Nga Mero Baze, 17 Prill 2012
Në përpjekje për t’i ikur debatit mbi bllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, Sali Berisha u shfaq para gazetarëve me një hartim mbi mafien ku mbizotëronte fjalia “mafia nuk ka atdhe”. Ashtu mediokër siç di të bëjë ai hartimet, ashtu shtiracak siç di të shpjegojë skandalet, dhe mbi të gjitha gënjeshtar kur përpiqet të flasë për përfshirjen e djalit të tij në çdo skandal ku ka miliarda, ai në fakt vetëm sa na bindi të gjithëve që skandalin e ka bërë ai dhe Familja e tij, dhe është qartazi në favor të një kompanie boshnjake, që është përndryshe atdheu i Damir Fazlliçit, edhe pse ky i fundit siç thotë Berisha nuk duhet të ketë atdhe.
Argumenti i parë që Berisha përpiqet të japë lidhur me një ofertë më të ulët nga kompania klienteliste e tij është spekulativ, pasi nëse shikon kushtet e tenderit, e kupton se 70 për qind të pikëve në tender i ka oferta teknike. Oferta financiare ka 30 për qind të pikëve dhe ulja është spekulative pasi është teknikisht thuajse e pamundur ndërtimi me atë çmim, çka na bind të gjithëve se edhe në planin afatgjatë nga berishët kërkohet që ajo linjë të sabotohet dhe në ndërtim.
Argumenti i dytë i Berishës se djali i tij ka dhënë përgjigje, është një spekulim klasik i tij. I biri i tij shfaqet kudo ku shfaqen tenderë skandalozë, vrasje për shkak të vjedhjes siç është Gërdeci, trafik fishekësh në Afganistan siç është rasti Trebicka, Diveroli, shitje tokash në bregdet, tendera energjetike, etj. Sa herë që i biri shfaqet qartë si autor i këtyre skandaleve, Berisha nxiton të gjejë ndonjë detaj teknik për të përgënjeshtruar një tullë nga gjithë ndërtesa e akuzës që i bëhet të birit dhe e mbyll me kaq problemin.
I biri i tij ishte i përfshirë kokë e këmbë në Gërdec, që nga lobimi për kontratën, çuarjen e dosjes Delijorgji në tavolinë të Mediut, kthimin e Aldo Bumçit në shërbëtor të tij duke i raportuar me faks, hyrjen 40 herë në muaj tek zyra e Mediut, përzgjedhja e mikut të tij Selmanllari si përfaqësues i kompanisë amerikane, emërimi i burrit të tezes si numërues arkash, biseda fatale me Delijorgjin gjysmë ore pas aksidentit e dhjetëra fakte të tjera, dhe e vetmja gjë që përgënjeshtroi me të madhe ishte: “Shkëlzen Berisha nuk e ka marrë kurrë në telefon Delijorgjin”(!!!) Në fakt e kishte marrë Delijorgji!
E njëjta gjë ndodhi në debatin mes Kosta Trebickës dhe Diverolit. Ky i fundit thoshte qartazi në bisedat telefonike se mafia ka ndërhyrë për të spostuar Trebickën, deri atje lart… tek djali i Kryeministrit… dhe derisa sa e vetëvranë Trebickën nuk folën, pas asaj e përgënjeshtruan duke cituar Trebickën e vdekur që sipas tyre kurrë nuk e kishte pranuar atë që thoshte Diveroli.
Të njëjtën gjë bëri dhe me ish- shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxhën, të cilin e ka kërcënuar për të firmosur për Gërdecin dhe ai shkoi i tmerruar e u rrëfye në ambasadën amerikane. Pas publikimit të kabllogramit ai doli e tha se “kurrë nuk ka marrë në telefon Luan Hoxhën!!!”. (Dhe në këtë rast e kishte marrë Luani t’i qante hallin).
Historitë e përgënjeshtrimeve të Shkëlzen Berishës kanë ndjekur gjithmonë këtë taktikë, që mes pyllit të korrupsionit që tregon media, ai të këpusë një gjethe e të thotë nuk është e imja. Por kjo histori nuk mbaron këtu. Shkëlzen Berisha jo më shumë se tri ditë më parë ka darkuar publikisht në Tiranë me Damir Fazlliçin, njeriun që vërtit pazaret e energjetikës në Shqipëri prej vitit 2008 përmes kompanisë së tij “ballkanike” ose pa atdhe, siç e quan Berisha këtë kategori biznesmenësh. Ai është pronar i Rudnap Energjie, e licencuar nga Sali Berisha për të na blerë e shitur energji, ortak me Vojin Lazareviçin, një ish- nacionalist antishqiptar i konvertuar në biznesmen “pa atdhe” siç e quan Berisha.
Shkëlzen Berisha mund të betohet që s’ka darkuar kurrë me këta njerëz as në Vjenë, as në Tiranë, por duhet të bëjë pak kujdes se mund ta shikojë ndonjë ditë veten dhe në ndonjë video me ta, bile në mes të Vjenës, atje ku mendon se është larg syve të shqiptarëve. Përgënjeshtrimi i tipit “s’e kam marrë kurrë në telefon Delijorgjin”, apo “kurrë s’e kam marrë në telefon Luan Hoxhën”, janë bërë bajate dhe nuk u thonë asgjë shqiptarëve. Fakti që sa herë flitet për skandale, sa herë flitet për korrupsion në tendera që ka në dorë qeveria, sa herë flitet për miliarda në biznesin e armatimeve, energjetikës, pronave dhe koncesioneve del emri i djalit të Sali Berishës, kërkon një jetë të tërë të përgënjeshtrohet, dhe aq me keq të pastrohet biografia e tij.
Argumenti i fundit i Berishës, gjysmë krenar e gjysmë tinëzar, ishte se dihet dëshira e tij për Kosovën. Me pak nëntekst të moderuar ishte duke na thënë dihet se ç’mund të bëj unë për atë vend. Pati dhe një ironi për opozitën dhe reagimin e saj duke përsëritur atë që mendonte se e kishte si gjetje, që “mafia nuk ka atdhe”. Dhe seç tentoi ta thoshte këtë në emër të berishëve, në emër të Familjes. Në fakt realisht Familja në pushtet, ajo që ne njohim si njerëz që diktojnë sot tregun dhe pushtetin në Shqipëri, nuk është se ka një atdhe, por ne nuk na shqetëson kjo gjë.
Shqiptarët janë tolerantë dhe kanë pranuar që familja në pushtet të mos jetë etnikisht shqiptare. Nuk na shqetëson fakti që gjyshja e Shkëlzenit dhe Argitës është serbe, që dhëndri i Berishës është boshnjak, apo nusja e Shkëlzenit “Berishë Kosove”. Kjo nuk na jep të drejtën t’i quajmë “berishët” një “Familje pa Atdhe”, dhe më këtë të nënkuptojmë që janë mafiozë, siç thotë Berisha. JO! Problemi jonë është që Familja në pushtet është mafioze dhe bash për këtë shkak ia vlen të quhen “pa atdhe”. Jo për faktin se janë një aliazh shqiptaro- serbo- boshnjak.