Mos i puth më duart e Janullatosit, Baba Mondit, Rrok Mirditës e Selim Muçës

0
82

Nga Bledi ManePublic Enemy, 6 Prill 2012
www.facebook.com/bledi.mane

Mëngjesin e së dielës që po vjen do të zgjohen si zakonisht lento-lento. Do të shtriqen gjerë e gjatë në krevatet e tyre me dyshekë e çarçafë Stambolli dhe pasi do të bëjnë sikur përkëdhelin gratë e tyre bythëtrasha do i komplimentojnë për korsetë bullgare që nuk i heqin kurrë nga trupi prej frikës së palëve të dhjamit që u varen si bole dashi. Do të nisin tu tregojnë për ëndrrat e frikshme të një nate më parë e pasi janë ngushëlluar spontanisht do vazhdojnë me telefonatat e fillimditës. Para se të hanë mëngjesin telefonatën e fundit do ta bëjnë me shoferët e sekretaret e tyre:

-Në 10 pa çerek më prit me makinë poshtë shtëpisë, në orën 10 më lini takimin. Dua të shkoj para atij gomarit, më njoftoni kur shkon ambasadori sepse dua të duket sikur rastis me të. Ajo debilja mos shfaqet kur unë hyj brenda ndërsa gazetarëve thuajuni të mos më ngacmojnë me pyetje pasi të dal nga takimi. Thjesht një mesazh me spond do të jap ndërsa në lajmet e drekës dua të jem kronika e parë. Desh harrova, News 24 duhet të më transmetojë live…live…

***

Këtë të diel më datën 8 prill fill pas shfaqjes së hënës së plotë pranverore katolikët dhe protestantët festojnë Pashkën, ringjalljen e Krishtit. Mes brengës së vdekjes së apostulit dhe ngazëllimit të ringjalljes së tij, mes miqsh, shokësh e familjarësh para drekës së bekuar të Pashkës shumëkush do të shkojë të tokë duart edhe me imzot Rrok Mirditën, kryepeshkopin e Durrësit dhe Tiranës. Do të tentojnë t’i afrohen e ta prekin porsi Atin e Shenjtë sepse në meshën e Pashkës nuk e patën fatin. Katedralja e Shën Palit në bulevardin Zhan D’ark rrethohet si gjithnjë jashtë e brenda me policë e gardistë (pa uniformat e 21 janarit) civilë jo sepse si veriorë që janë, janë patjetër edhe katolikë, por janë atje të thurin gardhin e sigurisë për atë, katoliken prej Shkodret, e cila ka 7 vjet që nuk mungon në mesha pashkësh e krishtlindjesh. Është spikerja e parlamentit të këtij vendi të egër ballkanas dhe si zullumqare e mëkatare aspak e rafinuar, kujton se prania e saj në shtëpinë e Zotit do t’ia depilonte porsi qimet, mëkatet.

Besimtarët dhe votuesit e devotshëm pavarësisht se sistematikisht ndjehen të frustruar nga këto lloj ceremonish pa grintë besimi, për hatër të urtësisë dhe tolerancës ungjillore qepin gojën, ndezin qiriun, pëshpëritin lutjen dhe largohen.

Ata e dinë se tashmë politika pasi u ka mbirë në sy, në ekranet e televizorëve&kompjuterave, në boshllëkun e frigoriferit dhe portofoleve po ua zapton edhe hapësirën e paqes.

Krerët e pariciklueshëm legjendarë 20 vjeçarë të tranzicionit nuk po u lenë radhë të flasin e të rrëfehen edhe në shtëpitë që vetë njerëzit i kanë ngritur për tu amshuar e për të ndjerë praninë e Perëndisë.

***

Kudo të njëjta fytyra perverse hipokrite.

Shkon në shtëpinë e Rrok Mirditës të marrësh vezën e kuqe të Pashkës, por nuk të le njeri radhë se politika bën adetin.

Te Baba Mondi nuk ke shans të hash pak hashure se lugën (jo hurin) ta ka rrëmbyer Ekremi, ndërsa tasin Iliri i lësëisë.

Andej nga ortodokësia e Janullatosit sapo shpërndahet reja e thimjamit erërëndë, siluetat bajate të liderëve i risheh po aty si ikona të cegërta prej shekujve.

