Reagon Myslym Pashaj: Ligji për kufijtë detarë, sërish antikushtetues

0
58

TemA Online, 18 Maj 2012

Koloneli Myslym Pashaj, i cili bëri betejën për anulimin e Marrëveshjes së Kufijve Detarë me Greqinë, ka reaguar ndaj ligjit të ri për kufijtë detarë, që po diskutohet në parlament, dhe shpreh rezervat e tij për ambiguitetet që ai lejon, të cilat cenojnë Kushtetutën e Shqipërisë.

Në një deklaratë për shtyp, Pashaj i bën apel “specialistëve gjeografë dhe ligjorë, studiuesve të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjeoshkencave, Departamenteve të Gjeografisë të Universitetit të Tiranës, të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Detare, studentëve të gjeodezisë, hartografisë, gjeomatematikës, të demonstrojnë ndaj këtij ligji të hartuar në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.”

“Ky është një alarm i vërtetë, një kambanë për veshët e shqiptarëve se sa poshtë kanë rënë institucionet, studiuesit dhe ligjvënësit e këtij shteti në njohjen e Shqipërisë së tyre, se sa papërgjegjshmëri skajore shpërfaqin kuvendarët ligjorë dhe ata të sigurisë kombëtare teksa risjellin një ligj të tillë, që është një njollë turpi. Deti Jon i shqiptarëve nuk mbaron deri tek Kepi i Sarandës or kuvendarë! Nuk ka as “Kep të Sarandës” dhe ju keni bërë një shkelje të rëndë në përshkrimin e Ujërave të Brendshme duke ia hapur derën e detit për negocime të reja shtetit fqinj, gjersa na keni bashkuar një vijë të drejtë Kepin e Qefalit e Kepin e Sarandës.

Po më tej pse nuk keni shkuar? Kush iu ka penguar!?

Vijat bazore që keni përcaktuar e kanë nxjerrë në treg detin e shqiptarëve.

Të gjithë, pika (1) dhe (2) e nenit 3, janë të pasakta në terma ligjorë ndërkombëtarë dhe nuk japin “vijën bazore”, të cilën duhet ta përkufizojë Ligji Detar i Brendshëm. Nuk mund të ketë kufij pa një vijë bazore të saktë. Përfytyroni se është lënë edhe emërtimi “…i kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi) “me një shtrirje që s’mund të kuptohet dot.

Ky ligj nuk duhet të kalojë në Parlament mbasi ai nuk ka përkufizuar vijat bazore, emërtimet e sakta të kepeve, koordinatat e saktë të vijëdrejtave bazë nga nis matja dhe llogaritje e vijës së mesme të Ngushtesës së Korfuzit, e cila për të dy shtetet është brenda 12 md (miljeve detare) çka ka të bëjë edhe me mëvetësinë territoriale të të dy vendeve fqinjë. Emërtimet që janë dhënë, janë ç’orientime të mëdha e të duken sikur i kanë hartuar ata që nuk kanë qenë kurrë në këtë vend dhe jo specialistë shqiptarë. Nuk janë ndarë gjiret që përmbushin kushtin gjeometrik si gjiri i Tetranisit as Kanali i Butrintit etj.”

Ndërkohë Aleanca KuqeZi kundërshton me “të njëjtin intensitet dhe skandalin e radhës së kuvendarëve të Shqipërisë, të cilët nuk u mjaftuan më një vit skandal dhe rrëzimin që Gjykata Kushtetuese i bëri aferës së politikës së gjunjëzuar shqiptare ndaj asaj helene. Ky kuvend dhe këta kuvendar vërtetojnë ditëpasdite se nuk janë asgjë më shumë se sa haraçe të presionit grek.”