshëm nga ku komisioneri do të propozojë ose jo për marrjen e statusit të vendit kandidat. Pra ka mbetur pak kohë në përmbushjen e prioriteteve. Unë personalisht, dhe shumë prej kolegëve të mi shprehim keqardhje që ky afat nuk u përmbush. Kjo të bën të mendosh nëse klasa politike shqiptare me sinqeritet do të përmbushë aspiratat e popullit të tyre për t’ju bashkuar BE-s. Ata humbën mundësinë të përfundonin reformat brenda këtij afati, por ku i dihet, mbase ata vendosin të merren vesh, të gjejnë një kompromis sonte apo nesër. Nëse e bëjnë këtë nuk do të jetë fundi i botës. Dua ta theksoj. Ka mbetur shumë pak kohë për ta bërë këtë.
Më 30 maj parlamenti do t’i drejtohet votimit të parë për të zgjedhur presidentin e ri. Cila është pikëpamja juaj për procesin e deritanishëm?
Procesi deri më tani ka qenë kryesisht në media dhe emisione të ndryshme televizive. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është personi. Ajo që merr një rëndësi të veçantë është se cilin person do të zgjedhin politikanët shqiptarë. Shqipëria është përballë një mundësie për të dërguar dy mesazhe. I pari: që ata kanë ngecur tek e shkuara politike ose janë duke pare nga e ardhmja.
E shikoj si me shumë rëndësi se cilin person ata do të zgjedhin. Ai do të jetë fytyra apo imazhi i Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme, që janë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë drejt proceseve integruese. Dhe prandaj ky person do të jetë imazhi i shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë, të cilët ne duam t’i shohim si pjesë e Europës. Ose do të jetë fytyra apo i mazhit i asaj që edhe mund të shkojë keq me politikën shqiptare, të cilën ne në asnjë mënyrë nuk duam ta importojmë në Europë. Prandaj është një zgjedhje e rëndësishme ajo çfarë pritet të vije nga politikanët. Kjo pasi ose do ta bekojë dhe kënaqe Shqipërinë, ose do të qëndrojë si një hije e keqe për 5 vitet e ardhshme.
Prandaj e përsëris. Është një zgjedhje vendimtare. Nëse bëhet zgjedhja e gabuar, kjo nuk do të ndihmojë Shqipërinë drejt integrimit europian. Integrimi do të ndodhë herët a vonë. Pra është çështje kohe, por nëse ju zgjidhni një president që do të kthehet në një pengesë për integrimin, ky proces do të marrë më shumë kohë duke menduar se sa i rëndësishëm është ky vit, kur kremtohet 100 vjetori pavarësisë. Zgjedhja e presidentit mbart një diçka sinjifikative. Shpresoj që politikanët shqiptarë do të plotësojnë detyrat e saj duke i gëzuar shqiptarët me marrjen e statusit të vendit kandidat.
Komuniteti ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur është shprehur për një president konsensual, por qartas shikojmë kryeministrin Berisha, i cili thotë se presidenti duhet të jetë nga radhët e PD. Kjo këmbëngulje e kryeministrit mos vallë është një devijim nga apeli që keni bërë për një president konsensual?
Jo. Janë dy gjëra. Një president konsensual do të dërgojë sinjale të forta në Europë se politikanët shqiptarë e kanë të mundur të punojnë për një qëllim të përbashkët. Merr rëndësi se cilin person ata do të zgjedhin duke përdorur kompromisin. Nëse është një person që dërgon sinjale se Shqipëria ka mbetur tek e shkuara, atëherë kjo nuk do ta ndihmojë integrimin. Nëse ai do të tregojë se qëndron nga ana e së ardhmes së Shqipërisë, atëherë kjo do ta ndihmonte integrimin. Do jetë një hap pozitiv nëse deputetet do të vendosin për një kandidat me standarde të larta dhe do të demonstrojnë unitetin e Shqipërisë duke çuar sinjale pozitive të dyanshme si në Shqipëri ashtu edhe në Bruksel. Por natyrisht nuk do të dërgohet një mesazh pozitiv nëse presidenti zgjidhet me 71 vota. Ky nuk do të jetë një mesazh i mirë nga parlamenti. Duhet të kemi parasysh faktin se kjo është një zgjedhje që zgjat 5 vjet.
Sa i dëmshëm është për imazhin e Shqipërisë raporti i djeshëm i Departamentit të Shtetit ku nënvizohen çështje si ato të zgjedhjeve lokale të 8 Majit, ngjarjet e 21 janarit dhe korrupsioni?
Nuk e kam lexuar të gjithë raportin, por vetëm një përmbledhje të tij. Ajo që reflektohet në raport janë ekzaktësisht çështjet që janë kthyer në probleme për integrimin europian. Ato duhet të zgjidhen në mënyrën e demonstrimit të standardeve demokratike dhe shpirtit europian.