Kur Selim Muça i sunitëve ther e bën kurbanin e radhës, gjaku i qengjit të pafajshëm spërkat të njëjtat këpucë të llustrosura politikanësh që bëjnë këmbë dy herë në vit pranë komunitetit musliman.

E çuditshme sesi ua hapin dyert djajve, si i fusin brenda, takohen e llafosen gjerë e gjatë?

Si mund tu bësh vend berishajve të politikës në kishë, xhami e teqe?

Si mund të marrësh urim, të tokësh duart e të bekosh njerzit që e kanë moçalosur dhe anadollosur vendin ku shkeli këmba e Palit të shenjtë, dhe atdheun natyral që lindi Nënë Terezën?

Si nuk ua derdhin mallkimet mbi fytyrë politikanëve tanë hamshorë të poshtërsive këta klerikët tanë?

21 vjet qysh kur feja iu rikthye kësaj republike ateiste vizitorët dhe pritësit janë po të njëjtët.

Jam kureshtar të di nëse i flasin dhe i kritikojnë kur politika ia beh në dyert e shtëpisë së Zotit?

Ua tërheqin vallë veshin për mizerjen e krimit dhe varfërisë shpirtërore atyre që na prijnë e na prijnë e na prijnë deri në bajatosje???

Jam skeptik dhe dyshoj në bashkëfajësi. Rroku,baba Mondi, Selimi, Janullatosi në emër të të Gjithëpushtetshmit, në emër të bashkëjetesës dhe paqes, në emër të prosperitetit dhe mirëqenies duhet tua përplasin në fytyrë dyert e kulteve.

Le të ftojnë për kurban Bajram një student të shkëlqyer që mëson e punon mes sakrificash dhe ta bekojnë e dorovisin me dashuri Allahu.

Le të ftojnë për Krishtlindje e të shfaqen ekraneve me një sipërmarrës të ndershëm e korrekt që i bën nder kristianizmit dhe Shqipërisë.

Le të ftojnë për Hashure e të yshtin me fisnikërinë e Imam Aliut një nënë të vuajtur punëtore të ve e me shumë fëmijë e cili mbijeton mes sakrificash në atdheun e fëlliqur të Monikës, Rajmondës, Majlindës.

Le të ftojnë për pashkë një mjek a infermiere të ndershme të cilët 2 mijë lekëshin e bakshishit ia vendosin poshtë jastëkut pacientit që ua dha nën dorë kur luftonte me vdekjen.

Të mos i qasin në shtëpitë e shenjta të Zotit këta mëkatarët tanë që vrasin e ndotin atdheun porsi Gërdeci i Fatmir Mediut.

Jam skeptik dhe dyshoj. Zoti nuk mallkon e nuk hakmerret ndaj poltikanëve tanë bushtra sepse sekserë të faljes së mëkateve patjetër do të jenë klerikët tanë. Janë specie që kopjojnë njëri-tjetrin, nuk bëjnë dot pa njeri-tjetrin, mësojnë nga njeri-tjetri, fenë e kanë politizuar dhe politikën e kanë religjionarizuar. Besimtarët i kanë kthyer në elektorat dhe elektoratin në besimtarë e turmë naive.

Ndaj këtë pashkë që vjen, atë pashkën tjetër që duket në horizont, për bajram të vogël, të madh e për hashure mos shko as në kishë, teqe e xhami. Mos shko të puthësh duart e Janullatosit, Baba Mondit, Rrok Mirditës e Selim Muçës. Jo, mos prek buzët e tua me duart që takojnë Berishën, Jozefinën, Fatos Nanon, Lul Bashën. Do të dukesh si vampir e ke për të skuqur buzët me gjakun e të pafajshmëve.

Sa herë që Perëndia të ndjell të festosh si musliman e si i krishterë mos guxo të puthësh duart e klerikëve tanë. Mbyll sytë, thuaj një lutje në heshtje, puth fëmijët, të dashurit e tu dhe vetë Zoti do të ta shpërblejë.

Mos i puth më ato duar. Pesha e mëkatit nuk do të bjerë më mbi ty e ti do të çlirohesh përgjithmonë…AMEN!!!