Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!

1
80

Nga Rudina Xhunga, 28 Prill 2012

Kur Robert Elsie më tha gjatë një interviste se po të ishte shqiptar, do të ishte çmendur, unë mendova për Ardianin.

“Unë jam i brishtë,” tha Elsie. “Jam si një lepur. Nuk do ia kisha dalë dot këtu.”

Doja që Ardiani ta kishte dëgjuar atë intervistë.

Pastaj pyeta Johnathan Franzen, si ia kishte bërë ai që ia kishte dale, kur shoku i tij më i mirë, rivali dhe kolegu, David Foster Wallace, kishte vrarë veten.

Dhe kur Franzen rrëfente për shokun, mikun, kolegun dhe rivalin e vetëvrarë, unë mendoja përsëri për Ardianin.

Doja ta dëgjonte edhe këtë intervistë.

Sot, tek jam këtu për takimin e fundit, nuk arrij të kuptoj pse i bija aq larg edhe gjatë?

Pse nuk e ndaloja, njërën prej herëve, kur e ndeshja në shëtitjen liqenit, dhe thjesht ta pyesja?

Pse bëja sikur nuk e shikoja kur ai vinte përballë meje me biçiklete dhe unë me kapele e syze ulja kokën?

Ishte kaq e thjeshtë.

Unë e nderlikoja, duke dashur t’i dërgoja mesazhe në hapësirë, kur ai ishte dy hapa afër, çdo pasdite nga liqeni.

Mund ta kisha pyetur çdonjeren prej atyre ditëve: “Si je Dan? Bej dot gjë për ty?”

Sot është vonë. Klosi iku.

Iku nga jeta e vet. Sepse në jetën tonë, në jetën time është akoma.

Është me takimin e parë, kur Edi më njohu me të, është në kafen e parë, në punën e parë, në inatin e parë dhe emisionin e fundit me të.

Është me trishtimin, hutimin, shkëlqimin, humorin dhe vetëironine, është me numrin e tij të telefonit ende në celularët tonë.

Ardian Klosi iku nga jeta e vet. Por nuk iku nga jeta jonë.

Është në jetën time dhe tonën si dëshpërim, si frikë, si ankth, si besim, si mallkim, si urim, si premtim:

Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!

***

Këtu, në Sharrë, është një qytet që po shtohet e zgjerohet përditë. Qyteti i banesës sonë të fundit.

Kemi këtu njerëz të dashur.

Sot po sjellim Ardianin.

Të qoftë i lehtë dheu me të cilin do të të mbulojmë, Dan!

Takofsh njerëz të dashur atje ku po shkon!

Por mbaje një sy këtej, nga njerëzit e tu të zemrës.

Dhe një vesh për ne, që kemi beteja të lëna përgjysmë.

Ti ishe një qytetar i rrallë Ardian Klosi. Do të na mungosh!

* Fjala e lamtumirës mbi varrin e Ardian Klosit

1 COMMENT

  1. “Si je Dan? Bej dot gjë për ty?”

    Vone, teper vone. Nuk eshte nje gjykim, te pakten u zgjove, nuk vazhdon te rrish akoma ne gjume si shume te tjere!
    E. Fromm thote: “Njeriu mund te jete njerezor vetem ne nje klime nga e cila mund te pritet qe ai dhe femijet e tij do te jetojne per te pare vitin qe vjen dhe shume te tjere ne te ardhmen.”
    A ekziston nje klime e tille ne Shqiperi?
    Pergjigja eshte : ……………..
    Ne çdo hap, gjate rruges se gabuar, behet gjithmone e me e veshtire qe te pranosh te kthehesh prapa ne fillimin e gabuar dhe te pranosh qe ke humbur kohe dhe energji.
    Njeriu mund te humbas betejen, pamvaresishte nga fusha per te cilen behet fjale, por eshte shansi me i mire qe te zgjedh te miren dhe jo te ligen.
    E liga eshte tentativa qe shkaterron gjithçka njerezore tek njeriu.
    Nuk me kujtohet autori, por ka nje thenie shume te bukur:
    “Qe te triumfoje e keqja mjafton qe te miret te mos bejne asgje.”

    “Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!”
    Nje paradigme qe fillon me veten e pare.

Comments are closed.