Pse liria për femrat është më e kufizuar?

0
51

Gezim Tushi

Gëzim TUSHI

Francezët kanë një fjalë të urtë, që të ndihmon për të vlerësuar situatën dhe nivelin e ndrojtur të ndryshimeve të barazisë gjinore dhe të drejtave sociale të femrave në Shqipëri. Ata kur duan të karakterizojnë një proces që nuk ecën si duhet, thonë se sa më shumë që bëjmë përpjekje me fjalë për të treguar se gjërat kanë ndryshuar, aq më shumë ato mbeten siç kanë qenë. Kjo thënie më kujtohet edhe në raste të tjera, por sidomos më duket sinjifikative dhe e saktë, sa herë që kam rastin të marr pjesë në konferenca e tubime politike për çështjet e të drejtave të femrës (dhe jo të gruas, siç na ka mbetur nga mentaliteti gjinor komunist), për strategjitë dhe taktikat e barazisë gjinore, të problemeve të shumta që preokupojnë femrat në shoqërinë tonë. Asnjëherë nuk jam dakord me trajtimet butaforike, të lustruara, eufemiste, që vazhdojnë t’i bëhen në mënyrë stereotipike bëhen problematikës gjinore në vendin tonë. Sidomos kur ajo trajtohet nga politika për qëllime politike dhe nga shoqëria civile si epifenomen qytetar.

Koha kërkon tjetër shikim, tjetër vlerësim dhe mekanizma të tjerë për ndryshimin e situatës së agravuar të të drejtave dhe barazisë gjinore. Nuk mjafton vetëm të bëjmë parada teorike e propagandistike pa efekt ose me impakt minimal e qesharak, duke folur në mënyrë monotone, pa fakte ose me fakte të fryra, të alambikuara që nuk pasqyrojnë realisht situatën e të drejtave politike. Ato është e vërtetë që garantohen zyrtarisht me ligj dhe Kushtetutën e vendit, të cilat pavarësisht fuqisë ligjore në realitetin tonë duken fare të ngathëta, pa forcën e duhur përballë forcës satanike të maskilizmit shqiptar, të cilin deri tani nuk e ka as reformuar, pa lëre ta ketë thyer dikush në “kështjellën e tij.

E gjithë kjo problematikë ka rëndësi, sepse duket, ngaqë është ana e jashtme, publike e lirisë së femrës shqiptare. Ndërkaq, politikanët dhe liderët e shoqërisë civile u flasim grave çdo vit nga lloj-lloj tribunash. Nga mënyra sesi zhvillohen, por sidomos nga efektet e ulëta të ndikimit në situatën gjinore, të duket sikur u familjarizuan me stereotipin e demagogjisë së rafinuar, me rrugën e vjetër të shpërndarjes së demagogjisë në eterin publik, që më shumë ngjajnë me “iluzione” dhe “utopi gjinore” që të shqetësojnë si qytetar. Në këtë grackë kanë filluar të bien edhe gratë, të cilat dikur, në fillimet e demokracisë, kanë qenë luftëtare të çështjes gjinore, dhe që tani ose ngaqë janë mpakur nga reflekset sociale, apo mpirë intelektualisht të përkëdhelura nga politika, kanë humbur indikacionet dhe standardet e vërteta të vlerësimit të barazisë gjinore në kushtet e qytetërimit tonë modern.

Edhe ato kanë vënë “surdinën gjinore” dhe më shumë bëjnë militantet që ndihmojnë politikat e djathta dhe të majta, duke u bërë në jo pak raste “shërbëtore” në përhapjen e demagogjisë së politikave gjinore. Por jo vetëm kaq, por të larguar nga ideja universal emancipuese për femrën modern, që ka kredon se edhe “personalja është politike”, kemi filluar të shikojmë dhe vlerësojmë më shumë ca të drejta sociale, që më shumë janë në ajër, jo të kapshme nga të gjitha gratë, dhe kemi harruar të shikojmë dhe vlerësojmë situatën reale të tyre. Gati nuk thuhet sa duhet e vërteta që një pjesë prej tyre jetojnë të lira në shoqëri, por të nënshtruara, madje të shtypura në “burgun shtëpiak”.

