Rinumërimi i votave të Floridës

0
66

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja

Në orën 4:30 të mëngjesit të datës 8 nëntor 2000, rreth tetë orë e gjysëm pasi kishte përfunduar në Florida votimi për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, mbaroi dhe numërimi i votave me ndihmën e makinave numëruese. Ai numërim nxirrte Geroge W. Bush fitues me rreth 2000 vota në Florida, e për rrjedhojë, edhe në të gjithë Amerikën – ndarja e votave në shtetet e tjera ishte pothuaj e barabartë, kështuqë Florida përcaktonte fituesin. Por diferenca e fitores së Bushit ishte aq e vogël sa që, siç e kërkonte ligji elektoral floridian, duhej bërë një rinumërim i votave me makinë në të gjithë shtetin. Dhe pasi ai rinumërim u krye, diferenca në rezultat u ngushtua në 537 vota.

Por kandidati humbës, ish zv.Presidenti Al Gore, nuk e pranoi këtë rezultat. Duke u bazuar në ligjin elektoral të Floridës, ai kërkoi rivlerësim dhe numërim me dorë të votave që makinat i kishin nxjerrë të pavlefshme. Këtë kërkesë ai e bëri vetëm për katër kontetë ku kishte patur një numër të madh votash të pavlefshme. Por Sekretarja e Shtetit të Floridës deklaroi se ajo nuk do të pranonte asnjë ndryshim në rezultatet e konteve, në qoftë se ato nuk paraqiteshin brenda datës 14 nëntor, kufirit të fundit ligjor për ndryshime. Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Floridës e shtyu këtë kufi deri në 26 nëntor dhe urdhëroi rivlerësim e numërim të votave të pavlefshme në të gjithë Floridën (pra, jo vetëm në katër kontetë e kërkuara nga Al Gore).

Ndërkohë që rivlerësimi e numërimi i votave të pavlefshme vazhdonte në Florida, kandidati George W. Bush e apeloi vendimin e gjykates së Floridës në Gjykatën e Lartë të SHBA-së. Kjo e fundit, fillimisht, urdhëroi pezullimin e rinumërimit, e pas shumë seancash, me 5 vota pro e 4 kundër, arriti në përfundimin se rivlerësimi dhe rinumërimi i votave të pavlefshme nuk mund të mbaronte përpara datës 12 dhjetor, kufirit kushtetues për shpalljen e një fituesi në garën presidenciale.

Me shpalljen e këtij vendimi të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Al Gore pranoi humbjen dhe George W. Bush filloi të përgatisë me shpejtësi kabinetin e tij qeverisës. Por historia e rinumërimit të votave të Floridës nuk mbaroi me aq. Pavarsisht se Al Gore e njohu George W. Bush si President të SHBA-së, gazeta floridiane Miami Herald dhe gazeta Washington Post kërkuan që t’u viheshin në dispozicion të gjitha votat e pavlefshme të Floridës për rivlerësim dhe rinumërim. Për të kryer rivlerësimin dhe rinumërimin ato pajtuan “The National Opinion Research Center” të Universitetit të Çikagos, i cili më pas u financua edhe nga disa media të tjera si Associated Press, CNN, The Wall Street Journal, etj.

Në përfundim të rivlerësimit dhe numërimit të votave, rezultoi se, në qoftë se do të ishte bërë rishikimi i rezultatit vetëm në katër kontetë e kërkuara nga Al Gore, fitues do të kishte qenë përsri George W. Bush. Ndërsa në qoftë se do të ishte bërë rivlerësimi dhe rinumërimi i votave të pavlefshme në të gjitha kontetë (siç urdhëroi Gjykata e Lartë e Floridës), fitues do të kishte qenë Al Gore.

Kuptohet që përfundimet e studimit të financuar nga Miami Herald dhe mediat e tjera nuk ndryshuan gjë në Shtëpinë e Bardhë. Në krye të saj kishte muaj që ishte George W. Bush, dhe do të duheshin të kalonin 8 vjet që ai të largohej prej saj. Në fakt, synimi i atij studimi nuk ishte që të dilte George W. Bush nga Shtëpia e Bardhë – ai thjesht synonte t’i bënte të njohur publikut verdiktin real të votuesve floridianë, si dhe t’i tregonte ligjëvënësve se ku çalonte sistemi i numërimit të votave në Florida dhe në shtete me sistem të ngjashëm numërimi të votës.

Përfundimet e studimit të financuar nga Miami Herald dhe mediat e tjera, në fakt, u morën parasysh nga legjislaturat e shumë shteteve (përfshirë Floridën) në rishikimin e sistemeve të numërimit të votës. Dhe shumë prej tyre i zëvendësuan makinat mekanike të numërimit të votës me makina elektronike, si dhe parashikuan procedura shtesë për të siguruar që deformime të rezultatit real, të ngjashme me të Floridës, të mos ndodhnin më në të ardhmen.

Eduard Zaloshnja, PhD
Research Scientist
Pacific Institute for Research and Evaluation
11720 Beltsville Drive, Suite 900
Beltsville, MD 20705
Phone: 301-755-2734
Fax: 301-755-2799