Ditë të këqija për Bashën and co., brenda PD-së

0
65

Nga Mero Baze, 12 Maj 2012

Nuk ka më dyshime se Ilir Meta ka ndërtuar një marrëdhënie reale me liderin e opozitës. E mirë apo e keqe, parimore apo pragmatiste, e moralshme apo e pamoralshme, ky është një debat që zien brenda opozitës. Brenda Partisë Demokratike zien një debat tjetër. Si do të rigrupohen forcat pas ikjes së Ilir Metës brenda shumicës.

Së paku pas 21 Janarit, dhe sidomos gjatë dhe pas fushatës për zgjedhjet lokale, brenda shumicës u konsoliduan dy grupe të qarta politike, grupi i ministrave dhe drejtuesve të vjetër të PD-së, luajalë me Berishën dhe pa pretendime politike të mëtejshme, dhe grupi i Bashës, i cili pretendonte se po zgjeronte shumicën për shkak të aleancës së tij të fortë me Ilir Metën dhe faktorë të tjerë jashtë PD-së së vjetër. Pjesë organike e këtij grupi ishte botuesi i gazetës 55, Fahri Balliu, botuesi i gazetës Panorama dhe disa mediave të tjera, disa deputetë të PD-së, të papërfillur ende nga pushteti si dhe natyrisht fëmijët e Berishës, të cilët kishin lehtësinë të komandonin këtë aleancë.

Të dy grupet funksionuan për një kohë të gjatë në garë se kush ishte më i afërt me Berishën, pa e shqetësuar këtë të fundit me rivalitetet e tyre. Herë pas here grupi Basha-Meta vinte në shënjestër ministra të papëlqyer prej tyre, por kur çështja shkonte deri tek Berisha, tërhiqeshin. I tillë ishte sulmi ndaj ministrit Olldashi për linjat e internetit në Shqipëri, një sulm i drejtë dhe parimor, nëse do të bëhej vërtet për atë çfarë kish ndodhur.

Por shumë shpejt u pa se në përpjekje për të kapur si të korruptuar Olldashin, padashje grupi Basha-Meta kishin “kapur” Berishën dhe u tërhoqën menjëherë. Jo vetëm linjën e internetit që kish nisur Bashkim Ulaj, dhe për të cilën sulmohej Olldashi, por dhe tenderin zyrtar për një projekt të ngjashëm e fitoi e njëjta kompani, por e njëjta medie heshti. Po ashtu Olldashi ishte në sulm të vazhdueshëm nga dyshja Meta-Balliu për shkak të derës së mbyllur që ata gjenin për ndonjë pazar me tenderët e rrugës dhe tentonin ta akuzonin atë për lidhje me opozitën.

Një tjetër sulm pasoi më pas ndaj disa ministrave të vjetër në PD siç ishte Ruli, dhe së fundmi sulmet po përqendrohen mbi Ridvan Boden. Grupi Basha-Meta ka pasur një shtrirje më të zgjeruar në medie, përveç gazetës RD, që kontrollohet më shumë nga kundërshtarët e tyre, dhe ka qenë më aktiv në krijimin e një klientele mediatike, por dhe biznesmenësh rreth tyre. Basha dhe Meta frekuentohen publikisht me të njëjtit biznesmenë dhe botues gazetash e TV-sh dhe janë thuajse në armiqësi me grupin mediatik të Klanit dhe RD, që janë më të afërt me pjesën tjetër të ministrave.

Për këtë arsye, zhvillimi më i rëndësishëm brenda shumicës është se si do të riorientohet kjo strukturë e ngritur nga një konjukturë politike me synimin për të qenë afatgjatë?

Lulëzim Basha po hesht. Edhe pse ka kaluar një vit që ka hyrë me dhunë në zyrat e Bashkisë, ai përveç karrotrecave të Kunatit dhe njerëzve të gruas që ka punësuar, nuk ka bërë asgjë për qytetin. Rrugët vazhdojnë të jenë plot gropa dhe imazhi i tij në medie është sfumuar nga mosmbajtja e asnjë premtimi të bërë për vitin e parë.

Edhe pse Arjan Çanit i pati premtuar se më 13 nëntor të 2011 do t’i jepte hipotekën e shtëpisë, ende pas një viti nuk ka mundur të bëjë dot gati qoftë dhe një dosje nga të tijat, jo nga ato që ka gjetur nga Rama, për ta çuar në hipotekë. Edhe pse ka premtuar punësim, thjesht ka hequr nga puna rreth 400 punonjës të ish-administratës së mëparshme. Edhe pse premtoi të firmoste planin urbanistik që ishte gati, po vjen vërdallë të kënaqë gjithë klientët e pushtetit që po diktojnë zhvillimin e ardhshëm të Tiranës.

Edhe pse premtoi se do të ulte taksat, i ka trefishuar ato gjithandej, dhe në ndonjë rast si taksa e pastrimit, e ka dhjetëfishuar. I përballur me këtë mashtrim publik, ai është zhdukur nga ekranet dhe gazetat dhe i është dorëzuar planeve të biznesit të Kunatit, që po qeveris Tiranën. Në PD ka egërsi ndaj tij për mospërfillje të njerëzve të PD-së dhe kthimin e Bashkisë në një shtëpi ku gjithkujt i duket vetja “dhëndër brenda” tek vjehrri i tij.

Plasaritja e raporteve të Ilir Metës me shumicën dhe nervozizmi që po shoqëron këtë proces, e ka vënë Bashën në pozitë edhe më të vështirë. Mbi të gjitha ai e di se një ikje përfundimtare e Metës nga koalicioni me PD, përveçse e dobëson atë ndjeshëm brenda PD-së, e lë atë pa asnjë shpresë për zgjedhjet e ardhshme, edhe sikur t’i numërojë votat vetë që ditën e parë Sashenka me Tom Ndrecën.

Në këto rrethana, e vetmja shpresë e tij është të mbajë fort katër- pesë deputetë që ka brenda PD-së, t’i sigurojë që votimi do të jetë i fshehtë dhe t’i mobilizojë të votojnë kundër një kandidature të mundshme të zonjës Topalli, për të ndalur shkakun që mund ta lërë atë jashtë çdo gare në PD. Ai ka shkuar larg në intrigat dhe prapaskenat ndaj ministrave të PD-së, sidomos ndaj Olldashit, Rulit, Pollos dhe Bodes, dhe ka bërë kujdes të shihet hapur armiqësia e tij me zonjën Topalli. Këto janë arsye të mjaftueshme që ata tashmë të bëjnë sikur ai nuk ekziston.

Dhe ai ka arsye të fortë për tu treguar se është gjallë. Kërkesa e Metës në takimin me Ramën për garantimin e një procesi të sigurt të fshehtësisë së votës për presidentin, ka mes të tjerash garancitë për këtë kategori deputetësh, të cilët duan ta pengojnë me çdo kusht fuqizimin e njerëzve, të cilët do t’ia bëjnë të pamundur rikthimin Bashës në PD.

Tani për tani ai po hesht, dhe ndoshta së bashku me Balliun e 55 dhe klientët e tij në disa medie të tjera, nuk po ia përmendin emrin Metës si tradhtar, por vetëm Ramës si imoral që u ka marrë të dashurën e tyre. Por kjo situatë nuk mund të zgjasë pa fund. Para 24 korrikut ata duhet të shprehen nëse janë me Metën ose kundër tij, nëse Berisha nuk denjon të ulet për një president konsensual ku “armiku” nuk kuptohet me kë është.