Ministri danez për Evropën sjell mesazhin e BE-së në Tiranë: President konsensual

0
57

Presidenti i Shqipërisë me ministrin danez

Nikolai Uamen, ministri danez për Evropën, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së, ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri. Vamen, i shoqëruar nga ambasadori danez në Tiranë, Karsten Jense, është takuar fillimisht me presidentin, Bamir Topi. Kreu i shtetit pasi ka shprehur falënderim për mbështetjen e Danimarkës drejtë integrimit në BE dhe ka nënvizuar se për marrjen statusit kandidat duhet bashkëpunim i gjithanshëm.

“Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në BE kërkon një angazhim maksimal të institucioneve dhe të klasës politike shqiptare, dialog serioz dhe sjellje dinjitoze të të gjithë aktorëve politikë, përkushtim dhe zbatim korrekt të legjislacionit në fuqi, si dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë”.

Nga ana e tij Vamen, pasi bëri me dije se një ndër përparësitë e programit të presidencës daneze mbetet vazhdimësia e procesit të zgjerimit dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat, garantoi përkrahjen e mëtejshme.

Ministri danez theksoi rëndësinë e përmbushjes së kritereve politike nga ana e Shqipërisë dhe përfundimin me sukses të reformave të nevojshme për anëtarësim si ajo zgjedhore, reforma parlamentare si dhe zgjedhja me konsensus e kreut të ri të shtetit shqiptar, i cili duhet të përfaqësojë unitetin e të gjithë popullit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Vamen pritet të takohet dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin, Sali Berisha, zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Vizita e Uamen vjen dy ditë pas takimit në Bruksel të përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian, ku u shkëmbyen pikëpamjet lidhur me procesin e integrimit në BE. /F.Stafa/