Avenir Peka, Bujar Nishani dhe Hysni Burgaj
Lindita Çela
Për kryeprokuroren Ina Rama ristrukturimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është një domosdoshmëri për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, që po kap përmasa të frikshme. Së paku, ky është sugjerimi që kryeprokurorja ka bërë në letërkëmbimin më të fundit që ka pasur me kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn.
Në raportin e saj, Ina Rama ka parashtruar arsyet e rezultateve zhgënjyese që organet e hetimit kanë pasur kohët e fundit ndaj krimit të organizuar dhe zbardhjeve të ngjarjeve që kanë tronditur opinionin publike. Në shkresën e saj më të fundit, 15 mars të vitit 2012, Kryeprokurorja ngre shqetësimet e dështimit të operacioneve, rezultateve të dobëta të zbardhjeve të krimeve, trafikimin e lëndëve narkotike, ndërkohë që kërkon ndërhyrjen për ristrukturimin e Policisë e Shtetit.
Shqipëria vend tranzit i drogës
Dy vitet e fundit duket se ka pasur një korrespondencë të ngjeshur mes kryeprokurores Ina Rama dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit. Në të gjitha këto dokumente, kryeprokurorja ngre shqetësimin e mos goditjes së krimit të organizuar si dhe të trafikimit të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Në shkresën e një muaj më parë, Prokurorja e Përgjithshme kërkon ndërhyrjen e menjëhershme për të ristrukturuar Policinë e Shtetit, efektivat dhe drejtuesit e së cilës i vlerëson larg pritshmërisë dhe objektivave të vendosura për luftën kundër krimit të organizuar.
Në një raport të ndarë në 4 çështje, kryeprokurorja analizon veprimtarinë e kriminalitetit në vend gjatë vitit 2011. Sipas saj, numri i veprave penale të referuara mbi bazën e hetimeve proaktive ka qenë mjaft i ulët, për të mos folur më pas për cilësinë e këtyre referimeve. “ Gjatë 2011 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë referuar vetëm 17 çështje nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike. Ky numër nuk i përgjigjet situatës në vend të këtij lloji kriminalitetit. Në mjaft raste konstatohet se subjektet e referuara për hetim nuk kanë një aktivitet të krimit të organizuar” – thuhet në analizën e kryeprokurores Ina Rama.
Kështu, gjatë vitit 2011, në funksion të referimeve për hetime proaktive nga prokuroria janë vënë në dispozicion 431 pajisje fundore përgjimi për zbardhjen e veprimtarisë kriminale, por rezultatet kanë qenë thuajse minimale. Janë nisur vetëm 4 procedime penale dhe janë sekuestruar 269 kg canabis dhe 0.5 kg heroine. “Këto shifra vlerësohen si shumë të ulëta në raport me situatën e trafikimit të drogës në vend. Nëse këtë shifër e vendosim në raport me totalin e çështjeve të regjistruara trafikim narkotikësh për 2011 që është 55, apo të hetuara për “trafikim të lëndëve narkotike që është 106, vërejmë se jemi në nivele shqetësuese”-thuhet në raportin e datës 15 mars 2012. Kryeprokurorja pohon në letrën e saj se në Shqipëri ekziston një aktivitet i dendur kriminal në trafikimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.
E, për këtë konkluzion ai i referohet raporteve homologe të shteteve fqinjë, që në mënyrë rastësore sekuestrojnë sasi të konsiderueshme droge ku Shqipëria shfrytëzohet si vend tranzit. “Numri i kapjeve rastësore në kufi i sasive të mëdha të lëndës narkotike dëshmon për një aktivitet të dendur kriminal në këtë drejtim ndërkohë që dhe nga kontaktet me homologët në vendet perëndimore vërejmë se niveli i trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria ngelet i përmasave të rëndësishme”-thuhet më tej në raportin e kryeprokurores. E, për të vërtetuar të dhënat e saj, Ina Rama i referohet rasteve të sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme kokaine nga autoritetet belge e destinuar për Shqipërinë.
