Nga Eduard Zaloshnja, 10 Maj 2012
Ju kujtohet blerja e Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë dy vjet më parë? Banka e bleu atë godinë nga qeveria për 30 milionë euro atëherë dhe ende nuk e ka vënë në shfrytëzim. Ndërsa qeveria i përdori me vrull eurot që mori e që i duheshin për të maskuar nevojën për rritjen e borxhit publik. Një tranzaksion i ngjashëm është kryer përsëri këto ditë. Ndërmarrja e ujësjellës-kanalizime e Tiranës ka blerë për rreth 15 milion euro, hidrocentralin e Lana-Bregasit, i cili ishte në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës.
Paratë për blerjen e HEC-it janë marrë kredi nga bankat tregtare. Duke llogaritur edhe interesat e kredisë, ky tranzaksion kap vlerën e rreth 20 milion eurove. Pra qeveria nuk del vetë në treg për të marrë kredi por nxjerr Ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës për ta kryer këtë veprim. Në këtë mënyrë, në librat e saj nuk do të figurojë një shtesë e borxhit.
I intervistuar nga Top Channel, Pajtim Bello, një njohës i mirë i veprave energjetike, ka thënë se edhe çmimi i shitjes është abuziv. Sipas tij, një hidrocentral me fuqi të njëjtë sa Lanabregasi mund të ndërtohet me gjysmën e çmimit që po e blen Ujësjellësi, duke u kursyer qytetarëve 7.5 deri në 8 milionë euro. “Po ta shikojmë në tërësinë e vet, si biznes, po të marrim edhe interesat e kredisë që do të paguajë, i bie që diferenca nuk është më 7.5 ose 8 milionë euro, është diku rreth 11 milionë euro më shumë. Pra të paguash 11 milionë euro, si pa të keq, kur nuk ke arsye të paguash”, thotë Bello.
Shoqata e Ndërtuesve ka kohë që thotë se qeveria u detyrohet ndërtuesve rreth 100 milionë euro për punë të kryera prej tyre e të papaguara. Edhe ky borxh nuk figuron në librat e qeverisë.
http://respublica.al/artikuj/2012/5/10/qeveria-mundohet-te-mbuloje-diellin-e-borxhit-me-shoshe








Oh,me ne fund ,dikush po flet per probleme te buxhetit,per financa!
Pra ata qe jane ne pushtet,qe jane punesuar ne punet publike,po bejne ç’eshte e mundur,per te mbajtur veten e tyre ne pune.
Pyetje : Po ,ata, a nuk jane ne keto vende pune per interesat e Shqiperise dhe te shqiptareve?
Pergjigje : Po,eshte e vertete,ata po sakrifikojne veten e tyre per keto interesa.
Kishte te drejte Adam Smith kur thoshte qe : Interesi personal eshte shpirti i ekonomise.
Comments are closed.