TemA, 17 Prill 2012
Banka gjermane KFW e njeh si të rregullt tenderin për interkonjeksionin, ku fitues u shpall një firmë kroate dhe në vend të dytë një firmë boshnjake. KFW: Kroatët kishin ofertën më të mirë teknike, ajo ka peshën më të madhe në tender
Ndërkohë që në Vjenë Shkëlzen Berisha dhe Damir Fazlliç thurnin planet për të lënë Kosovën nën monopolin e Serbisë për furnizimin me energji, në Tiranë planin e vinte në jetë një ish- truprojë e Sali Berishës, i emëruar kryetar i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Arben Ibroja. Ky i fundit pengoi e vonoi ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, edhe pse fondet për të ishin dhënë dhe tenderi ishte kryer brenda rregullave.
Por si është e vërteta?
Banka gjermane KFW dha fondet për ndërtimin e linjës 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës. Tenderi për këtë çështje u zhvillua në mars të vitit të kaluar. Në të morën pjesë dy kompani, kroatja ‘Dalekovod’ dhe ajo boshnjake ‘Energoinvest’. Fituese u shpall kompania kroate Dalekovod. Kompania u njoftua për fitimin e tenderit, njoftimi u bë edhe tek banka KFW. Por pak më vonë, gjërat ndryshuan, kur Ibroja vendosi që të ndryshojë fituesin dhe kompaninë e shpallur si të dytën, ta vlerësojë si fituese. Argumenti që ka përdorur Ibroja ka qenë ai financiar.
Por në një letër të bankës KFW, shprehet shqetësimi për këto manovra të Ibros. Letra e drejtuesve të KFW i është dërguar ministrave Ridvan Bode e Nasip Naço dhe kryeministrit Sali Berisha.
Në letër thuhet se ata si financues të projektit e monitorojnë atë nga afër dhe në fund të tij kanë thënë se ai ishte në rregull.
“Për shkak se projekti është teknikisht shumë kompleks, në dokumentet e tenderit dhe në kriteret e seleksionimit është përcaktuar se oferta teknike do të ketë një peshë 70 përqind dhe ajo financiare 30 përqind,” thuhet në letrën e KFW.
Drejtuesit e bankës thonë se për më tepër, e gjithë procedura e tenderit ka përfshirë vlerësimin teknik, financiar dhe postkualifikimet. Vlerësimi teknik është bërë më 22 gusht 2011 dhe ai financiar në shtator të vitit 2011.
“Për më tepër ne vumë re superioritetin teknik të ofertuesit të renditur si i pari në tender. Krahasuar me projektet tonë në mbarë botën në lidhje me këtë fushë, çmimi i ofertuesit të parë, edhe pse është më i lartë se atij të renditur në vendin e dytë, është në marzhin normal. Për të gjitha këto arsye, ne në finale nuk shprehëm asnjë kundërshtim për vlerësimin finale të agjencive, pavarësisht shqetësimeve tona për diferencat në çmim,” thuhet në letrën e KFW.
Në letër theksohet se procedurat e ndjekura për tenderin nuk ndryshojnë shumë nga procedurat që ndjek vetë banka.
“Në mbyllje, ne themi se përfundimi nuk mund të kontestohet. Në vlerësimin tonë është tani koha që OST të marrë përgjegjësitë për procesin e tenderit dhe të vlerësojë për rrugën që do ndjekë përpara,” mbyllet letra.
Në 3 nëntor të vitit të kaluar, konsulenti i tenderit njofton zyrtarisht kompaninë kroate, se është shpallur fituese. Por në mënyrë të papritur përmes një letre zyrtare në datën 8 shkurt të këtij viti, drejtori i OST-së, Arben Ibroja, njofton KFW-në se ka vendosur të shpallë fitues dhe të nisë negociatat me kompaninë e renditur e dyta në tender, atë boshnjake “Energoinvest”.
Ky vendim nuk është mirëpritur nga banka gjermane, e cila me shqetësim një ditë më vonë i drejtohet drejtorit të OST-së me një letër zyrtare, ku i bën të qartë se nuk do të japë ‘ok’, për vendimin e tij për të shpallur fitues kompaninë e dytë. KFW njeh se oferta e “Energoinvest” është më e ulët financiarisht, por thotë se pas procedurave të paracaktuara për vlerësimin teknik fitues ishte shpallur kompania kroate “Dalegovod” sepse ofronte garanci më të mëdha teknik. “Ndaj, – thotë KFW në letrën drejtuar drejtorit të OST-së,- Ibroja thotë se vendimi i OST për të shpallur fitues boshnjakët e vendit të dytë nuk është në përputhje me udhëzimet e KFW-së”.
Kjo pakënaqësi e shprehur hapur nga KFW për zëvendësimin e fituesit me kompaninë boshnjake konfirmohet edhe nga letra që ministri i Ekonomisë, Nasip Naço i dërgoi në datë 20 shkurt, zotit Ivi Kaso, drejtor i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave dhe për dijeni të kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave Bode dhe drejtorit të OST-së, Arben Ibroja.
Në letër ministri Naço shkruan se vendimi i OST-së për të ndryshuar fituesin e tenderit nuk është aspak profesional dhe i papranueshëm. Zoti Naço i kujton drejtorit të OST-së, se vlerësimi e ofertave bëhet sipas kushteve të vendit financues, në rastin konkret procedurave,të rëna dakord me KFË dhe konsulentit. Në fund të letrës ministri i Ekonomisë vëren me shqetësim se vendimi i OST-së, përveçse shkakton kosto prej 2.5 milionë euro për çdo vit vonese në tender rrezikon realizimin e linjës së interkonjeksionit dhe marrëdhëniet me KFV-në një nga donatorët më të mëdhenj dhe serioz, siç thotë ai, por dhe marrëdhëniet politike me qeverinë gjermane.
Drejtori i OST-së, Arben Ibroja është zgjedhur në këtë detyrë në korrik të vitit 2011. Zoti Ibroja ka qenë fillimisht oficer në Gardë dhe më pas si truproja e presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Në vitin 1997 ai ka shërbyer në radhët e Shërbimit Informativ Kombëtar. Vite më vonë, në 2003-shin Arben Ibroja, shërbente si komisar në Rinas, nga ku është përjashtuar nga ish-ministri i Rendit Igli Toska. Viti 2006, e gjen zotin Ibroja në krye të Doganës së Durrësit. Në vitin 2009, Ibroja u transferua në doganën e Lezhës, por vetëm dy muaj më vonë u rikthye sërish në doganën e Durrësit, ku ka shërbyer deri para emërimit në krye të OST-së.