Nga Lorenc Vangjeli, 10 prill 2012
Ka disa steriotipe të cilët është vështirë të ndryshojnë. Ato vazhdojnë të jetojnë sa nga padija, sa nga injoranca – shkalla më e lartë e padijes – sa nga ligësia, e cila, e bashkuar me padije dhe injorancë jep një përzierje të frikshme dhe shkatërruese. Ky nuk është rasti i kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Ai është një burrë goxha i kënduar. Në politikë ka dëshmuar vazhdimisht atë sens pragmatizmi të diktuar nga origjina e tij, modelet që ka ndjekur dhe nga ideologjia komuniste që besonte dikur. Si politikan aktiv, në emër të qëllimit të tij të pandryshueshëm, pushtetit, ka justifikuar çdo mjet, ka përdorur çdo mjet dhe ka shenjtëruar çdo mjet që i ka shërbyer për qëllimet e tij. Një prej tyre, është dhe përdorimi i steriotipeve të vjetër komunistë.
Në fund të viteve 70’, propaganda komuniste kishte krijuar steriotipin zyrtar për marrëdhënie të ngrohta me “miqtë kosovarë dhe vëllezërit turq”. Zoti Berisha ka ndryshuar vetëm njërin kah të pohimit dhe ka bërë mirë; miqtë kosovarë janë bërë vëllezërit kosovarë, por ripranon se turqit janë gjithashtu vëllezër të shqiptarëve. Madje shkon dhe shumë më tej, kur pohon se kemi lidhje gjaku me ta. Një tezë jo fort e re, e dëgjuar shpesh dhe fort nga fqinjët veriorë të Shqipërisë, serbët, të cilët pikërisht kështu i kanë konsideruar shqiptarët, turq. Duke hequr një linjë që bashkon besimin fetar me përkatësinë etnike dhe duke i konsideruar praktikisht të njëjtën gjë. Siç bëjnë rëndom edhe grekët me ortodoksët.
Jemi vërtet vëllezër me turqit? Eshtë i vërtetë ky pohim plot eufemizëm, tek i cili gjendet edhe shumë servilizëm, dallkaukllëk, interes i çastit, por edhe steriotip i ngulitur tashmë? Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë i bie që ushtritë osmane në pesë shekuj pushtim të Shqipërisë, të kenë shëtitur herë nën fustanellat e gjysheve shqiptare e herë nën çitjanet e tyre kur një pjesë e gjysheve ndryshuan modën e veshjes. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë i bie edhe që nizamët e shumtë shqiptarë që luftuan dikur nën flamurin me gjysmë hënë, të kishin trazuar epshin e tyre viseve të Anadollit, aty ku një pjesë e tyre u bënë vezirë e pashallarë.
Ka një bindje të fortë, të përsëritur shumë shpesh dhe nga zyrtarët më të lartë të Ankarasë, se në Turqinë e sotme jetojnë rreth 6 milionë qytetarë me origjinë të largët shqiptare. Tërësisht të asimiluar dhe të papranuar zyrtarisht ndonjëherë si minoritet në vendin e madh, pak Evropë dhe shumë Azi. Prejardhja e tyre është e vjetër dhe e re dhe është krijuar kryesisht nga lëvizjet e popullsisë brenda për brenda kufinjve të vjetër të përbashkët të Perandorisë turke, por edhe nga shpërnguljet e reja të shekullit të shkuar, në shkëmbimet e popullsisë në dy kahe, nga Ballkani në Turqi dhe anasjelltas. Mjafton ky detaj tjetër që të gjenden mes shqiptarëve dhe turqve të sotëm prindër të përbashkët, që qoftë dhe një natë të vetme kanë ndarë shtratin, për të ndarë më pas gjakun me njëri-tjetrin? Vështirë të thuhet!
Ka diçka tjetër në të gjithë këtë histori të vrullshme dashurie mes zotit Berisha dhe homologut të tij turk. Ataturku i madh, krijuesi i Turqisë moderne, e riktheu vendin e tij brenda kufinjve në një lloj izolacionizmi që kujdesej më shumë për hallet e brendshme sesa për hovjet heroike me jataganë, palla dhe dyfekë nga njëri cep i Azisë në cepin tjetër të Ballkanit. Sot kohët kanë ndryshuar. Prej gati 20 vjetësh, Ankaraja po ringjall dhe jo pa sukses, mendësinë e dikurshme perandorake të otomanëve të dikurshëm. Duke e konsideruar çfarë ka ndodhur me vendet në të cilët ata depërtuan me forcë si një histori të përbashkët suksesi, bashkëqeverisjeje dhe jo histori pushtimi.
Të dëgjosh “neohistorianin” Berisha, do të thotë se nuk mund të ketë marrëdhënie pushtimi mes vëllezërish, por vetëm “keqkuptime” nga ato që i krijon vetëm pirja e gjakut të nxehtë nga damarët e njëri-tjetrit. Në Ballkan, janë të gjitha shanset që kur për historinë flasin politikanët, historia të pushojë së qeni e tillë. Kështu ndodh dhe me kryeministrin, që tashmë duhet të pranojë njërin ose të dy pohimet veç e veç, që ose gjyshet shqiptare kanë rënkuar me ushtarët turq të garnizoneve pushtuese, ose hamshorët shqiptarë kanë bërë namin në viset e vjetra të gjysmëhënës që po kërkon të rilindë sërish në të njëjtën kohë me Turqinë në mes, që nga Afganistani e deri në Bosnjë Hercegovinë.
P.S. Një shoqëri me kultin e mashkullit si shoqëria shqiptare, “ta bësh” e konsideron trimëri, “të ta bëjnë” e quan çnderim. Në të gjitha rrethanat, qoftë dhe përkohësisht, ndoshta kryeministri Berisha mund të japë një dorë në favor të tezës që lëvdon lavdinë dhe pallën e nizamëve të vjetër shqiptarë që fati i detyroi ta përdorin për një Perandori që kërkon ringjallje.
Java