Nuk është fjala që çdo vit të bëjmë seminare për të “ngrënë pilaf gjinor” dhe të diskutojmë në mënyrë shkollareske vetëm për parametrat politikë të marrëdhënieve midis gjinive. Tani është koha që të flasim hapur për situatën e vërtetë të “barazisë gjinore”, qoftë edhe në enklavat sociale, ku dominimi i mashkullit është gati absolute mbi femrën dhe të drejtat e saj politike, sociale, madje edhe humane. Pse jo edhe për atë çështje që janë bërë shumë shqetësuese për to, që ka të bëjë me sferën e padrejtësive të shumta në sferën e “marrëdhënieve veçanërisht intime” që zhvillohen midis meshkujve dhe femrave tona. Në këtë pikë flitet pak ose shumë pak, dhe efektet emancipuese të politikave gjinore në familjen shqiptare janë fare minimale. Me gjithë masat, strategjitë dhe ligjet e miratuara, të cilat kanë pasur efekt pozitiv, nuk mund të jemi të kënaqur me standardet ende të brishta të barazisë gjinore, të sigurisë fizike dhe të së drejtës së seksualitetit, sidomos me dhunën ende të lartë në ambientet publike dhe veçanërisht brenda shtëpisë, që vazhdon të jetë “kështjellë e meshkujve”.

Nuk ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe, që politika jonë dhe gratë fatlume të saj të mburren. Nuk ka pse janë kaq shumë entuziaste, politikanet tonat, që për t’i bërë “very” vetes, për të marrë merita të pamerituara, harrojnë se në shoqërinë tonë një pjesë shumë e madhe e femrave tona nuk kanë të drejta të barabarta si dhe meshkujt, madje as aty në politikën profesioniste, ku bëhet demagogji e shëmtuar gjinore “par excellence”. Nuk ka pse “tunden” gratë fatbardha të politikës kur ka me mijëra gra që as në këtë shekull nuk kanë atë liri vetjake që meritojnë si qytetare europiane, që është “mesatarisht e mjaftueshme” për t’u konsideruar qenie të barabarta me mashkullin politikan apo burrin si bashkëshort.

Ne nuk mund të mburremi si shoqëri, kur pushteti i meshkujve mbi femrat, mbi jetën private të tyre, në pozicionin si grua, nënë, bashkëshorte, shoqe, mikeshë, e dashur apo çfarëdo pozicioni tjetër social që të jetë, është ende shumë i madh, madje ende i pakontrolluar. Nuk ka pse e fshehim të vërtetën, që në shoqërinë tonë femrat gëzojnë më pak liri në jetën e tyre private, ngaqë janë nën peshën e fortë të opinionit paragjykues dhe stigmatizues, për çdo nuancë të lirisë që del nga “norma sunduese” maskiliste e shoqërisë shqiptare, që nuk është brenda standardeve të qytetërimit modern. Situata e femrave në Shqipëri është më e keqe sesa e paraqesin politikanët e çështjeve gjinore dhe gratë e politikës profesioniste.

Jo vetëm kaq, por duhet të pranojmë se një sasi e madhe prej tyre, sidomos ato që jetojnë në zonat e thella rurale, nuk kanë mundësi që të gëzojnë lirinë dhe sovranitetin e tyre ontologjik dhe fizik, të drejtën dhe kushtet që bëjnë zgjedhjet e duhura personale. Shkoni në fshat dhe do të bindeni se atje situata nuk është si në metropol. Atje barazia gjinore nuk është në standardet e sheshit “Skënderbej”, por është krejt ndryshe. Atje ka ca vajza, që jo vetëm nuk u shkon mendja të mendojnë për lirinë e tyre, por që në hapësirat e kufizuara të jetës mendojnë si të punojnë “në fermën” që u ka dhënë demokracia, të martohen sa më shpejt, në qytet dhe pa kushte, si të munden dhe të lindin dhe rritin fëmijët e tyre, të bashkëjetojnë me burrin, sido që të jetë ai. Dhe kaq. Ky është “ideali gjinor” i një pjese shumë të madhe të femrave të zonave rurale, për të cilat gratë e OJF-ve metropolitane të Tiranës mendojnë vetëm në 8 mars, apo 25 nëntor të çdo viti, të bëjnë ritualet që i duhen politikës për të dëshmuar arritje gjinore, apo disa OJF-ve për të justifikuar financimet e paqarta.

