Nga Mero Baze
Një muaj më parë, në redaksinë time trokiti një inxhinier, që dëshironte të më shpjegonte atë se çfarë mund të ndodhte në digat e Drinit nga keqmenaxhimi dhe mungesa e përgjegjësisë. Megjithëse shpjegimi i tij ishte i thjeshtë dhe bindës, m’u duk paragjykues dhe thjesht ruajta adresën e tij. Pak javë më vonë ai më dërgoi mesazhe të tjera dhe folëm dhe në telefon. Sërish unë isha skeptik për alarmin e tij. Një ditë pas Vitit të Ri, u ndjeva fajtor, që si gazetar nuk arrita të kap në kohë shqetësimin e një inxhinieri profesionist, që kishte ndërtuar vetë Portat e Remont-Avarisë në Koman, dhe që ishte i alarmuar nga mundësia e rritjes së nivelit të ujërave dhe rreziqet që mund të shoqëronin shkarkimin. E mora në emision me fillimin e javës së parë të janarit dhe argumentet e tij në të vërtetë rikthyen vëmendjen te thelbi i problemit. Inxhinieri quhet Dhimitër Cico. Nuk kishte asnjë detyrim të më “bezdiste” mua si gazetar, nuk kishte asnjë detyrim të bezdiste autoritetet e Komitetit të Digave të Larta, por ndjehej i shqetësuar si qytetar dhe si njeri që kishte dhënë kontributin e tij në ato diga.
Në çdo vend të botës kjo “Kasandër” duhet të nderohej për përkushtimin e tij ndaj një pasurie tonën të përbashkët dhe paralajmërimin ndaj një rreziku po ashtu të përbashkët që na kanoset. Ashtu sikundër unë fajësoj veten dhe i kërkoj ndjesë që nuk e vlerësova shqetësimin e tij në fillim të dhjetorit, kryeministri, ministri i Brendshëm dhe ai i Energjitikës duhet t’i kërkojnë falje zyrtare dhe të vlerësojnë përkushtimin e tij.
Por ç’ndodhi në të vërtetë?
Në vend që ta falënderonte, kryeministri e fyeu rëndë, ashtu siç di të fyejë ai, duke e akuzuar se kishte bërë deklarata kundrejt pagesës. Kjo deklaratë e ligë mund të dalë vetëm nga goja e një kryeministri të paaftë, që befas kupton se ajo që ai ka bërë për muaj të tërë, është gabim, është katastrofë dhe një dështim fyes për çdo zyrtar që tenton të drejtojë pa përfillur profesionistët. Vetëm një kryeministër i fyer në sedrën e tij të sëmurë prej dështaku mund të fyejë ashtu një profesionist që ngeli dyerve të redaksive duke trokitur për të ngritur një shqetësim qytetar. Vetëm një kryeministër, që befas kupton sa vulgar është në komandat e tij politike mbi profesionistët e digave, duke çuar vendin në buzë të katastrofës, mund të egërsohet në atë mënyrë dhe mund të fyejë një profesionist të vërtetë, që e ka ngritur nga rehati i shtëpisë së tij thirrja e ndërgjegjes për mundin e tij disavjeçar.
Dhimitër Cicon nuk ka kush ta paguajë dhe kjo është një fyerje për shoqërinë tonë. Atë nuk e paguajmë ne që bëjmë gazetari, jo vetëm pse nuk kemi paratë që ka Sali Berisha, por dhe sepse ai nuk është pjesë e punës sonë. Ai është një njeri që na gjeti dhe nuk e gjetëm. Ai është një njeri që na kërkoi dhe nuk e kërkuam. Ai është një njeri që po paguante, siç pagoi, me autoritetin e tij për të ngritur një alarm, të cilin, ata që e kanë detyrë, bënin sikur nuk e dëgjonin. Dhe befas kryeministri kupton se qëndrimin e duhur nuk e ka ai me cektësinë e tij feudale, por një inxhinier i thjeshtë, i papunë, i papaguar dhe i braktisur nga kjo shoqëri, që respekton plehrat dhe flak vlerat. Dhe i tërbuar nga kjo e fyen. S’ka asnjë shpjegim tjetër psikologjik veç zilisë për dijet e tij, veç zilisë për përkushtimin e tij, veç zilisë për lartësimin e tij në sytë e shqiptarëve, kur foli një muaj para për këtë që ndodhi sot.
