“I mjeri unë për ty…”

0
36

Nga Ilirjan Blloshmi, 30 Mars 2012

Fatbardh Kadilli në një artikull me titull “Borxhi ndaj të përndjekurve dhe e majta”, botuar në gazetën Panorama në 30 mars 2012. shkruan: “Shoqëria shqiptare vuan ende dhimbjen që ka lënë çarja e madhe më shumë se gjysmëshekullore e diktaturës komuniste. Çarje që e përshkoi mespërmes shoqërinë dhe që e ndau atë në dhunues dhe të dhunuar, në persekutorë dhe të persekutuar. Dhunues që, në emër të një ideali mashtrues, ende duan të mashtrojnë ata që dikur i dhunuan. Persekutorë që, nga etja për sundim, ende duan të sundojnë ata që dikur i persekutuan. Shoqëria shqiptare nuk do të gjejë dot prehje sa kohë nuk shlyen mëkatin e një pjese të saj ndaj një pjese tjetër. Sot, edhe pse ka një mirëkuptim më të madh për një gjest zhdëmtimi ndaj atyre që pësuan, që vuajtën padrejtësisht nën diktaturë, sot, edhe pse ky zhdëmtim pranohet publikisht nga të gjitha palët, jemi fatkeqësisht ende larg shlyerjes së këtij detyrimi të madh”.

Z. Kadilli, ish të përndjekurit nuk kanë qenë asnjëherë kundër PD, janë pikërisht ish të përndjekurit që kanë mbështetur dhe mbajtur në këmbë PD dhe juve (pasi dihet botërisht se kush jeni ju), është pikërisht PD dhe Berisha kundër nesh zoti Kadilli, pasi PD-në e sotme e kanë mbushur bijtë e komunistëve, siç jeni dhe ju, sot PD e drejton një ish-sekretar partie. Sot në PD nuk ka vend për ish-të përndjekurit se vendet i kane zënë ish- brigadierët, ish- punonjësit e sigurimit, etj, etj. E gjithë kjo zhurmë nga PD bëhet për tu grabitur atë votë kësaj kategorie, por të jeni i bindur ju dhe ish-sekretari i PPSH që këtë herë votat tona nuk i merrni më.

Në një shoqëri demokratike vota është shprehje e lirë e vullnetit të çdo individi, njëkohësisht shprehje ekskluzive e tij, dhe çdo tentativë për ta orientuar atë pa mandate përfaqësimi vë në dyshim moralin e tentuesit. Kë përfaqëson ti që na inkurajon “naivisht” që ne të vazhdojmë vetëprangosjen tonë drejt zhgënjimeve pafund që na ka afruar me bollëk deri tani pushteti berishian? Më kot mundohesh me dordolecin komunist të mbushësh mendjet e tejmbushura nga gogoli neokomunist e pseudodemokrat që kemi përballë.

PS-ja në 2004-n me ligjin e atëhershëm të dëmshpërblimit iu paraqit fatura e tejfryrë me 204 miliardë lekë të reja, kur pothuajse aq ishte buxheti vjetor i vendit, ndërsa Berisha në 7 vjet në pushtet nuk ka dhënë as 4 miliardë lekë kur buxheti i vendit është trefishuar. Në 2005-ën, kur Berisha erdhi në pushtet bëri një intervistë dhe deklaroi se jo vetëm do ta shlyente atë faturë të tejfryrë brenda një legjislature, por dhe se do ta shtrinte më tej spektrin e dëmshpërblimit, duke marrë në konsideratë edhe dëmtimet morale e shpirtërore dhe fizike të shkaktuar nga regjimi i kaluar. Kjo deklarate ishte sa ironike dhe mjerane nga një njeri që i ka urryer të përndjekurit. Është ky kryeministër që më duket si ushtari i mirë Zhvejk që nuk po pranon propozimin e PS që ish të përndjekurit, që janë mbi 75 vjeç të dëmshpërblehen totalisht. Është po ky kryeministër që vë në lëvizje çdo sistem të agjenturës për të bërë presione mbi ata ish-të përndjekur që i dalin kundër.

Z.Kadilli me një lehtësi shumë të thjeshte ju shkruani se ish-të përndjekurit janë pjesë e PD. Stop, stop këtu se po thoni diçka që nuk është e vërtetë, shqiptarët besuan se do të ishin qytetarë të lirë në një vend të lirë dhe sot janë më të zhgënjyer se kurrë, ish-pronarët e mbetur pa pronë, të burgosurit të cilët po vdesin çdo ditë në pritje të dëmshpërblimit dhe gjithë ish-të përndjekurit e tjerë gjithashtu të nëpërkëmbur nga pushteti aktual i PD-së dhe Berishës. A nuk të vrasin sytë sadopak afishimet e përditshme të vdekjeve, që ti i shikon para se të vesh në zyrë? A nuk të dhimbsen ata mjeranë që të trokasin çdo ditë për t’u zgjidhur ndonjë hall dhe ti veç i përcjell me fjalë të mira se nuk mundesh t’i ndihmosh?

Dhe pa të bërë pazare nen tavoline ti nuk ja zgjidh problemin. Qeveria juaj në kuzhinën e saj gatuan gjellëra helmuese si korrupsion në çdo skaj të vendit, padrejtësi dhe vendime në kurriz te popullit, papunësi që ka çuar në qindra vetëvrasje, mijëra divorce, mijëra jetimë, invalidë pa përkrahje financiare, mijëra njerëz që orvaten rrugëve që flasin me veten sikur janë të prekur nga shejtani, kontigjent potencial për vjedhje dhe vrasje. Si shpjegohet zoti Kadilli që çdo ditë dalin lista të reja ushtarakësh për pensionet e tyre marramendëse dhe të pamerituara, kur çdo i burgosur e ka pensionin jo më shumë se 12 mijë lekë (të reja), ndërsa për ne ka 2 vjet që ka dalë vetëm një listë… apo nga dashuria e madhe që ka për ne PD-ja dhe Berisha

Kur Uinston Çërçill qëndronte në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte në tualet, Ruzvelt kishte hyrë brenda dhe Çërçill ishte ngritur në këmbë, duke thënë “Kryeministri britanik nuk ka asgjë për të fshehur nga Presidenti i SHBA-ve”. Kështu do veprojnë ish-të përndjekurit me PD dhe ju Fatbardh komunisti.