Nuk është rastësi që në shoqërinë tonë divorci po bën kërdinë, po i shkatërron themelet e familjes. Dhe shumica e atyre që kërkojnë divorc janë gra. Dhe e dini pse? Jo se ato janë më të shthurura dhe më poligame se meshkujt e këtij vendi, por se martesa për to bëhet një “burg social” i vërtetë, i padurueshëm për fibrat e holla të femrave të qytetëruara, të cilat duket se janë më të zhvilluara se ca meshkuj shqiptarë, që kanë mbetur te perceptimi fundamentalist i biologjisë mashkullore, të lidhur vetëm me dhunën dhe aftësinë seksuale. Femrat e zhvilluara kanë ikur shumë larg nga kjo biologji primitive e meshkujve.

Këtë duhet ta mendojnë më mirë ata dhe shoqëria jonë, që në betejën për të siguruar barazi gjinore merret vetëm me femrat dhe harron që, më së pari, duhen edukuar meshkujt tanë. Divorci mund të ketë shumë shkaqe të natyrave të ndryshme, por nga sa kam mundur unë të vëzhgoj, më duket se më kryesori është e lidhur me të drejtën e femrës “për të korrigjuar” një zgjidhje dhe zgjedhje të gabuar, në emër të të drejtave të barabarta që ka edhe ajo në sferën e jetës intime, personale, private. Pikërisht këtu duhet të tregojmë kujdes, për t’i mësuar gratë tona jo vetëm të njohin anën e jashtme të lirisë, por dhe “anën e brendshme të saj”, që ka të bëjë me të drejtën dhe aftësinë e saj për të zgjedhur partnerin që i duhet dhe me të cilin duhet dhe mund të jetojë.

Politika dhe shoqatat e grave nganjëherë duket sikur bëjnë luftë me “mullinjtë e erës”, sepse e kanë reduktuar luftën për barazi gjinore vetëm në fjalë të përgjithshme, por pa u ndeshur me atë që është thelbësore, që ka të bëjë me kulturën e mizogjinisë dhe forcën herkuleske të normave të shoqërisë sonë maskiliste. Shoqëria jonë ka kultivuar në shoqërinë tonë nënshtrimin ndaj mashkullit, madje duke e konsideruar shpesh jo si shenjë nënshtrime dhe pabarazie gjinore, por si tregues të “gruas së mirë”.

Akoma është i fortë “kodi i rregullave” që duhen respektuar nga femra, duke diktuar “norma shtesë”, përsëri me fondament maskilist për sjelljen dhe paraqitjen e jashtme të femrës, norma të cilat janë të ndryshme nga ato të mashkullit. Ne jemi akoma shoqëri, që edhe ato liri dhe të drejta që u kemi dhënë femrave, prapë i kufizojmë, duke ravijëzuar herë hapur e herë në heshtje, ca norma që krijojnë “korniza sociale” të padrejta për konceptin modern të femërores, qoftë kur është puna për raportet e tyre me punën, besimin fetar, lirinë seksuale, stilin origjinal të të jetuarit, drejtësinë shtëpiake etj. Për t’i kapërcyer këto pengesa, thotë politikania suedeze Monika Grin, duhet të njohësh rregullat e pashkruara të strukturave mashkullore të pushtetit dhe duhet të kuptosh sistemin patriarkal në mënyrë që të çosh gjërat përpara”. (“Gra të suksesshme në politikë”, Fq. 112)

Nuk ka dyshim që politika dhe shoqëria jonë të merren jo me llafe gjinore, por me aksione komplekse për të mposhtur pengesat, që ato realisht të realizojnë nivele gjithnjë më të mira të lirisë vetjake dhe barazisë shoqërore të vërtetë në Shqipëri, duke realizuar kështu më shpejt një nga standardet e munguara të qytetërimit tonë. Ndoshta në këtë drejtim duhet të fokusohet dhe të japë kontributin e vet edhe media, në “sulmin e përgjithshëm” kundër traditës maskiliste, në mbështetje të lirisë dhe barazisë gjinore të femrave në Shqipëri.