Një muaj më pas ne kemi 3 mijë banesa që po prehen nën ujë dhe mijëra qytetarë që po enden tek të afërmit e tyre për t’i shpëtuar katastrofës shtetërore të përmbytjes. Vetëm në Shkodër janë shpallur publikisht 5 adresa si qendra evakuimi, por aty thuajse nuk shkon askush. Në të tri mijë shtëpitë e braktisura, ndërkohë nuk shikon asnjë polic. Asnjë inventar nuk ka për bagëtitë e dëmtuara apo të braktisura dhe asnjë rrethanë lehtësuese për transportin e tyre. Në ditën e saj të 8 qeveria ka bilancin më të hidhur të mundshëm që mund të ketë një ekip menaxhues në rast fatkeqësish. E thënë me pak fjalë, asnjë qytetar nuk i ka besuar familjarët te Lulzim Basha, asnjë kryefamiljar nuk i ka besuar pasurinë Lulzim Bashës dhe asnjë familje shqiptare nuk ka shpresë se mund t’u shpëtojë pasuria prej Lulzim Bashës.
Në ditën e tyre të tetë, zyrtarët shqiptarë nuk kanë dot asnjë shembull pozitiv, qoftë dhe të trukuar, ku të tregojnë së paku se kanë njëmijë qytetarë të nën-Shkodrës të evakuuar, të sistemuar, me pasuri të inventarizuar dhe në kushte normale të shmangies së traumës që ua ka shkaktuar qeveria. Ky shembull mungon. Qeveria më shumë se çdo gjë tjetër sot ëndërron për këtë shembull, për këtë kronikë në TV Klan, për këtë mrekulli që do ta bënte të quhej qeveri. Nuk e ka. Sali Berisha, i tërbuar nga kjo, i tërbuar nga dështimi i menaxhimit të digave, i tërbuar nga katastrofa që ka shkaktuar me duart e veta, i tërbuar nga fakti që në këtë vend ka njerëz të thjeshtë, normalë, që dinë ta bëjnë më mirë se ai dhe soji i tij këtë punë, nuk shkarkon Dritan Priftin, nuk shkarkon ministrin më qesharak të Shqipërisë, Lulzim Bashën, por i turret një inxhinieri të thjeshtë, një qytetari patriot, që po të ishte dëgjuar 5 minuta, mund të kishim shpëtuar nga kjo katastrofë. Sot, kur është dita që ne duhet t’i kërkojmë ndjesë inxhinier Cicos, dëgjojmë qesharakun Lulzim Basha të flasë për grupe armiqësore, që përhapin panik pas përmbytjes.
Sot, kur ne duhet të rikthejmë vëmendjen te profesionistët dhe t’u japim atyre, jo vetëm stimulin moral, por dhe atë material për të drejtuar me kompetencë këtë vend, dëgjojmë një kryeministër të lig nga paaftësia të akuzojë një njeri që e ka flakur në rrugë, se është i paguar të “paralajmërojë” fatkeqësitë. Ky është një paradoks i madh, i cili na sjell natyrshëm në mendje pyetjen: Po këtë kryeministër kush e paguan për të na bërë këtë katastrofë që na bëri? E hidhur është, se Berisha paguhet prej shqiptarëve, pasurohet prej shqiptarëve dhe u sjell atyre fatkeqësi të tilla, kurse inxhinier Cico është nga ata që ka punuar për shqiptarët, ka paguar për shqiptarët dhe tani po poshtërohet nga një kryeministër i lig.