Por, më shumë se sa rritja e përmasave të këtij aktiviteti kriminal, Prokuroren e Përgjithshme e shqetëson nisja e hetimeve ndaj individëve me një profil mjaftë të ulët në këtë lloj veprimtari kriminale. “Mungesa e hetimit të grupeve të organizuara të trafikimit të lëndëve narkotike do të sjellë pasoja në pasjen e rezultateve, ndërkohë që konstatojmë se subjektet që hetohen nuk disponojnë pasuri apo shuma të mëdha parash që mund të sekuestrohen apo konfiskohen. Ky është një tregues domethënës i rrezikshmërisë dhe potencialit të ulët që paraqesin subjektet e hetuara në kuadër të referimeve të Policisë së Shtetit”-thotë kryeprokurorja.
Paaftësia e policisë
Për kryeprokuroren mosgoditja e kriminalitetit në vend vjen për shkak të organizimit të drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe mënyrës së funksionimit të saj. Sipas Ina Ramës, shumë drejtori funksionojnë si organ koordinues të drejtorive në qarqe dhe jo si organ hetimi. Sipas kryeprokurores, drejtoritë e policisë janë krejt të papërgatitura për të kryer hetime të një niveli të lartë të krimit të organizuar ndërkohë që rreziku i dekonspirimit të hetimeve është gjithmonë i pranishëm.
“Përfundimisht vlerësojmë se situata aktuale e kriminalitetit, problemet strukturore në Policinë e Shtetit, mungesa e kapaciteteve të policisë si dhe vetë veçoritë e luftës ndaj krimit të organizuar e bëjnë të domosdoshme rishikimin e mënyrës së strukturimit të drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për t’i përshtatur ato me problematikat e vërejtura”-përfundon shkresa e kryeprokurores Ina Rama drejtuar në mars të vitit 2012 Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
SHKB, asnjë hetim për policët “dekonspirues”
Dekonspirimi i operacioneve dhe bashkëpunimit të oficerëve të policisë me grupet kriminale është një nga akuzat më të rënda që kryeprokurorja Ina Rama ngre në letërkëmbimin e saj me kreun e Policisë së Shtetit. Por nga të dhënat që disponon gazeta, prej vitesh në Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme nuk ka qoftë një hetim për një punonjës policie që të jetë shpallur fajtor për këtë akuzë të rëndë.
Megjithatë kryeprokurorja edhe në letrën më të fundit të saj, dekonspirimin e veprimeve hetimore në drejtoritë e policive e shikon si një shqetësim të madh krahas rezultateve zhgënjyese për zbardhjen e vrasjeve të kryera vitet e fundit që kanë tronditur opinionin publik. Kështu, në bazë të statistikave ka një sërë krimesh të ndodhura në Tiranë, ku policia e kryeqytetit ende nuk ka asnjë autor të ngjarjes, përveç dyshimeve të hedhura për vrasje tipike mafioze apo dhe ekzekutime të kryera ndërmjet bandave rivale në kryeqytet.
E megjithëse, Ina Rama pohon ekzistencën e krimit të organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ngjarjet i raporton në të shumtën e rasteve si vrasje për “motive të dobëta” ku autori pas ekzekutimit të tipit mafioz largohet në drejtim të paditur. “Ajo që ne konstatojmë është se cilësia e informacioneve operative që vijnë nga terreni e që janë thelbësore në zbulimin e këtyre ngjarjeve lënë shumë për të dëshiruar me gjithë krijimin e të gjitha hapësirave që lejon ligji strukturave të specializuara të policisë në hetimin e këtyre ngjarjeve”-thuhet analizën e kryeprokurores Ina Rama.
Sipas saj, hetimi i këtyre ngjarjeve është vështirësuar edhe nga problemet e natyrës teknike që janë konstatuar tek kompanitë telefonike. Kështu është thuajse e pamundur të verifikohen përmes kontratës përdoruesit real të kartave telefonike pasi rezulton që mijëra karta telefonike të jenë të regjistruara në emër të një shtetasi të vetëm. Vetëm një pjesë e shoqërive është në gjendje të kryejë bllokimin e thirrjeve nga telefonat që përdorin karta telefonike të nxjerra prej tyre, mjaft e rëndësishme kjo për parandalimin dhe zbulimin e akteve të rënda kriminale si vrasjet apo dhe aktet terroriste”-thuhet në raportin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.







