100 vjetori: Ose me Hillarin ose me Erdoganin!

0
53

Nga Mero Baze, 25 Prill 2012

Sali Berisha u shfaq me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, para zyrës së saj, me një deklaratë paraprake për kamerat, ku shpalli si qëllim të kërkesës së tij për takim me zonjën Klinton, ftesën që ajo të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. E justifikoi këtë me rolin që ka luajtur SHBA në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë, ashtu si një muaj më parë ftoi Erdoganin, liderin e vendit që kemi zbuar për të fituar pavarësinë me arsyetimin se jemi vëllezër. E gjithë kjo tregon se kryeministri ynë, në gjithë takimet e tij ndërkombëtare kohët e fundit, nuk ka asnjë axhendë publike, dhe nuk ka si t’i justifikojë pazaret e tij private apo hallet e tij private, përveç qerasjes me një llokume për 100 vjetorin e pavarësisë.

Në rastin konkret ai takimin me Sekretaren Klinton jo vetëm që e ka kërkuar me ngulm dhe një çmim të lartë, jo vetëm politik, por dhe e ka kërkuar për një axhendë konkrete personale në karrierën e tij politike, në një moment kritik, kur raportet e tij me SHBA po përkeqësohen ndjeshëm për shkak të asaj që SHBA e ka quajtur degradim të standardeve të Shqipërisë qysh pas anëtarësimit në NATO në vitin 2009.

Berisha ka refuzuar të lërë të lirë drejtësinë dhe të konsiderojë hetimet e 21 Janarit prej FBI si profesionale, ka injoruar kërkesën e SHBA për të lënë mënjanë luftën me institucionet e tjera si Presidenti apo Prokuroria si dhe së fundmi ka një mospajtim të dukshëm mes qeverisë amerikane dhe Berishës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri. Sali Berisha e kërkoi me ngulm këtë takim pikërisht për këto probleme që ka me administratën amerikane.

Takimi me zonjën Klinton nuk e shëron dot Sali Berishën nga këto viruse që ka futur në demokracinë shqiptare, por ai ka nevojë për siguri sa të hedhë dhe një herë lumin, duke bërë lëshime të pjesshme ose duke e gënjyer sa të kalojë dhe ky qershor. Duke pasur një axhendë kaq konkrete dhe probleme kaq të hapura me SHBA, deklarata e tij paraprake se ka kërkuar të takohet me zonjën Klinton për ta ftuar për 100 vjetorin e pavarësisë, tregon thelbin e karakterit të liderëve autokratë ish- komunistë, të cilët hallet e tyre personale i kthejnë në halle kombëtare dhe festat kombëtare i kthejnë në fasadë për hallet personale.

Sali Berisha po e përdor 100 vjetorin e pavarësisë për çdo problem që i del përpara. I duhet t’i japë ca para miqve të tij austriakë apo klientëve të vajzës së tij dhe shpall ndërtimin e një parlamenti super të shtrenjtë duke na mbyllur gojën se i duhet Shqipërisë për 100 vjetorin. E shpall fituesin më të shtrenjtë dhe si përfundim parlamentin nuk e bën.

Shpall ndërtimin e një stadiumi të shtrenjtë në mes të Tiranës për të kënaqur klientët e medies në pushtet, e justifikon atë me 100 vjetorin, por pastaj ngaqë s’ka pare nuk e bën, por i mban ata angazhuar për t’i bërë fresk. Shkon në Turqi për pazaret e veta, gjen mbështetje tek analogu i tij Erdogan dhe e justifikon dashurinë ndaj tij me faktin që jemi vëllezër dhe se do ta ftoj për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Tashmë ka përballë problemin e radhës, atë të zgjedhjes së presidentit të Republikës, për të cilin SHBA ka shprehur hapur mospajtimin me një kandidaturë të kontrolluar nga Berisha. Ai bën gjithçka të shkoj në Uashington, ia arrin kësaj përmes lobistëve të vet, takon Sekretaren Klinton në një udhëtim jozyrtar dhe për të treguar se nuk ka ndonjë hall të tij, por ka hallin e Shqipërisë, thotë se qëllimi i vizitës është të ftojë zonjën Klinton në 100 vjetorin e pavarësisë.

Ky karakter hipokrit dhe patetik mund të gjendet vetëm tek një ish-komunist që e shikon demokracinë si një formalitet që duhet justifikuar me retorikë kombëtare. Zonja Klinton do të udhëtojë në fund të këtij viti në rajon, në një vizitë të përgatitur nga Departamenti i Shtetit për të vizituar Serbinë, Bosnjën, Shqipërinë dhe Maqedoninë edhe për shkak të rritjes së tensionit në këtë rajon, dhe mund të ndodhë që të jetë dhe në fund të nëntorit në këto anë. Ajo nuk vjen as vetëm për Shqipërinë, as për Berishën dhe as festën tonë kombëtare. Ajo vjen se ka axhendën e saj shumë publike dhe shumë të rëndësishme që ka të bëjë me stabilitetin e rajonit.

Sali Berisha brenda hallit të vet, brenda pazarit që mendon se po bën për ta kaluar krizën e presidentit apo raportet e këqija me Perëndimin, mendon se është duke na gënjyer, duke na u paraqitur si Baba i Kombit, të cilin e shqetëson vetëm protokolli i Festës së Pavarësisë dhe jo degradimi i përditshëm i Shqipërisë në një shtet privat, pa ligje, pa institucione, pa zgjedhje të lira, pa perspektivë ekonomike dhe mbi të gjitha me një ndarje që vjen duke u thelluar për shkak të frymës klasore të politikave të këtij kryeministri.

Gjatë 100 viteve ky shtet është rrëzuar dy herë, një herë më 1924 dhe një herë më 1997, dhe në të dyja rastet kur kryeministrat autokratë të këtij vendi kanë tentuar të eliminojnë opozitën dhe ta bëjnë një shtet për interesa të tyre private, në emër të kombit. Sali Berisha po na e risjell virusin e shkatërrimit të shtetit pikërisht në 100 vjetorin e tij, duke vënë në dyshim të ardhmen e tij perëndimore, për të cilën u shkëputëm nga Turqia.

Ai mendon se 100 vjetori i pavarësisë, është një pjatancë me llokume, e cila i ka mbetur në dorë Sali Berishës dhe me të mund të qerasë këdo për hallet e veta, edhe Erdoganin, edhe Klintonin. Në të vërtetë gostitë janë zakone turke, që nuk ngazëllejnë askënd në Uashington. Atje je i lirë të gëzohesh dhe ndoshta të gënjesh vetëm kur hyn. Kur del, është mirë të mos bësh fotografi dhe të mos flasësh. Siç shpresojmë të ndodhë.